Njeriu ynë

Me gjithë respektin ndaj figurave mendimtare shqiptare në modë (të vdekur e të gjallë) që merren si ideologë të frymës shqiptare së katër dekadave të fundit nuk mund të mohojmë faktin se asnjë çik ndihme etike nuk i dhanë njeriut shqiptar që të dal nga balta, nga ajo baltë ku e kishin fundosur po edhe ata.

Bernë, 25 janar – Historia shqiptare e tri dekadave të fundit është njëra nga episodet që për nga të arriturat shqiptarët mund ta konsiderojnë si atë epokën e artë të Eric Hobsbawm-it. Shqiptarëve u ka qesh fati si asnjëherë më herët. Paralelisht mirëpo është edhe periudha që ta përplas «surratit» aktgjykimin me dënimin për memecëri intelektuale. Pothuaj para çdo pyetjeje për akëcilin problem të kësaj periudhe kapitullojmë duarpërpjetë sepse nuk kemi referenca që ta asociojmë me ndonjë dokument a proces të kronikës faktike shqiptare. Kështu na doli kur menduam për njeriun; çka i dhanë elitat shqiptarit para se ta fusnin «revolucioneve» demokratike; para se ta urdhëronin që të përflak doktrinën komuniste; para se t’ia varnin pushkën fytit për ta «fituar» lirinë? Çka i injektuan elitat shqiptare njeriut të zakonshëm, i cili kur nuk u lodh të ndjek, të sakrifikohet.
Nga cilado pozitë e batakët dhe për cilindo ashik politik njeriu jonë ka dhënë jo vetëm gjithçka nga vetja por edhe veten. Edhe sot, tash, njeriu jonë, në pikë të agut ua hedh shikimin sypërlotshëm të vetëve barkbosh dhe nis ditën me urdhrin e parisë dhe shoqërisë për ta kryer funksionin e tij social. Njeriu jonë, ai i «zakonshmi», kush është ai dhe ç ‘bëjmë ne me të? Si sillen të tjerët, armiqtë dhe miqtë e shqiptarëve me njeriun e tyre?

STORIA E PRIFTIT NGA FSHATI LOPUSZNA

Disa muaj para «pranverës kosovare», në tetor të vitit 1980, në Wawel të Krakaut polak prifti Józef Tischner mban meshë për udhëheqësinë opozitare të sindikatës  Solidarność. Fjalimi i nxënësit të Roman Ingarden-it dhe Husserl-it, filozofit të promovuar me «pardesynë» e zezë të priftit si një rrufe zjarrpjellëse ndezi shpirtin e çdo njeriu polak; të intelektualit, të analfabetit, të punëtorit, të bujkut, të patriarkut, të nënës, të policit, të ushtarit, të komunistit, të liberalit, të majtit, të djathtit, të egoistit dhe të altruistit. Si ka mundësi? Si është e mundshme që fjalimi i një njeriu të jetë i çliruar nga çdo ideologji, nga çdo program, nga çdo koncept që nuk bie ndesh me ndonjë tjetër? Foli Jezu Krishti i priftit?Jo foli njeriu Józef Tischner për njeriun polak. Prandaj e kuptoj ky i fundit, e përpiu filozofinë e tij si frymë me të cilën u nis rrugës për ta zënë lirinë.
Nga këto fjalime doli vepra  «Etyka solidarności i Homo sovieticus» (Etika e solidarnośc-it dhe homo sovjektikus – Paris 1982). Një përmbledhje që çdo polaku i shërbeu dhe ende shërben si filozofi jete. Çka në atë libër? Aty është i shtruar koncepti filozofik i dialogut, të cilën me gjuhë edhe më shkencore Tischner e trajton në dy veprat e tij të mëvonshme «Drama njerëzore» (1986) dhe «Përplasjet mbi ekzistencën e njeriut» (1998).

Jo vetëm polaku i rëndomtë dhe ai intelektual, por sot çdo njohës, ekspert, historian dhe politolog edhe i jashtëm konstaton të njëjtën: Polonia bëri transicionin e suksesshëm, pa vënë asnjë çast në rrezik të rëndë ekzistencën e masave dhe ardhmërisë së vendit, falë një koncepti të qartë të dialogut që në epiqendër pati dinjitetin, fatin dhe respektin e njeriut – pavarësisht pozicionit të tij ideologjik e shoqëror, falë filozofisë prijëse të intelektualëve të kalibrit Józef Tischner. Këta pranuan të gjitha doktrinat dhe besimet e polakëve pa i armiqësuar ato dhe i vunë në shërbim të njeriut, të së ardhmes dhe mirëqenies së tyre.

Alter-Albaner-a28624179
Shqiptari nga Hubert Auer Fotowork (http://www.fotocommunity.de)

SHUMË KONCEPTE ASNJË SHKRONJË

Hedhim empatinë për polakun dhe ribëhemi shqiptarë. Kërkojmë mendjes, arkivave, programeve, teksteve dhe historisë dhe dorëzohemi të revoltuar migjenshëm me dëshirën jo me ia fut me grusht ndonjë mali por vetes. Pse?

Viteve të 80-ta ashtu si në vendet tjetra të ish bllokut parasocialist shqiptarët riintensifikuan aktivitetin e tyre në kërkim të lirisë. Shpërthyen demonstratat. Do thonë për bukë nga studentët e uritur; do thonë për shkak të masivizimit të idesë për shkëputje nga Jugosllavia e faktet dhe dokumentet favorizojnë të dyja. Studentët vërtet jetonin në kushte mizerable. E dëshira e grupeve ilegale kryesisht marksiste ishte që të shpëtojnë Kosovën nga Jugosllavia duke ia bashkangjitur atë – si ideal final – Shqipërisë së Enver Hoxhës. Filozofinë e veprimit e transportonin me mushka agjentët e Sigurimit shqiptarë në dy drejtime: për në Prishtinë dhe për në Beograd. Kështu thonë faktet. Viteve të fundit të tetëdhjeta – kur kosovarët panë me sy Shqipërinë dhe veten – ra kjo dëshirë grupesh dhe ktheu sytë kah modeli shoqëror e liberal i Perëndimit. Dolën liderë të rinj. Konceptet e tyre?

Siç dokumentuan dy studiuesit Prof. Shenasi Rama dhe politologu Llukman Halili Sali Berisha niset tek studentët jo me koncept e filozofi por me udhëzimet e Ramiz Alisë. I njëjti bashkë me të tjerë do të bëhet ideolog dhe do të udhëheq masat drejt transicionit. Në Kosovë liderizohet shkrimtari dhe kritiku Ibrahim Rugova. Ishin të qarta preferencat e liderit Rugova se praktikonte kulturën politike të dialogut dhe kishte frymë të përvetësuar nga lufta e Pjetër Bogdanit që e bën të krahasueshëm me Józef Tischner-in. Megjithatë as ky nuk arriti të bëhet figura integruese e të gjithëve? Por i kontestuar edhe ndërroi jetë. Ka kjo të bëjë me ndonjë defekt mental të shtresave të caktuara që rëndë largohen nga doktrinat e që është tipike shqiptare? Jo.  Ku qëndron problemi?

E PASHKRUARA DHE TELEPATIA

Asnjëri: as Ibrahim Rugova, as Sali Berisha, as Ukshin Hoti, as Rexhep Qosja (me librat e tij të Bashkimit) as më vonë Arbër Xhaferi (tek ky kemi problemin më të madh për të gjetur ndonjë filozofi personale) nuk mund të krahasohen me një tip lideri frymor të shembullit Józef Tischner. E para sepse ata nuk kishin koncept për realitetin human të terrenit shqiptar – domethënë bindjet e tyre nuk i kishin fituar si analizë të gjendjes së masave,  por si bindje personale që donin tua impononin masave  – dhe e dyta sepse edhe pasi të kemi lexuar çdo intervistë, çdo fjalim dhe çdo shkrim të personaliteteve të lartpërmendura nuk ia mveshim njeriut shqiptar dot akuzën të mos ketë kuptuar njërin apo tjetrin. E vetmja akuzë që mund ta lëshojmë në adresë të të «zakonshmit» është paaftësia telepatike. Shqiptarët ndoshta është dashtë të studiojnë psikanalizën para se të kërkojnë liri. Ndoshta këta të fundit kështu do ta kishin më lehtë të jetonin edhe me veprimet aq kontradiktore (ndaj vetë koncepteve që agjitonin) të figurave të përfolura.

NJERIU, AH NJERIU SHQIPTAR!

Njeriu shqiptar në asnjë moment të historisë së tij nuk ka qenë si qenie në epiqendër të elitave intelektuale shqiptare. Ai u ka shërbyer si mjet grupeve dhe elitave të realizojnë doktrinat e përvetësuara në të cilat kanë besuar se janë më të mirat për ardhmërinë e tyre. Pra jo në shërbim të njeriut po anasjelltas. Këtu ndoshta mund ta gjejmë përgjigjen që e shtruam në fillim: çka i jepet shqiptarit si koncept për betejën e radhës, si filozofi apo si besim  i qartë, që ai ta dijë  se pse sakrifikon jetën, veten; Asgjëhiç përveç urdhrit të paarsyetuar. Në stilin për komb e atdhe po lufton ça po donë më shumë? Jo, jo asnjëri nga idolët, intelektualët shqiptarë as në thonj nuk i afrohet ndonjë Józef Tischner-i, qoftë  edhe me ndonjë filozofi të gabuar për njeriun e tij, ama një transparente do ta kishte.

*Ky tekst është nxitur dhe inspiruar pas një „debati“ privat me mikun tim dhe gazetarin nga Prishtina Altin Ahmeti (nuk e kam kushëri!) rreth botëkuptimeve dhe veprës së Ibrahim Rugovës dhe atyre të politikanit Arbër Xhaferi.
NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.