(In)konsistenca e intelektit

Intelektualët, gazetarët, autorët, publicistët asnjëherë nuk mund të akuzohen për inkonsistencë. Pse? Sepse janë mendje aktive. Historia e një keqkuptimi.

[dropcap]«Dhe[/dropcap] Feridi faqen ndërron dje shante…sot lëvdon». Këtë varg nolian për Konicën e lexojmë saherë kur dikush donë të vë në dukje inkonsistencën e ndonjë publicisti, politikani, autori apo gazetari. Ky tanimë slogan përdoret për të përshkruar; labilët, njerëzit karakterllastiktë, kameleonë, etj. Njëlloj denoncimi që – shikuar më thellë – nuk është i atypëratyshëm, por ka traditë, ai ka rrënjë në mentalitetin dhe biografinë shqiptare dhe tek të gjithë të tjerët me qëndrim ambivalent ndaj ekzistencës së evoluimit (si zhvillim, pasurim).

«O me ty jam burrë, ki të drejtë ama nuk guxoj se ia kam dhënë besën atij», i thotë Hyseni Jakupit. Çka kuptojmë nga ky dialog. Hyseni ia ka dhënë dikujt besën për diçka. Shkon tek Jakupi dhe ky e fundit e bind me argumente se puna, realiteti qëndron ndryshe. Hyseni bindet, mirëpo ka bërë peng veten sepse ka dhënë besën dhe: «Burri nuk e ndërron fjalën». Ky tip dialogu edhe pse arkaik për nga origjina është ende konsiderueshëm në përdorim. Edhe gjenerata e fundit është rritur me përrallat rreth legjendaritetit të besës e lere më të moshuarit.

Prezent është madje edhe në polemika interintelektuale. Reagimet e tipit: «dje tha kështu e sot thotë ndryshe, është inkonsistent. Nuk e mban fjalën!», kanë burimin po në këtë mendësi. Fjalën ndaj kujt është dashur ta mbajë i kundërshtuari? Ndaj opinionit? Jo konkretisht. Mirëpo të tjerët e kanë perceptuar asisoj.

Para se të zhytemi edhe më thellë në temë të shohim se ç’ është konsistenca? Cili është raporti i saj me intelektin dhe bartësin e saj. Sa kompatibël është mentaliteti i besës me nivelin aktual arsimor, i cili pretendon gjithçka të jetë relative?

Konsistenca

Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (Toena, 2002) Konsistenca nuk figuron as si emër as si folje. Në njërin prej fjalorëve gjermanisht – shqip (Langenscheidts, 2000) e gjejmë të përkthyer si përmbajtje (?!). Në fjalorin latinisht (burimor) folja consistere (< consistens) shpjegohet si «diçka me përbërje të qëndrueshme». Në fjalorët aktual të atyre 10-11 gjuhëve që i kuptojmë dhe në ato 5-6 me të cilat operojmë konsistenca kryesisht përshkruhet si: «gjendje, veti, natyrë pa kundërshti», diçka stringente pra. Varësisht nga perspektiva shkencore me të përshkruhen; betoni, procesi numerik në matematikë, ligjet natyrore e të ngjashme.

Konform natyrës së temës sonë, e cila më tepër është filozofike, antropologjike dhe etike ne na intereson se si trajtohet konsistenca në këto fusha të dijes. Përderisa në shkencat natyrore ekziston një traditë e pasur teorike (Newcomb, Haider, Read, etj.) mbi konsistencën kognitive, në shkencat humane – me përjashtim të teorive religjioze të cilat doktrinat e tyre i proklamojnë si «etika konsistente të jetës», pra morale njëherë të shkruara e përgjithmonë të padiskutueshme – nuk ka asnjë teori të vetme që do të trajtonte konsistencën në raport me frymën, intelektin dhe etikën humane.

Në edicionin më të ri Brockhaus (2009) për filozofi përkthimi nga latinishtja i bëhet në këtë mënyrë: «still stehen» [s’lëviz], «dicht werden» [hermetizohet]. Pason zbërthimi: «Një teori konsiderohet atëherë konsistente, nëse shuma e fjalive nga të cilat përbëhet nuk përmbajnë kundërshti (antagonizma, kundërthënie)». Kaq. Në asnjë fjalor apo leksikon të etikës, filozofisë, letërsisë, kulturologjisë (në gjuhët e Mainstreamit) nuk gjen më shumë e në shumicën prej tyre asgjë. Konkretisht: konsistente qenka një ide, mendim, opinionin, doktrinë që ka karakter të përhershëm, të pakundërshtueshëm.

Intelekti

«Grekët» e vjetër me nous nënkuptonin aftësinë, instancën humane për të njohur gjërat nëpërmjet frymës, mendjes. Ky definim i parasokratëve, Aristotelit dhe Platonit mbizotëron deri në epokën e skolastikëve të mesjetës, të cilët dolën me definimin intellectus agens (mendje aktive). Gjë që edhe nous –i aristotelian përmban në vete, pasi kemi të bëjmë jo me një proces statik por dinamik; fryma patjetër të jetë aktive për ta kapë «formën» që ta njoh objektin. Me intellectus agens, mirëpo nuk lidhet vetëm ky zgjerim definimi, por një doktrinë e caktuar, e cila përpiqej të përdor filozofinë aristoteliane për të dëshmuar aftësinë e njeriut për ta njohur Zotin vetëm nëpërmjet frymës. Metodë, të cilën shumë më herët e kishin instrumentalizuar edhe filozofët islamë. Në këtë vijë duhet ta kuptojmë ulërimën e Descartes-it «cogito, ergo sum» (mendoj, pra jam) dhe intelligibel-in e Kantit si pledoaje kundër përvojës empirike, racionales.

Sot madje edhe religjionet – që më së shumti përfitojnë nga përjashtimi i përvojës konkrete nëpërmjet shqisave – kanë kuptuar se parafytyrimi, perceptimi, imagjinata dhe përvoja formësohen jo nga komunikimi me ndonjë mjegull hyjnore e formënjeriu, por determinohen nga rrethanat sociale, kulturore, gjuhësore, domethënë nga faktorë konkretë e aktivë që programojnë qenien humane. Në lidhje me këtë tashmë ekzistojnë mijëra teori. Edhe studimi i fundit dhe famëzhurmshëm i profesorëve të mjekësisë gjenetike, fizikës dhe sociologjisë Nicholas A. Christakis dhe James Fowler (Connected: The Surprising Power of Our Social Networks, 2011) të cilët më shumë se 30 vite analizuan sjelljet e 12 mijë banorëve të qytetit Framingham të Massachusetts-it, dëshmoi bindshëm se intelekti i është nënshtruar një «infektimi» permanent social e kulturor. Faciti i këtij studimi është logjik: Sa më shumë arsimim, informata, dije aq më shumë pluralitet, alternativa e konfuzitet për intelektin human (asocioni këtë me luftën e religjioneve kundër përhapjes dhe përkthimit të librit; me censurën komuniste dhe të ngjashme). Finalja: Intelekti është i detyruar që të fekondoje dijen me arsyen për ta zgjedhur alternativën që i përshtatet. Nuk ka rrugëdalje tjetër. Dhe ja ku e kemi mendjen aktive dhe të lirë të njeriut pasmodern!

Rezistenca

Edhe pa shëtitjen tonë nëpër gjitha këto teori e dimë se jetojmë në një epokë informacioni agresiv, i cili sfidon qenien humane në çdo moment kur ai të hapë sytë. Duke folur në këtë kontekst, gjatë një bisedë me dy filozofët dhe gazetarët francezë Charlotte Pineau dhe Mertin Legros (Në Louvre, Janar 2013) i urti nga Piemonti Umberto Eco tha se edhe «gjuha është një revolucion permanent». Ne themi se vetë njeriu, qoftë nga pamja apo brendia e tij, gjendet në një revolucion permanent.

Mjeshtëria e intelektit të njeriut pasmodern nuk përbëhet nga refuzimi (i pamundur) por nga seleksionimi ose disponimi me një dije që ofron mekanizmin e një updat-i pa viruse e trojanë. I arsimuari i sotëm – për të mbetur në rrjedha të kohës – është i detyruar vazhdimisht të vë në përdorim arsyen dhe nëpërmjet saj të marrë qëndrimin për një problem a dukuri të caktuar. Probleme, fenomene dhe zhvillimeve që shfaqen në jetën shoqërore, në përditshmëri dhe të cilat veç pas ekzistencës së tyre i kapim, i arsyetojmë, i luftojmë ose i përdorim për ta kuptuar botën ndryshe se ç’e kemi kuptuar deri dje.

Ose ekziston edhe një armë tjetër rezistimi që vë mendjen aktive në «stand by»- modus: Injorimi qëllimshëm i realiteteve dhe Injoranca! E këto dy të fundit janë dashnore të përbetuara të konsistencës. Pse?

Raste konkrete shqiptare

Pas shembjes së Jugosllavisë shumë njerëz publikë mutuan në demokratë të orëve të para dhe u bënë aktivistët më aktivë të pluralizmit, liberalizimit. Përkundër kësaj metamorfoze ata edhe sot pas më shumë se njëzet viteve akuzohen si komunistë jugosllavë. Madje edhe fëmijët e tyre denoncohen si të tillë. Pas hapjes së Shqipërisë shumë shqiptarë (të të gjitha hapësirave) të cilët enverizmin e kishin besuar me dekada gati si religjion e braktisën atë, duke e dënuar në mënyrat ma drastike që ekzistojnë. Megjithëkëtë të «kthjelluarit» për shumicën vazhdojnë të mbeten enveristë dhe çdo lëvizje e tyre në drejtim të kundërt kualifikohet si taktikë, pozë e tij për tu dukur më «katolik se papa». Ka njerëz që deri dje kanë qenë ateistë agresivë (për nga veprimi konkret social)e sot janë shndërruar në predikuesit më fanatikë të njërit apo tjetrit religjion. Edhe këta vërdallen me të njëjtat etiketa biografike në ballë.

Edhe më konkretisht

X mbaron medresenë në Shkup. Studion në Damask teologjinë islame. Për studime pasdiplomike vjen në Evropën perëndimore. Në një seminar të Historisë së Kulturës, ku trajtohen dokumentet kryesore të shkruara të trashëgimisë humane, nga kureshtja (dhe sepse nuk i ka njohë krahasueshëm) kërkon që të shkruajë një studim krahasues për Epin e Gilgameshit, Biblën dhe Kuranin. Pas disa muajve e takojmë të depresionuar, të parruar dhe përtokë në një restorant të Bernës. Ç’u bë? «Varka e Noas», tha dhe «ajo ma ka tollovit botën». X konstaton shkronjë për shkronje sagat, ligjet dhe format identike në tre dokumentet e përmendura dhe ka rënë në hall të kuptojë se kush ka qenë më parë në botë; veza apo pula! Pas një ekskursioni nëpër evangjelizëm, marksizëm, nihilizëm ai para do muajsh u doktorua në antropologjinë sociale. Familja e tij është më se e zhgënjyer. Rrethi e quan viktimë të djallit. Evangjelistët e konsiderojnë labil, inkonsistent. Marksistët shpresojnë që tu kthehet prapë, ndërsa ai vazhdon të lexojë e studiojë si i çmendur!

Intelekti në stand by modus

Sa kemi të drejtë ta gjykojmë si inkonsistencë ish komunistin jugosllav; ateistin e shndërruar në fetar; X e çliruar nga doktrinat e mëhershme; enveristin (si individ) e transformuar në pluralist, demokrat e kështu me radhë? Parasëgjithash nga vjen kjo mendësi, kjo liri gjykimi aq e përhapur?

Patriarkët dhe njerëzit me shkallë të ulët arsimimi domosdo të bien në kurthin e besës së atypëratyshme dhe çdo ndryshim ta perceptojnë si tradhti, faqendrrim, apo moral labil. Kjo mirëpo nuk iu lejohet atyre që e kanë ndonjë rol në krijimin e kulturës sociale. Numri i atyre pedagogëve, «intelektualëve», profesorëve, politikanëve, publicistëve të cilët që nga dita e diplomimit nuk kanë marrë kurrë më libër në dorë duhet të jetë tmerrësisht i madh. Intelekti që është aktiv vetëm deri në një moment të caktuar dhe pastaj pushon së konsumuari, duke riprodhuar kapitalin e dijes së fituar ndoshta edhe dekada më parë jo se është i demoduar por ai është edhe dijebllokues për shoqërinë. Është sugjerim i hapur për betonim të mendjes.  

Betoni është konsistent

Po shohim se mendja aktive dhe konsistenca nuk shkojnë bashkë. Përkundrazi ato janë në armiqësi me njëra tjetrën. Ta marrim një shembull krejt banal e të kapshëm: Nëse një publicist apo gazetar (kjo është shtresa profesionale, të cilën më së paku kemi të drejtë ta vëmë në relacion me konsistencën, kur kemi parasysh hulumtimin e tyre të përditshëm) dje ka shkruar, ta zëmë «Sali Berisha ishte lideri i demokracisë shqiptare» dhe sot thotë të kundërtën «Sali Berisha është bllokuesi i demokracisë së njëmendtë shqiptare», nuk mund ta vulosim si inkonsistent, por duhet automatikisht të kuptojmë se autori në fjalë ka lexuar studime të reja, ka studiuar e analizuar ndërkohë historinë e zhvillimeve politike të Shqipërisë postdiktatoriale dhe ka krijuar përvojë të re argumentesh në kontekst me presidentin shqiptar. Vetë fakti se ai është transparent në qëndrimin e tij tregon se ka ndryshuar mendim. Domethënë ka mendje aktive. E drejta jonë nuk është të gjykojmë moralin e publicistit por të peshojmë argumentet e reja që atë e sjellin në një qëndrim ndryshe nga ai që ne e mbajmë mend nga biografia publicistike e tij.

Pra nëse vëreni se në këtë ese ka reflektime që bien ndesh me ato të ndonjë shkrimi të djeshëm mos u brengosni të më ketë kapluar inkonsistenca, labiliteti, por gëzohuni me faktin se në trurin tim ende qarkullon gjaku. Mendoj, mësoj, zhvillohem, jam pra!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.