Embrionet e vetëzhbërjes

ESE / Shqiptari ushqehet si turku, italiani; vishet si amerikani, francezi; shkruan e reflekton si gjermani, anglezi; beson si arabi, hebreu; dashuron si beduini dhe italiani; vetëm politikën e bën si donë vetë: për interesin personal, të fisit, klanit dhe të gjakut!

Shqiptarët nuk janë as etërit e as trashëgimtarët e ndonjë ideologjie, religjioni apo koncepti frymor që mund të lokalizohej brenda pluralitetit të botëkuptimeve që përbëjnë të ashtuquajturën kulturë universale të humanitetit. Gjithçka që janë ose pretendojnë të jenë e kanë të huazuar: krishterimin, humanizmin, myslimanizmin, ateizmin, demokracinë, komunizmin, nacionalizmin, kulturën e shprehjes intelektuale, kulturore, artistike, politike e kështu deri te moda e kuzhina. Në çdo moment vetëdijesimi me këtë realitet atyre sikur u ther veshi nga ulërima e Horacit: O imitatores, servum pecus! (Epistulae.1,19). Mirëpo kur u bie ndërmend se shumica e të mjerëve të globit kanë fatin identik, të atillë siç i pagëzon qortueshëm Horaci; imitues dhe të skllavëruar (ideologjish të huaja), gëzohen që gjetën recetën e vetëngushëllimit. Mllefin e mbetur në shpirt, poshtërimin e shkarkojnë mbi gjithë ata që nëpër histori ua kanë zënë me dashje apo pa të, diellin.

Diagnozën e shtruar lartë mbi momentin e vetëdijesimit, megjithatë nuk e shpallim dot si lex generalis të shoqërive shqiptare, janë minoritarët e elitës, të cilët herë pas herë monologojnë mbi këtë realitet të identitetit të tyre: Do prej tyre lehtësohen për shkak shkundjes së përgjegjësive historike nga vetja (nuk kanë shpik asgjë që u ka dëmtuar tjerëve) e pjesa dërrmuese e kësaj pakice depresionohet (me vetakuzën; «sa të parëndësishëm që jemi në konkurrencën e dijes mondane»).
Saherë që në mendimin intelektual identifikojmë këto dy gjendje – lehtësimin apo depresionin – se ç’na mundon përshtypja sikur reflektimet të kenë përherë për bazë dukuri singulare e jo tërësinë, domethënë ato kanë për pikënisje rezonimi kryesisht vetëm njërën apo tjetrën pjesë të identitetit të njeriut postmodern shqiptar. Nuk marrin parasysh komplet habitus-in e subjektit që hulumtojnë. E se habitusi i këtij njeriu postmodern nuk mund të përshkruhet vetëm duke bastisur eshtrat e gjyshërve të tij, por më shumë duke –siç kërkon Hannah Arendt me të drejtë – analizuar «se si vepron ai në përditshmërinë e tij kur është aktiv» e di ndërkohë çdo gjimnazist i zgjuar  (Arendt. Vita activa, 1960).

Elementet e identitetit aktual shqiptar

Religjionet: Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve janë të besimit islam. Atij religjioni të krijuar nga arabi Mohammed i fisit Quraisch të Mekës (sot Arabia saudite) diku në mes të viteve 610-620. Poashtu një komunitet në rishumim janë edhe ata të besimit të krishterë (të të gjitha varianteve), besimit të themeluar nga predikuesi shëtitës hebrenj Jeshua nga Nazareti dhe i përhapur në shekullin e parë të erës sonë nga trashëguesit e tij. Veçanërisht akademikët (pjesa me shkollim të lartë), njerëzit e kulturës dhe shumica e të arsimuarve me qëndrimet e tyre (a)religjioze (ateistë, shekullarë, racionalistë, gnostikë, antroposofë, manistë [sakralizimi i primatëve, heronjve, gjenezës], humanistë, etj.) kanë atomizuar religjionet klasike duke i detyruar në rolin e pakicave pa fuqinë e hegjemonitetit.

Kultura: Jo kotë kritikët letrarë Gjergj Fishtën e piedestalojnë  si «Homeri shqiptar». Ky kualifikim krahasues është i nxitur nga fakti se si për nga forma  ashtu edhe nga metoda «Lahuta e Malcisë» është kopje e «Iliadës» apo «Odisesë» së Homerit, epe të shkruara në greqishten e vjetër. Ashtu siç janë homeriadat (850 para e.s.) kopje të gilgameshianës (1800 para e.s.) dhe vedave (1500 – 1300 para e.s.) hinduiste.

Deri më tani ende nuk kemi zbuluar ndonjë artefakt apo dokument të lashtë e të sotëm që do të mundeshim çekanshëm ta vulosnim me signaturën «made in» shqiptare. Po multiplikuam rastin e Fishtës do kemi listën e plotë të të gjithë autorëve të gjallë dhe të vdekur shqiptarë. Që edhe shqiptari dikur vonë të niste të shkruante i duhej formimi me alfabetin dhe literaturën e tjerëve. Nëpërmjet literaturave krijojmë shenjat tona, kapitalin intelektual, të cilin – nëse besojmë Augustinin dhe Umberto Eco-n – e përçojmë poashtu nëpërmjet shenjave në kokën e tjerëve. Në fund matematika e argumenteve thotë se: vetëm akti i përçimit del i pastër, shqip, ndërsa origjina e shumicës së dijes (intelektuale) dhe përvojës s’qenka e shtëpisë, apo? Duhet të dëshpërohen shqiptarët pse qenka kështu. Assesi! Përkundrazi. Duhet të gëzohen që nuk janë viktimë vetëm e autogolave të tyre. Çka ata duhet ta mësojnë mirë është të dinë zgjuar ta bëjnë seleksionimin mundësisht sa më kualitativ e racional të asaj që iu ofrohet.

Pikërisht falë kësaj gëlltitjeje vullnetare të imponimeve intelektuale eksterne shqiptarët bashkëbisedojnë pa u skuqur, në nivel të syve, pa u turpëruar me botën e qytetëruar, asaj suprasfere që operon me bagazhin e të ashtuquajturës kulturë universale (konglomerat fragmentesh dijeje me origjinë nga gjithandej e nga çdokush). Në këtë formë ai edhe komunikueshëm përçon vetitë e tij specifike tek të tjerët.

Politika: Që nga përmbysja e perandorive (sidomos asaj osmane) e këtej, për bazë funksionimi sociopolitik shqiptarët e kanë përdorur ideologjinë (më shumë si ide dhe më pak si program i materializuar) e nacionalizmit patriarkal. Asaj ideologjie pra, që rezultoi si pjellë e Revolucionit Francez të sovranitetit të popujve. Po në stilin e gjermanëve të tipit Johann Gottfried Herder dhe Johann Gottlieb Fichte, ose atij italian Giuseppe Mazzini (doktrina – modele prijëse) e gjithë të tjerëve lartë, përreth e poshtë edhe intelektualët shqiptarë të shekullit 19 përveshën krahët për fabrikimin e miteve, legalizimin e gjuhës, përpilimin e historisë dhe konfigurimin e identitetit të popullit shqiptar. Në praktikë ky proces u bllokua deri atë ditë kur komentatori i RTP-së Llukman Halili zëtrumbetues shpalli të vdekur monizmin me fjalinë legjendare «Perandoria e kuqe ra!».

Etnonacionalistët kanë të drejtë kur ngulin këmbë se falë kësaj ideologjie – vullnetit për ta finalizuar projektin nacional – shqiptarët emocionalisht e psiqikisht nuk u çetnizuan dhe nuk u tjetërsuan nga joshjet  e doktrinës qiell- e tokëpremtuese të  gjermanit nga Trieri Karl Marks e as nga dominimi real politik i gjeorgjiasit Josef Wissarionowitsch Stalin. Kur kemi parasysh konvertimin aq automatik të shumicës së elitave shqiptare nga komunizmi në nacionalizëm, gjatë fillimit të viteve të 90-ta, detyrueshëm se i  bindemi kësaj teze.

Se pse sot kur shoqëritë shqiptare aq me frenetizëm e fanatikisht e kanë përqafuar idenë dhe sistemin e demokracisë liberale ende mbeten etnonacionalistë të spikatur i ka «fajet» politika që përbën shtetin, pra opozita, pozita, partitë. Ato faktorë përgjegjës që aktualisht e fatkeqësisht janë, siç i quan megaliberali francez (me prejardhje hebreje) Raymond Aron «embrionet e vetëshkatërrimit të demokracisë liberale» (Aron. Demokracia dhe totalitarizmi, Gallimard,1965, Fq. 119).

Përmbledhtas: Shqiptarët besojnë në religjione që i kanë themeluar arabët (po si ata edhe numërojnë), hebrenjtë, indët; besojnë në filozofira që i kanë formuluar të lashtët, gjermanët, francezët, amerikanët. Shqiptarët shkruajnë dhe reflektojnë sipas modeleve të gjetura në Uruk, Athinë, Paris, Trier e gjetiu. Shqiptarët e Maqedonisë hanë si turqit dhe egjiptianët, ata të Kosovës sapo kanë pasuruar kuzhinën me specialitete perëndimi, ata të Shqipërisë hanë çka gjejnë tokës e detit. Nuk ka studime se si dashurohen shqiptarët, mirëpo thonë se kryesisht dominojnë praktikat hajdutërishte si ato nëpër çadrat beduineske, ndërsa për nga intensiteti dhe ulërimat krahasohen me italianët (temperamenti).

Ndoshta këtu mund të lokalizojmë edhe arsyen se pse shqiptarët ( si shumicë dhe kur s’janë festat kombëtare) në thelb e thellësi janë më tolerantë (së paku për dallim nga komshinjtë) dhe zemërgjere ndaj të tjerëve. Freud duket se kishte të drejtë rreth pushtetit të pavetëdijes në veprimin social të njerëzve, pushtet që tek shqiptarët si duket paska madje më shumë ndikim se vetëdija (e instrumentalizuar). Për të mirë. Kjo si kapital në konto të kulturës, elitave dhe pse jo edhe të masave.

Ndërmjet nacionalizmit dhe liberalizmit

Jorrallë, sidomos nga historianë të huaj, lëshohet pyetja: Me gjithë këtë diversitet, në segmente të caktuara edhe konfliktuoz, çka i ka mbajtur shqiptarët megjithatë gjithmonë bashkë? Pikërisht kjo; diversiteti tepër fragmentar i ka detyruar elitat e tyre që të përvetësojnë një ideologji të karakterit kulmëbërës, përbashkues siç është nacionalizmi. Deri me shpalljen edhe të Kosovës shtet kjo ideologji ishte e nevojshme dhe pragmatike. Tash ajo kështu siç dominon – si politikë zyrtare operimi e interaksioni me masat -është vetëdemoluese për shoqëritë shqiptare. Kjo për arsye se nacionalizmi i bazuar në rrënjë, gjuhë e gjak, konsiderohet kontraproduktiv sa për tu përdorur si doktrinë shteti dhe se demokracia liberale kërkon implementimin e pakusht të të drejtave dhe lirive të njeriut, pra atij modeli shoqëror që filozofi i majtë francez Étienne Balibar në veprën e tij të fundit e definoi si «égaliberté» (La proposition de l’égaliberté. Puf. Paris 2010) e që shqip mund të formulohet në imperativin «pa barazi nuk ka liri». Barazi për të gjithë pa dallim race, mendje, gjaku, religjioni, gjuhe e gjyshërish.   Model që në fakt është po aq i vyeshëm për shqiptarët si dikur etnonacionalizmi, sepse ofron një kulm edhe për nevojat brendashqiptare, sepse aktualisht është forma e vetme organizative që garanton stabilitet brenda diversitetit me potencial konflikti. Dallimi esencial ndërmjet dy modeleve: përderisa nacionalizmi etnik kërkonte shpirtin, frymën dhe zemrën në funksion të kauzës (ideali i lirisë kombëtare), demokracia liberale donë veprimin konkret arendt-ian, racional sipas kushtetutës dhe ligjeve të shtetit, respektivisht shumicës që garanton égaliberté-n edhe për pakicat. Model që shqiptarët si shumicë edhe e kërkojnë (hyrja në BE etj.). Ku qëndron atëherë problemi? Pse shqiptari me qenien e tij aq mimikry-ke dhe konformiste në përvetësimin e të mirave të «huaja«- siç dëshmuam më lartë – e ka kaq problem që edhe politikën ta emancipojë si tjerët, madje si miqtë e dëshmuar të tij, ata dashamirë të tij që edhe e bën faktor dyshtetësh në kontinent?

E për ta shpjeguar këtë duhet t’iu kthehemi «embrioneve të vetëshkatërrimit» të Raymond Aron-it.

Demokracia dhe diversiteti

Demokracia, për dallim nga sistemet tjera politike, përmban më së tepërmi farat e vetëshkatërrimit në vete – kështu thotë Raymond Aron në veprën e tij „Les guerres en châines“ (Gallimard, Paris 1951, f. 318 Shq. Lufta permanente). Elementet që Aron i sheh si vetëshkatërruese për çdo demokraci liberale janë: Opozita që braktis parlamentin, përjashton sistemin ekzistues dhe bën lojën rrugëve duke sugjeruar se zgjidhja e vetme është përmbysja e dhunshme e klasës sunduese, pra dëbimi i të korruptuarve nëpërmjet revolucionit (po aty); Pozita e cila defaktorizon partitë tjera dhe lobet sociale duke i përjashtuar nga vendimmarrjet esenciale për vendin; Popullimi i burokracisë administrative me sivëllezër ideologjikë dhe në baza nepotiste, që çon në diskriminime masive të profesioneve (Demokracia dhe totalitarizmi, Fq. 119); Privilegjimi apo diskriminimi i grupeve të caktuara religjioze, sociale për kalkulime elektorale nga partia në pushtet (Lufta permanente, fq. 335); «Kultura» e rivaliteteve partiake në disfavor të institucioneve të shtetit (policisë, gjyqësisë, etj.) dhe; Legjitimimi i korrupsionit si formë efikase, e natyrshme (nuk e shporrim me ka krejt dot) e ekonomisë së tregut (Fq.119).

Këto janë embrionet kryesore raymondiane, të cilat  zhbëjnë demokracinë liberale. Cila prej këtyre defekteve iu mungon shoqërive shqiptare? Po themi se gjitha këto përfundime logjike që i radhit filozofi kryesor i liberalizmit aktual janë logjike dhe i dinë të gjithë. I dinë sepse i përjetojnë përditë. Atëherë le të dihet se si e përshkruan ai edhe procesin, manifestimin final të kësaj zhbërjeje: Qytetarët që kanë humbur besimin tek sistemi kërkojnë alternativa tjera. Religjionet, doktrinat kuazirevolucionare, sektet, lokalizmat, etnitë dhe grupe të llojllojshme shfrytëzojnë vakumin, mungesën e shtetit për të krijuar principatat e tyre të sundimit. Diversiteti, nga pasuria kulturore shndërrohet në dramë apokaliptike të vendit. Pasi rikthimi në sistemet pararendëse (komunizmi) është i pamundur, thotë Aron, – masat nuk do ripranonin kurrë një sistem të tillë – atëherë mbetet detyrë e organizatave supranacionale për hir të paqes apo interesave te momentit ta stabilizojnë hapësirën problematike. Si? Déjà-vu? Si do të kishin vepruar supranacionalët që ende e kanë njërën këmbë brenda territoreve shqiptare? Pyetje për analizë!

Ndoshta është momenti i fundit, kur shqiptarët të vendosin jo vetëm të hanë, flejnë, defilojnë e këndojnë por edhe politikën ta bëjnë si  të tjerët, si miqtë. 

albaner.fw

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.