Sezoni i falangave

REPORTAZHË/ Jo vetëm shteti dhe huliganët kërcënojnë popullatën shqiptare të Maqedonisë, por edhe ato parti që u kërkojnë vota për t’i «mbrojtur». Në bllokun tjetër etnik nuk është ndryshe: edhe ata dridhen sa herë që nis sezoni i zgjedhjeve. Të dyja palët me të njëjtën porosi: në Maqedoni nuk ka zgjedhje të lira! Me këtë as demokraci.

Shkup – Gostivar, mars 2013 – Të gjithë kanë frikë. Të rrallë janë ata që marrin guximin të flasin. «Ata vijnë kryesisht vonë në mbrëmje», thotë Dashmiri për të «dërguarit», që trokasin nga dera në derë për të bindur popullatën që të votojë për këtë apo atë parti shqiptare në Maqedoni. «Në fillim të përmendin gjithë “të mirat” që i kanë bërë për ty, atdheun, kombin. Nëse shohin se nuk ta mbushin mendjen, fillimisht tërthorazi e në fund edhe drejtë kërcënohen», e plotëson Dashmirin Vehapi* taksisti, të cilit njerëzit e kryetarit të komunës iu paskan kërcënuar se do t’ia marrin lejen e punës nëse vazhdon të «agjitojë» për PDSH-në. «Një udhëtar do t’i kishte harruar pamfletet e partisë mbrapa dhe unë nuk i kisha parë», arsyetohet taksisti të mos ketë lidhje me asnjërën nga partitë.

 

Fatmir Bilalli, njëri nga aktivistët e PDSH-së në Çegran na tregon madje edhe familjet shumanëtarëshe se ku kanë qenë mbrëmë «falangat» e BDI-së për t’i kërcënuar. Ai pohon se ky sistem «rekrutimi» në Maqedoni ka traditë. Natyrisht duke u përbetuar se një formë të tillë manipulimi partia e tij nuk do ta përdorte kurrë.

Të njëjtat rrëfime i dëgjojmë edhe në anën përballë Pollogut, në Dobërdoll: «Aa tashmë mendtë do të na nxjerrin. Këtyre që kanë vende pune ua dërgojnë vetëm nga një letër “dashamirëse” duke i “rikujtuar” se si duhet të votojnë, ndërsa tjerët i «vizitojnë» në kohë e pakohë», thotë njëri nga mësuesit e fshatit që as emrin s’donë t’ia përmendim. Me arsye. Disa nga kolegët e tij, të cilët në vendbanimet tjera të Pollogut, kanë protestuar kundër metodave të partive, menjëherë pas zgjedhjeve kanë mbetur pa punë. Dhe jo vetëm ata. «Nuk futesh vetëm ti në listën e zezë, por edhe vajza, djali, nusja, halla» është i bindur për atë që thotë Fatmir Bilalli.

«SHQIPTARËT – JANË KOT»

Në një shtyllë masive betoni, në hyrje të stacionit hekurudhor qëndrojnë dy grafitë: Lartë «Rrofshin branitellat e Maqedonisë», poshtë me karaktere më të zbehta është shkruar emri i shefit të BDI-së «Ali Ahmeti». Shoqëruesi jonë Marko sapo sheh njeriun që pritnim na tërheq edhe njëherë vërejtjen «keni kujdes që mos të kuptoj ky se në mesin tonë ka ndonjë shqiptar. Është prej atyre…» sinjalizon maqedonasi i ri i një OJQ –je zvicerane. Zvezde Jovanovski* pa përshëndetur na tregon me gisht se në cilën kafene mund të bisedojmë. Ende pa u ulur mirë «unë jam patriot» na vë dijeni bashkëbiseduesi. Para një viti juristi nga Velesi e braktis VMRO-në, sepse partia «ka kaluar në duar të fisit dhe klanit të Gruevskit, të cilët me korrupsion kanë përvetësuar gjithçka». Jovanovski nuk donë që një ditë të gjendet para gjyqit pa bërë gjë. Kolegu jonë zviceran e pyet për akuzat e një kanali televiziv gjatë zgjedhjeve të kaluara. Kanali në fjalë publikoi letra, ndër të cilat edhe kërcënuese, të dërguara nga shtabi zgjedhor i Gruevskit drejtuar punonjësve të administratës që të votojnë për VMRO-në. «Asgjë e pazakonshme. Po ata gazetarët kishin të drejtë. Letrat ishin origjinale», konfirmon ish pjesëtari i shtabit zgjedhor. Ai na rrëfen edhe për metoda tjera të ngjashme me ato që i mësuam vendbanimeve të etnisë tjetër. Edhe vetë ka qenë pjesëmarrës në «vizita» ku i ka ardhur keq nga dridhja dhe frika e familjarëve maqedonas. «Po shqiptarët, sillen edhe ata kështu?» e pyesim ne. Duke u shtrirë më lirshëm dhe plot cinizëm: «Askush nuk merret me ta. Le ta çajnë kokën ndër veti. Janë të parëndësishëm. Gruevski na thoshte “pritni sa ta finalizojmë agjendën me BE, pastaj e shihni se ku e kanë vendin”. Nuk ia vlen të merremi me ta. Nuk janë faktor këtu. Janë primitivë. Janë kot.» Marko çon shpatullat dhe vetullat. E kuptuam më në fund se çka donte të thotë përkthyesi me «është prej atyre…».

PLURALIZMI PA DEMOKRACI

Nuk bëmë siç kërkojnë rregullat e profesionit tonë. Nuk biseduam as me qeverinë e as me zëdhënësit e partive. Jo sepse nuk deshëm, porse i dimë përgjigjet paraprakisht: secila prej tyre mohon të ushtrojë presione të tilla ndaj qytetarëve dhe sjell argumente bindëse që atë praktikë e kanë partitë tjera. Kështu që tashmë argumentet janë publike për të gjithë: në Maqedoni ende nuk ka zgjedhje të lira dhe demokratike! 

As emisarët e huaj që veprojnë në këtë shtet e që i kontaktuam nuk duan të flasin hapur për këtë çështje. Disa na flisnin se implementimi i demokracisë është «proces i gjatë e s’duhet të ngutemi» e tjerët na sugjeronin të shikojmë më shumë «anët pozitive që vendit i ka sjellë demokratizimi». Disi ata nuk kuptonin hallin dhe pyetjet tona. Nëse në Maqedoni janë të pamundshme zgjedhjet e lira, atëherë procesi i demokratizimit as që paska nisë atje!

(Teksti është botuar në „ZËRI“ (Prishtinë, 15.03.2013)

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.