Orienti, oksidenti dhe shqiptarët e Malishevës

Shqiptarët nuk janë as orientalë e as oksidentalë. Ata s’janë as myslimanë, as katolikë e as ateistë. Ata nuk janë nacionalistë, patriotë e as kozmopolitë. Ata kanë një identitet që përbashkon të gjitha këto në një habitus të vetëm praktik.

Katër dhoma, pesë kultura dhe një sallon pikëtakimi: dhoma e të birit dridhet nga intensiteti veshplasës i muzikës. Nga shpeshtësia e beats-ave dhe posteri paraderës ku formëgravuar lexohej «EC8OR» kuptuam se 20 vjeçari i përket divizionit të fansave të Patric Catani-t dhe Giona D’Orio-s, atyre dy themeluesve të Digital Hardcore Band-it me orientim ekstramajtist. Nga dhoma e djathtë mezi kap eterin një zë shqip. Brenda e bija si në trans dhe robotshëm riprodhon me gjoks bubullimat e «Ushtar kavajës» së Ilir Shaqirit. «Zoti u marroftë as namazin nuk mlatë ta bëj si duhet» ankohet nëna që shtanget kur na sheh në korridor. «O bir edhe hajdutet me u hy ktyne nuk e marrin vesh», kështu ajo. Na sjell në dhomën e pritjes. Salloni është i dekoruar me një portret të madh të Ibrahim Rugovës që shtrëngon duart e Papa Gjon Palit të II-të. «Hajt, hajt shko falu» e urdhëron patriarku të shoqen dhe «qy, qy ia prishëm namazin». Me një ligjëratë antiosmane dhe ca sqarime se klerikët katolikë janë etërit e bazave kulturore e identitare shqiptare na intimëzoi i zoti i shtëpisë me botëkuptimet e tij rreth botës, kombit dhe moraleve.

Nga kjo skenë disaminutëshe brenda një familjeje të vetme identifikojmë një diversitet tipik që mund t’ua mveshim si karakteristikë të gjitha shoqërive shqiptare. Ç’gjejmë këtu: Orient, oksident, marksizëm, shqiptarizëm, myslimanizëm, katolicizëm, konservatizëm, patriarkalizëm simbiotik (praktika orientale me teori kanunore), art oksidental,etj. Cili është identiteti i kësaj familjeje nëse do të donim ta fusnim në atë shabllonin oriental-oksidental?

GJURMËVE TË NJË DEBATI HISTORIK

clash-of-civilizations-2Tonelata libra, pamflete dhe studime janë botuar viteve të fundit rreth dy blloqeve «kulturore» që ndajnë globin në dysh: në orient dhe oksident. Intensiteti i diskursit, debateve është rigjeneruar sidomos pas harxhimit të «Luftës së ftohtë» si objekt studimi.

Tri «shkolla» kryesore vazhdojnë të dominojnë mbi polemikën historike të këtij konstelacioni: ajo eurocentrike që thirret në epërsinë e oksidentit duke marrë për bazë antikën «greke», industrializimin dhe iluminizmin; ajo e «ex oriente lux»-it (nga Lindja vjen drita) që kundërshton zhvillimi t’i ketë rrënjët në perëndim, sepse të gjitha shkencat ekzakte kanë origjinë nga lindja dhe; pala e tretë janë qortuesit kronik (metakritikët) të dy të parëve që kategorizimin e botës në këto dy blloqe e përjetojnë si doktrinë luftarake politike që në thelb është raciste.

Po t’i bëjmë një diagnozë konglomeratit të tezave, hipotezave dhe historive aktuale do të ndeshemi me faktin se në këtë drejtim hiçgjë nuk ka përparuar. Përveç terminologjisë, instrumenteve metodologjike dhe freskisë dizajnore opinionet t’i përkujtojnë ata ushtarët stoikë në filmin «Battle for the Planet of the Apes» (Beteja për planetin e majmunëve) të regjisorit J. Lee Thompson. Në fakt kemi të bëjmë me teori që nuk kanë arritur të shpëtojnë nga qelitë manastireske dhe beduineske të mesjetës:

SHKOLLA E PARË – EUROCENTRIKËT:Samuel P. Huntington («Përplasja e qytetërimeve»:1996) e shkruan një libër që përveç inventarit pasmodern lingusitik, në thelb nuk dallon aspak nga historitë e eurocentrikut, antisemitit (semitizmi këtu përfshijnë jo vetëm hebrenjtë por edhe etiopasit, arabët, maltezët, sirianet, për të përmendur vetëm të gjallët) dhe refuzuesit kategorik të demokracisë, kulturologut Jacob Christoph Burckhardt (Historia e Rilindjes italiane, 1860). Këtij tabori teorik i përkasin një numër i rëndësishëm i historianëve dhe kulturologëve më të rëndësishëm të botës perëndimore. Edhe pse jo në stilin frontal të Huntington-it me veprat e tyre si «Historia e filozofisë botërore» duke nis qëllimisht nga Athina dhe tendenca tjera të këtij lloji ata përforcojnë këtë ideologji që çdo të mirë e lidh kushtimisht me mitin e idesë evropiane.

SHKOLLA E DYTË – AVOKATËT E PËRTEJEUROPËS: Pledoajetë pro-orientale, domethënë pjesërisht antieurocentrike, të bëra nga studiuesi amerikan me origjinë palestineze Edward Said («Orientalism»:1978) dhe bullgarja Maria Todorova («Imagining the Balkans»:1997) janë teori formëtraktati, të prira nga motivi marksist «ata nuk mund të përfaqësojnë veten, ata duhet përfaqësuar». Vepra që dalin si modifikime të inspiruara nga «Rënia e oksidentit» të Oswald Spengler-it (1923). Themi të modifikuara sepse si Said ashtu edhe Todorova të vetmin dallim nga ideatori i tyre kanë mosbesimin logjik në rënien e kulturës oksidentale, përndryshe forma e reflektimit mbetet e njëjta. Dhe më fisnikja në favor të autorëve të këtij poli është mosmohimi i vlerave të Iluminizmit evropian, zhvillimit aktual të lartë të kontinentit dhe ngecjes dramatike në kontinentet tjera. Ky grup pretendon se «realitetet» orientale nuk janë realiteti vetë porse janë konstrukte oksidentale.

SHKOLLA E TRETË – UNIVERSALISTËT: «The Story of Civilisation» (1935–75) e amerikanit me origjinë franko-kanadeze William James Durant hynë në konton e përpjekjeve kolosale për ta rrëfyer historinë e qytetërimit pa trastën e doktrinave të këtyre dy blloqeve. Sot edhe pse bibliotekat janë të mbushura deri në frymëzënie me tendenca të ngjashme, ato nuk arrijnë të standardizohen seminareve universitare. Nga njëra anë për shkak të dominancës të politikave shtetërore në institutet e arsimit (gjithandej) dhe nga ana tjetër për arsye se shumica e akademikëve të fahut dhe karrierës nuk çlirohen dot nga opiumi i supermacisë. Nga ky kontekst mund të sqarohet edhe mossuksesi i veprave si «Ideas. A History From Fire to Freud» (Idetë. Një histori nga zjarri deri tek Freud-i  [2005]) e docentit të Institutit Arkeologjik të Universitetit të Cambridg-it dhe shumë të tjerave të këtij lloji. Më shpejtë sensibilizohet opinioni me libra luftëshpallës si ai i shkrimtarëve dhe gazetarëve Ilija Trojanov dhe Ranjit Hoskoté «Refuzim lufte – kulturat nuk luftohen, por shkrihen ndërveti» (Kampfabsage. Pössenk 2007) se sa me studime serioze. Ky libër, i cili është konceptuar si debat i lirë me konservativin anglosaksonik Samuel P. Huntington megjithatë potencon diçka që tashmë shkencërisht nuk ka si demantohet. Ai riplason një të vërtetë që përmbys murrët mendore të blloqedashësve. Çka thonë dy autorët që s’mund të injorohet?

METAKRITIKËT:Trojanov dhe Hoskoté thonë se e gjithë fama rreth bazave të filozofisë oskidentale mbi identitetin grek është një konstruksion i doktrinave politike të «kontinentit të vjetër» këndej Bosforit. Nëse autorët këtë e supozojnë për arsye se mbi 80% e filozofëve të parë që nga Tales-i nuk janë grek por me origjinë nga Azia e vogël (vise të Turqisë së sotme) si Mileti, Rodosi, Efesi, Elea dhe Ilioni, atëherë ata kanë të drejtë. Ashtu siç kanë të drejtë kur thonë se gjeometria, arkitektura, numërimi (arab) janë shpikur nga kulturat e leshta përreth Nilit e mëtej, gjë që e pohonte edhe filozofi dhe eruditi britanik Betrand Russell gjersa ricitonte veten; «Homeri si autor i pjekur ishte prodhim i Jonisë», duke aluduar këtu në kulturat që atëbotë domicilin e kishin në Turqi, Siri e më thellë Azisë. Autorët megjithatë nuk bëhen transparentë dhe «objektiv» deri në fund kur përheshtin faktin se fragmentet gati të pavlefshme të Talesit, Anaksimenit, Anaksimanderit me kompani nuk krahasohen dot me trashëgiminë e lënë nga Platoni dhe Aristoteli.

Trojanov dhe Hoskoté nënvizojnë edhe një detaj të rëndësishëm dhe që nga eurocentrikët arkivohet harrueshëm e me plotë dëshirë: rikthimin e mësimeve të Platonit dhe Aristotelit në Evropë gjatë shekullit të 13-të nëpërmjet Albertus Magnus-it dhe Thomas Aquini-it. Këta dy mendimtarë kishtarë kishin krijuar një «fabrikë» përkthimesh të veprave të dy grekëve dhe atë me synimin për t’i shpëtuar dy të fundit nga përvetësimi monopolik i tyre prej dijetarëve arabë e hebrenj si Averroës (Ibn Rushd), Avicenna (Ibn Sīnā), Avicebron (Solomon ibn Gabirol) etj, të cilët në një traditë filozofike prej dy shekujsh përpiqeshin të bënin religjionet e tyre kompatible me mësimet platonike dhe aristoteliane.

Përkundër lëshimeve të shumta, tonit polemik dhe nivelit publicistik Trojanov dhe Hoskoté ia dalin të masivizojnë «të vërtetën» mbi heterogjenitetin e kulturave. Si facit libri na sjell tezën e teorikëve postkolonialistë si ajo e të urtit nga India Homi K. Bhabha («Lokalizimi i kulturës», 2000) i cili hibriditetin e kualifikon si identitetin më real të njeriut postmodern, pra  atë të: «Individit si simbiozë e kulturës së rrethit me ato të “huajat”».

PATOSI NEVERITËS

Se pse debatet ballkanike dhe ato lartë poshtë orientit dhe oksidentit të religjioneve nuk e përfillin këtë bazë teorike, historike është e qartë: nga aspekti  historik kombet, etnitë, kulturat lokale do të na dilnin si komorbiditete (përbashkim simptomash të sëmundjeve të ndryshme) politike. Edhe pse ky realitet ka bërë që idetë si ajo e kozmopolitizmit dhe universalizmit të jenë boshti dominant sidomos në arte dhe në reflektimet e primatëve globalë të mendimit, popujt as që e kanë ndërmend ta shuajnë OKB-në si instancë kombesh në favor të ndonjë organizate parimisht njerëzish. Pragmatikët rendin, organizimin e popujve e shohin si hierarkinë e domosdoshme për të evituar anarkinë dhe kaosin brenda planetit. Dakord. Mirëpo kjo s’duhet të pengojë që të gjithë këta ruajtës rendi të urrejnë faktin se të gjithë të të njëjtit prind janë, qoftë ai Adami, Ademi, homo sapiensi, majmuni apo ndonjë statuje prej balte që do ta kenë bërë skulptorët dinozaurë. Kjo do të jetë edhe arsyeja se pse historiografitë nacionale me një patos neveritës nisin bisedat e tyre nga kati i mesëm i godinës historike, e jo nga baza, pra nga ai moment kur janë shfaqur së pari herë, kjo përkundër çdo logjike strukturore e cila na mëson  që çdogjë ta hulumtojmë nga fillimi e jo nga bishti, ane apo ndonjë sfere të errësuar galaktike.

SHQIPTARËT PËRTEJ BLLOQEVE

«Hajt bacë hajt. Shpejt ke mi i vu ata aparatet n’vesh», i thotë nikoqiri jonë të birit kur erdhi në tavolinë për të ngrënë drekë. «Po vallahi edhe neve na ke prish veshët» shton e ëma duke qeshur. «Primitvca», mbron motra vëllain. «A juve astronautë u kemi» mbron i shoqi të shoqen. «Ç’a po thu allahile», zgjohet dikur i biri nga ëndrrat. Qeshin të gjithë. Dhe atë tërë kohën.

Sado brutal që na u duk ai urdhëri nënçmues «Hajt, hajt shko falu» manifeston tolerancën e vullnetshme për koekzistencë. Nikoqiri jonë ishte ithtarë i flaktë i krishterimit, oksidentit. Nuk shau myslimanët, mirëpo shihej qartë se nuk i preferon. Me gjithë patriarkalizmin e tij ai nuk i përzihej të shoqes në religjiozitetin e saj. I biri – gjatë bisedës rreth feve – dy herë bërtiti pa lidhje sikur ende të dëgjonte muzikën e tij: «leni ato përralla, në cilin shekull jetoni»! Fundekrye ateist. «O komunizmi na shpëton ne», bëri ai për t’ia ngulë më dukshëm vulën vetes. «Feja jonë asht shqiptaria», kështu e bija me gojën e Vasko Pashës. Prapë të gjithë qeshën.

Atë që nuk janë në gjendje ta kuptojnë teorikisht shkencëtarët, mendimtarët, publicistët e përfolur lartë, atë që nuk e pranojnë shtetet, kombet dhe politikat lartë poshtë globit, e praktikon kjo familje totalisht hibride shqiptare e një fshati afër Malishevës kosovare si diçka krejtësisht të natyrshme. «Secili ka kryet e vetë dhe vendos vetë se çka donë të bëjë me veten. Secili facebookun e vet», qeshet dhe thotë nikoqiri duke ia marrë nga dora së shoqes rakinë e rrushit.

S’ka asnjë dyshim se harmonia e kësaj familje nuk rezulton nga kompaktësia e grupit, por nga respektimit i individit, me të «mirat» dhe të «këqijat» e tij.

FACITI – HIBRIDITETI?

Duket se po u zbulua ndonjë aparat që analizon strukturën e atomeve të individit, pa asnjë hamendje do të habitemi me faktin se asnjëri atom i turit tonë nuk është identik me fqiun e tij; do të identifikojmë informacione nga të gjitha epokat dhe kulturat e mundshme, informacione që si komandantë dirigjojnë sjelljet tona në përditshmëri – deshëm ne apo jo!

Në kushtet e sotme të globalizmit hiperdigjital mund të thuhet se teknika detyron paradigmat të ulin bishtin dhe jo anasjelltas. Në kulmin e zhvillimit dhe përparimit njerëzor ai, njeriu, është përballur me «realitetin» që iluzionisht mendon ta ketë nën kontroll; bota gjendet në majën e hibriditetit kulturor dhe çdo sagë mbi identitetet kolektive kulturore përgënjeshtrohet nga xhindosja e identiteteve individuale.

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.