Superioriteti me plis në kokë

Në Prishtinë thonë se ata Tiranës sillen si superiorë. Sa qëndron kjo tezë?

Në njërin nga emisionet e shkuara të KTV-së me Adriatik Kelmendin u diskutua çështja e «Bashkimit Kombëtar». Nuk doli gjë e re përveç asaj që konstatohet qe shumë kohë: Pragmatikët dhe Idealistët përpiqen të bëjnë për vete sa më shumë territor të «trurit» shqiptar. Për këtë pra është folur shumë. Le të pushojë pakëz kjo temë. Po merremi me temën tjetër që e shtroi Shkëlzen Gashi, njëri nga diskutantët e emisionit. Publicisti nga Prishtina akuzoi industrinë kulturore të Tiranës të sillet me supremaci ndaj bashkëkombësve jashtë saj. Paralelisht pohoi një spekulim të kamotshëm se kosovarët ndihen inferiorë ndaj vëllezërve të tyre. Inferioritet që burimin e paska në dashurinë tradicionale të kosovarit ndaj shtetit shqiptar. Arsenali argumentues që shoqëroi këto «teza» u përbë nga: Fabrikat e letërsisë së Tiranës injorojnë përkthimet e bëra nga kosovarët qysh viteve të 70-ta; kosovarët nuk janë pyetur gjatë standardizimit të «gjuhës kombëtare» dhe tregu në kontekstin e librit si mall është i pabarabartë, pra gjatë një panairi në Prishtinë 80% e librave të botuar kishin ardhur nga «Tirana». 

 bpmamr8cckscw88808wsc-1

SUPERIORË SEPSE INFERIORË

T’ia nisim nga e mbara: Superior ndihen ato individë, grupe e shoqëri të cilët mendojnë se janë më të aftë, më të mençur, më dinjitar se dikush tjetër pranë apo larg. «Argumentet» e superiorëve si zakonisht janë seleksionim i qëllimtë për çështje onanie dhe konkurrence. Ato nuk përfillin dështimet që janë poaq pjesë e rëndësishme e një habitusi sa edhe të arriturat. Nga epidemia e superioritetit janë të zëna si vendet europerëndimore, shtetet e zonës së standardit më të lartë ekonomik, të cilat çdo qelizë dinjiteti human e peshojnë me kandarin utilitarist, ashtu edhe zona e kombeve e popujve fukarenj të cilat superioritetin e argumentojnë me leksione nga biologjia dhe historia. 

Tek problemet, preokupimet, analizat, studimet dhe diagnozat që shoqëritë i bëjnë mbi veten mund të gjejmë edhe përgjigjen se pse një shtet, një shoqëri apo një grup ka nevojë për ndjenjën e superioritetit. Në shoqëritë perëndimore që nga fillimi i viteve të tetëdhjeta nga shkenca dhe masat akuzohen utilitarizmi, neoliberalizmi dhe globalizmi të kenë shkatërruar familjen, ndjenjën e solidaritetit shoqëror dhe sidomos të kenë paralizuar demografikisht kombet europerëndimore duke ulur në mënyrë dramatike natalitetin e tyre. Këto akuza nuk janë të majta e të djathta por janë frika tashmë disadekadëshe e të gjitha politikave (me çka nënkuptohet edhe ringjallja e nacionalizmit ekstrem dhe konservatizmi në rritje i socialdemokratëve) perëndimore ndaj tjetërsimit kulturor e identitar. E kush rrezikon tjetërsimin identitar të perëndimorëve superiorë? Superiorët tjerë që nga nataliteti bombastik, formëkopeshë (solidariteti i tepruar fisnor e familjar) braktisin vendet dhe kulturat e tyre të «shenjta» për të siguruar mirëqenie tek të parët. Të parët ndihen inferiorë ndaj të dytëve sepse këta kanë ruajtur faktorët e rëndësishëm të hierarkisë tradicionale shoqërore e të dytët ndihet inferiorë ndaj të parëve sepse këta gjenden në kulmin e mirëqenies dhe zhvillimit. Të dy superiorë sepse inferiorë.

Po shohim se ku gjejmë bakteret që këtyre dy kontrahentëve (jo vetëm në kuptimin e kundërshtarëve por edhe të bashkëvepruesve), superioritetit dhe inferioritetit, u jep statusin e epidemisë? Sepse që të dyja kanë nisur konkurrencën vetëm me gjysmën e tyre.

DETYRAT KOMBËTARE TË FIRMAVE PRIVATE

Të kthehemi sërish në Prishtinë e Tiranë. Po çka e përbën superioritetin shqiptar dhe inferioritetin kosovar? Ai përshkrimi që bëmë lartë nuk vlen në kushtet shqiptare. Pse? Sepse të dyja shoqëritë – ajo shqiptare dhe kosovare – kanë intensitet nataliteti të njëjte, janë kompanjonë të pandashëm në fukarallëk, në çështje të globalizmit, utilitarizmit, marksizmit, patriarkalizmit dhe gjitha izmave tjerë të mundshëm. Ku atëherë? Shkëlzen Gashi superioritetin «shqiptar» e sheh sidomos në kulturë. Injorohen autorët, përkthyesit dhe mediat kosovare. Ka mundësi. Edhe pse ende nuk e kemi takuar asnjë intelektual «tirane» që mos të dinte se kush është Ali Podrimja ashtu siç nuk kemi takuar ndonjë «prishtinali» që nuk e di se kush është Ismail Kadare. Po ashtu e dimë se mediat lokale gjithmonë kanë përparësi ndaj atyre nga jashtë. E dimë se qeveritë dhe shoqëritë duhet të bëjnë më shumë për komunikim kulturor ndër veti dhe atë jo vetëm në relacionin Kosovë- Shqipëri por edhe më gjere. Çështje këto që janë thënë e sterpërsëritur. Të shohim argumentet konkrete që u lansuan në emision.

Çka nëse ndërmarrjet private të Tiranës që merren me botimin e librit nuk i marrin përkthimet e viteve të 70-ta të autorëve kosovarë thjeshtë për arsye komerciale, kur kemi parasysh se lexuesi i sotëm në Shqipëri është rritur e formuar ose edukuar nga familja me gjuhën «standarçe të Xhaxhit», të cilët autorët kosovarë të viteve të 70-ta ende as që kishin filluar ta përvetësojnë? Pse qenka detyrë kombëtare e një shtëpie botuese private në Tiranë a Prishtinë të përdor kuotën fifty-fifty (për Kosovë e Shqipëri) në prodhimin e saj të librave? Të kërkosh një gjë të tillë donë të thotë ta censurosh lirinë e tregut (kësaj radhe jo nisur nga ideologjia komuniste por ajo nacionaliste). E kjo nuk shkon në demokraci. Ç ‘argumenti «superioriteti» qenka panairi ku 80% e librave paskan ardhur nga Tirana? I ka urdhëruar ndonjë primat Tirane që kosovarët mos të nxjerrin libra ne panairin që kanë organizuar vetë, apo ndoshta s’kanë pasur ç’të nxjerrin në ato momente?

Po ai «argumenti» se kosovarët ndihen inferiorë ndaj Shqipërisë nga dashuria…më mirë ua lëmë këtë punë psikologëve! Ata edhe profesionalisht e njohin më mirë termin që përshkruan gjendjen psikike të një njeriu që dashuron nga inferioriteti!

TEMË ASPAKËT

Hulumtuar temën nga distanca, për të gjetur shkaqet dhe arsyet e superioritetit e inferioritetit ndërshqiptar, nuk na mbetet tjetër përpos të konstatojmë se ato nuk ekzistojnë si sëmundje me përmasa fenomeni shoqëror, por vetëm si trauma personale individësh, arrivistësh të zhgënjyer ose të tillë që jetojnë me keqkuptimin dhe besojnë se shkathtësia retorike iu mjaftoka si argument për tu ndier superior. Sinqerisht nuk ka indikacione, argumente tjera relevante! Temë aspakët.

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.