Pushteti dhe perversiteti

Pushteti perverton çdo njeri. Ai është diabolik thotë Cioran. Nuk ka pushtet të mirë apo të keq, konstaton Björn Kraus, por vetëm instruktiv dhe destruktiv. Si janë pushtetet shqiptare?

Se pushteti dhe perversiteti janë binjakë mësuam kësaj here “live” nga episodi i radhës i «Big Brother-it» me qeverinë kosovare. Më tepër se nga shumëçka tjetër njerëzit u irrituan nga perversiteti që protagonistët e politikës ia bënë idealit të tyre për shtet.

Kjo demontazhë e mitit të shtetit ndoshta nuk do të kishte shkaktuar kaq valë zhgënjimi sikur të tjerët përbrenda shoqërisë iluminueshëm të kishin sqaruar opinionin se me ç‘pushteti do kenë punë: Psikologët asnjëherë deri tash nuk janë marrë me psikogramet e figurave kyçe në pushtet, nuk kanë vizatuar dinamikën grupore e klanore të tyre; Sociologët dhe politologët u japin tëharrësve kosë plastike për të prerë nga faqedheu hithrat që me të madhe i prodhojnë strukturat e pushtetit (s’ka Power Structure Reserach), ata kurrë nuk na ofruan një analizë se si funksionojnë ato, se çfarë ndikimi ekonomik, politik e social kanë për shoqërinë; Pedagogët as gjëma e topave të ndryshkur rusë nuk i nxisin që të analizojnë se ç’edukatë mbjellin veprimet e të të ashtuquajturave elita politike.

Listën mund ta vazhdonim me gati çdo segment profesional e qytetar që thirret t’i shërbejë profesionit e detyrës së caktuar. Nuk ekziston pra një anatomi konkrete për atë se çka janë dhe si funksionojnë pushtetet shqiptare. E «dimë» vetëm se ato funksionojnë keq. Nuk na intereson pse-ja e kësaj pune?

FILOZOFIA DHE PUSHTETI

Që në polemikën e Platonit me sofistët e kuptojmë një problem themelor teorik: filozofi antik papushtetshmërinë e pushtetarëve e sheh tek domosdoja e tyre për të vepruar jo ashtu siç duan, racionalisht, por ashtu siç ju duket se do të ishte më mirë. Për kë si do të ishte më mirë? Definim fund e krye antagonik sapo hapim historinë dhe detyrohemi t’i bindemi konstatimit të Augustin-it nga Hippo se baza e çdo pushteti është kontrollimi i joracionalitetit të masave.

Augustin-i religjioz edhe pse keqpërdor tezën aristoteliane të «sundimit të të lirëve mbi të lirët» për të monopolizuar të drejtën e sundimit në adresë të Zotit (vetëm ky i fundit është i lirë dhe rezulton liri) të tij e prognozon një realitet që nuk iu hoq asnjëherë prej qafe humanitetit.

Historia ndërkohë ka modifikuar tezën e Platonit në: Pushtetarët janë të papushtetshëm në të mirë! Mbërritëm tek realisti i të gjitha kohëve, i cili si duket do të jetë ideologu kryesor edhe i shumë pushteteve të sotshme: Makiaveli u thotë sundimtarëve që të mos çajnë kokën për autoritet e legjitimitet, sepse pushteti është diçka praktike, ashtu siç ligjëron edhe Thomas Hobbes tek «Leviathan»-i tij, operim efektiv që realizohet me koncentrimin e gjithë pushtetit tek shteti – si individ abstrakt.

«Veprimin praktik» këta dy e shohin tek monopoli i çdo force (dhune) nga ana e pushtetit, jo për diçka të keqe thotë Hobbes, por për të siguruar ekzistencën e homo lupus-it nga vetekzekutimi. Teori fisnike mirëpo po aq antagonike sa ajo e Platonit: nëse njerëzit nga natyra janë joracionalë, ujq që mezi presin kanibalshëm ta zhbëjnë njëri tjetrin, çka janë ata që marrin pushtetin? Ufo?

HOMO HOMINI LUPUS

Veç në shekullin 19 diskurset filozofike bien nga qielli, përtokëzohen e bëhen më të kuptimta sa i përket dëshirës se si duhet konceptuar (synuar) pushteti. Johann Gottlieb Fichte (më konkretisht se Kant-i) kushtëzon legjitimitetin e pushtetit me varësinë e tij nga drejtësia, respektivisht sheh shtetin si produkt të një kushtetute republikane. Në vend të dhunës së monopolizuar vjen mekanizmi i kontratës politike ndërmjet shtetit dhe faktorëve kryesorë të shoqërisë civile (ideja e lindjes së sindikatave etj.).

Filozofia ia lanë borxhin shoqërisë dhe i jep një ideal në trastë. Max Weber asnjë shekull nuk ia lejon ëndrrën banorit të «Leviathan»-it hobbsian: «Pushtet do të thotë të shfrytëzosh shansin e imponimit të vullnetit tënd përbrenda rrjetit shoqëror, përkundër çdo rezistence dhe pa marrë parasysh se në çka bazohet a shans». Kjo i bie sikur ta kishim nxjerr Makiavielin pas katër shekujve viteve prej varri. Rikthimi është djegës por teorikisht real.

As teza e bukur e Hanna Arendt-it që thotë «pushteti është bashkëveprimi i njerëzve të lirë në hapësirën politike në favor të shoqërisë» (Pushteti dhe dhuna) nuk na shpëton nga përvoja e pushtetit në praktikë. Edhe pse pushteti rishfaqet në të gjitha format e mundshme (është postpanopthik siç thotë Zygmund Bauman) një vijë të kuqe e mban përherë si flamur; perversitetin!

PERVERSITETI I SUNDIMIT

Nga teoritë lart pamë se filozofia i ka kushtuar shumë pak vëmendje natyrës njerëzore si bërësja dhe bartësja e pushtetit. Më tepër ajo është përpjekur ta studiojë atë individin abstrakt – shtetin. Meganihilisti i postmodernes, filozofi frankorumun Cioran në një bisedë me filozofin spanjoll Fernando Savater (1977) reflekton për esencën e çështjes: «Besoj se pushteti është e keqja vetë, shumë i keq […]. Kam njohur njerëz që u bënë me pushtet. Ishte diçka e tmerrshme […] pyes veten si ka mundësi që një njeri normal akcepton pushtetin. Padyshim sepse pushteti është kënaqësi, është ves. Prandaj nuk ka diktator që vullnetarisht tërhiqet nga pushteti […] pushteti është diabolik. Djalli ishte thjesht një engjëll që donte pushtet. Fiksimi për pushtet është mallkimi më i madh i njerëzimit». Cioran flet këtu për njeriun konkret. Me gjithë këtë njohje dhe reflektim të thellë Cioran nuk mund t’i kërkojë species me tru që t’i jepet anarkisë. Një hierarki, një rend është i paevitueshëm. Dhe në krye të kësaj hierarkie do të qëndrojnë gjithmonë njerëzit.

E ata njerëzit historikisht kanë qenë pervers në ushtrimin e pushtetit. Nuk ka nevojë të mbajmë ligjërata mbi atë vrasjet, incestet, vëllavrasjet dhe orgjitë tjera antike për të skicuar karakterin e pushteteve antike. Nuk kemi nevojë të përshkruajmë mijëra librat që janë shkruar për diktatorë nga mesjeta e deri te Hitleri, i cili mbante të kafazuar mbesën e vetë për ta keqshfrytëzuar si objekt seksual. Paranojën e Stalinit e mban gjallë Putini. Orgjitë dhe haremet e Berluskonit na bëjnë të qeshim me zor.

PYETJE SHQIPTARE

Perversioni i politikës shqiptare manifestohet më shumë në pyetjet që kanë të bëjnë me njeriun, me personalitetet e jo me pushtetin si ansambël abstrakt: si ka mundësi që njerëz që thonë se deri dje kanë vepruar si komandantë të një lufte për të shpëtuar masën nga gjenocidi të korruptohen rëndë e rrastë sapo të ngjiten pushtetit duke eutanazuar dita ditës sa më shumë po atë masë? Si është e mundshme që njerëzit të cilët çapkanohen ta kenë bërë shtetin e përdhunojnë atë në çdo hap të veprimit të tyre? Para së gjithash: Pse lejojnë shoqëritë shqiptare një trajtim të tillë? Si duhet të sillen ata kur pushtetet ia nxjerrin fundin me perversitetin e tyre, si ta mbrojnë veten?

VETËKONTROLLI NË PARADEMOKRACI

Pikërisht se nuk ekziston garancia për karakterin e përkryer, – pra perversioni do të vazhdojë dhe atë jo vetëm si telefonata që ndajnë joligjërisht vende pune – pushteti në pasmodernë që tipizohet jo në të mirë e të keq, por vetëm në instruktiv e destruktiv (Björn Kraus), mund të mbahet brenda kufijve të normales vetëm nëpërmjet atyre kontratave politike të Fichte-s, atyre marrëveshje që bëhen ndërmjet kastave politike dhe sovranit (shoqëria civile, sindikatat, OJQ-të etj.) për të siguruar balancat e domosdoshme në shoqëri. Ndoshta ideja e hedhur qëmoti se demokracitë e brishta duhet si vetëkontroll t’i delegojnë shoqërisë më shumë pjesëmarrje në politikë nëpërmjet referendumeve e iniciativave qytetare (demokracia direkte) do të ishte shpëtimi i vetëm i ruajtjes së shtetit nga pervertimi i tij.

Veçanërisht në këto kushte parademokracie kosovare pushteti del i paaftë për të operuar me strukturat e tij pa rënë ndesh vazhdimisht me ligjet dhe kushtetutën. Vetëm zgjedhjet elektorale nën buçimën e euforisë, turbopatriotizmit dhe dasmave publike po shohim se jo vetëm që nuk e përparon, por edhe e përmbys shtetin e me këtë edhe shoqërinë sa më thellë në kriza.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.