Parada verbale e irracionalëve

Nga mënyra se si komunikojnë politikanët shqiptarë me masën mësojmë se sa irracionalë dhe keqbërës dalin!

Në një intervistë dhënë revistës «Der Spiegel» (1969) njëri nga etërit e «Shkollës së Frankfurtit» Theodor W. Adorno tha: «unë bëra një teori kritike mbi proceset shoqërore dhe kurrë nuk më shkoi mendja se njerëzit do përpiqen ta realizojnë atë me koktej molotovi». Ky aludim iu adresohej studentëve të vitit 1968, të cilët edhe me dhunë donin ta përmbysnin qeverinë.  Kishin keqkuptuar studentët ligjëratat e Adornos, ato lexime programatike që ndërtoheshin mbi pyetjen «a mund të jetohet pas Ausschwitz-it? Jo pak analistë të kohës e mbrojnë Adornon me tezën e «pakontrollueshmërisë dhe irracionalitetit të masave». Kjo diagnozë që «shpëton» Adornon nga përgjegjësia vjen nga kryevepra e José Ortega y Gasset, respektivisht nga studimi i tij i njohur «La rebelión de las masas» (Madrid 1929; Rebelimi i masave). Ky rehabilitim mirëpo ndez vetëm nëse qysh në kapitullin e parë na errësohen sytë nga kokëdhimbja dhe flakim librin në sirtar, pa u ndeshur me të ashtuquajturën «hipoteza Ortega». Filozofi spanjoll zhvillon këtu një hipotezë për të përshkruar përparimin  dhe zhvillimin e një shoqërie. Ai thotë se përparimi në dije dhe shkencë nuk bëhet nga ky apo ai gjeni, por është më shumë rezultat i hapave të vegjël, pra i gjithë asaj mase shkencëtaresh mesatarë që bëjnë zbulime gati të padukshme. Le ta rrotullojmë këtë hipotezë duke ia dhënë përmasën universale dhe e (keq)përdorim në aspektin politik: krijimi i një bindjeje që shtyn masat në veprim nuk bëhet nga ky apo ai «ideator», por nga një zinxhir sugjerimesh që i lëshon një elitë e caktuar.

CAR

Një shembull nga terreni shqiptar:

KUR FLASIN PRIMATËT

Kryeministri kosovar Hashim Thaçi gojëplotë e gishtkrekosur porositi «mos na i ngucni vëllezërit në Preshevë». Pas tij u ndezën bisedat dhe epidemishëm u aktivizuan politikanë e intelektualë, analistë, kollumnistë e hobiopinionistë për të akuzuar – me të drejtë – agresionin aktual e tradicional serb. Ademi Demaçi thirri shqiptarët e Luginës në një sondazh publik për t’iu përgjigjur pyetjes se a «duan luftë», respektivisht të vendosin sa më shpejtë që ai me shokë ta organizojë agjendën që me kohë t’i mprehë bajonetat. Thirrjet e intelektualit dhe shkrimtarit preshevar Naser Aliu «Dëgjo Preshevë» mediave  të ndryshme shqiptare nuk ndikoi që problemi të trajtohet me racionalitet dhe pa histeri. Klubi Politik i Studentëve të Prishtinës organizoi një marsh të dinjitetshëm e paqësor rrugëve të Gjilanit me mesazhin e qartë «Lugina është Kosovë». Daçiçi e shkuli lapidarin si një bagren dhe –sipas shqiptarëve – ua hodhi imamëve të ndonjë xhamie në oborr. Vazhdon histeria. Kërcënimet e aspirantëve të vjetër e të rinj për pushtet vazhdojnë të na prishin nerva e vesh. Pragmatikët duarpërpjetë thonë: silence!

Këtu ne nuk duam të gjykojmë kauzën e Luginës e as se a janë veprimet e masës kosovare në këtë çështje të nevojshme, të drejta apo jo. Kjo kronikë na shërben për t’i bërë diagnozë formës së komunikimit që vë në lëvizje masat. Tash parashtrohet pyetja: çka nëse grupe të pakontrolluara dhe radikale nga masa i gjejnë ca kallashnikovë të ndryshkur dhe ia mësyjnë Luginës? Do të dalë nesër Thaçi në televizor dhe do të thotë «unë thash se duhet t’i mbrojmë vlladimirat e Luginës tonë ama jo kështu me molotov e me kallashnikovë?». Do të bërtasë Adem Demaçi plot mllef duke thënë «në fillim me pyetën ama pastaj nuk më dëgjonin dhe vendosën krye në vete si ata në Rambuje?».

NË LUFTË? PO SI?

Theodor Adorno nuk mund t’i ikë përgjegjësisë. Ashtu siç thotë Ortega në hipotezën e tij për shkencën vlen edhe në çdo segment tjetër të një shoqërie. Veprimet e masave janë kryesisht vepër e teorive dhe komunikimit të elitave të caktuara. Po e njëjta dinamikë e shembullit shqiptar u zhvillua edhe në «protestat» e 68-ës. Edhe atëherë kur perëndimit ishin bë të njohura të zezat staliniste ikte Sartri atje për të lutur Bashkimin Sovjetik «të ndikojë» edhe më shumë për ta shpëtuar Perëndimin nga degjenerimi total kapitalist. Po të studiojmë paraqitjet publike dhe ligjëratat e Marcuse, Horkheimer, Adornos, Sartrit dhe pjesës dërmuese të elitave të asaj kohe do të shohim pa shumë mund se në to ulërinë kërkesa për ndryshimin radikal të sistemit. Ka mundësi që po e njëjta elitë nuk ka kërkuar eksplicit që ndryshimi radikal të bëhet me koktej molotovi, mirëpo ata as nuk treguan se si bëhet një gjë e tillë praktikisht, ne terren përballë policëve dhe shtetit.

RACIONALITETI I MASËS

Kështu siç nuk tregon as Demaçi, Thaçi dhe gjithë apelantët tjerë që kërcënohen se si duan ata t’i ndihmojnë vëllezërit e tyre të Luginës. Elitat evropiane atëherë kishin së paku teori, politikanët shqiptarë jo që s’kanë teori, por si duket as që kanë kapacitet për të gjykuar përgjegjësinë që kanë gjersa komunikojnë me masat. Përndryshe nuk do të shpërndanin tamtame pseudopatriotike për të cilët nesër as llogari s’duan të japin. Kjo s’është hiçgjë tjetër përpos keqpërdorim brutal i lirisë dhe pozitës në disfavor të ekzistencës së tjetrit; ndryshe nuk ka si kualifikohet një «apel» që nesër mohohet të ishte i tillë siç ishte. Këtu nuk kemi të bëjmë me irracionalitetin dhe pakontrollueshmërinë e masave, por me një irracionalitet të egër të elitës politike kosovare. Manipulim dashakeq?

 

 

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.