Feja dhe politika në Maqedoni

KOLLUMNA / Tendenca për ta çuar flamurin fetar mbi atë kombëtar rrezikon që perëndimi ta legalizojë luftën e Gruevskit kundër «terrorizmit islam». Një popullatë në mëshirën e fatit!

Nëpërmjet tendencave dhe dukurive matet (mos)suksesi i elitave politike të një shoqërie. Në vise të caktuara të Maqedonisë shqiptare (Shkup, Kumanovë, Pollog) ndjenja islame ka degraduar dhe sekundarizuar atë qytetaren dhe kombëtaren. Nga njëra anë kjo ka të bëjë me imitimin e «armikut» (shumicës që instrumentalizon fenë për politikë) dhe nga ana tjetër ndikimin tejmase të Turqisë (nëpërmjet biznesit, shkollave dhe politikës) dhe vendeve arabe (shumica e imamëve nëpër Maqedoni janë shkolluar në vendet arabe). Si zakonisht njeriu kërkon ndihmën larg e shkretëtirave atëherë kur ka humbur shpresat «në shtëpi». Një masë e lënë në mëshirën e fatit dhe rastësisë nuk ka tjetër shteg përpos të zhytet ujërave irracionalë. Pse irracionalë? Jo për shkak të islamit  – nuk jemi duke gjykuar fenë këtu, të cilën çdo njeri e ka të drejtë themelore – por për shkak të realpolitikës globalisht e në rajon. Shqiptarët e Maqedonisë as vetë nuk ma merr mendja se besojnë se po involvuan religjionin në politikë do të përkrahen nga politika kontinentale, perëndimore për të drejtat e tyre. Kjo do t’i sillte ata në pozitën sandviç të Serbisë, e cila donë të lidhet me Rusinë – e cila vetëm verbalisht nxit – mirëpo nuk ekziston dot pa Evropën në të cilën gjendet. Nuk i duhet shumë shkollë njeriut fetar që të kuptojë se Ankaraja, Damasku apo Riadi instrumentalizojnë rëndë besimin për qëllimet e tyre konkrete ekspansioniste, politike (para vjen xhamia, pastaj fabrika, pastaj kolegjet e në fund diktati). Metodë të cilët me vonesë arabët dhe turqit e kanë mësuar nga misionet eurocentrike të krishtera në epokat që lamë pas. 
Brenda kësaj drame ata retardojnë edhe procesin e integrimit të tyre në hapësirën kulturore shqiptare dhe radikalizojnë luftën dhe armiqësinë ndaj atyre me të cilët janë të detyruar të koekzistojnë – qoftë si bashkëqytetarë apo fqinjë.

2.

Nëpërmjet këtij problemi kapital shohim efektin e punës së partive ekzistuese. Kjo situatë nuk dominonte në periudhën e parë të transicionit të viteve 1990 – 1998 (shqiptarët e Maqedonisë gjithmonë kanë qenë më fetarë se tjerët). Përkundrazi. Tek shumica e besimtarëve feja shërbente si një azil, si një ikje nga dhuna dhe diktati shtetëror e jo si mjet luftarak për të fituar pushtetin apo për të urryer tjerët. Nuk e di se si flasin pleqtë e sotëm, por në kohën e komunizmit ata gjithandej, në oda e nëpër kafene ligjëronin filozofinë: «fetë tona vetëm një lëkurë qepe i ndan nga njëra tjetra» (burimi abarahamit i religjioneve). Dhe se problemi «jonë nuk ka të bëjë me fenë por me ata që na urrejnë si shqiptarë». Nëse u kundërshtoje duke thënë se jo «këta» por turqit, arabët i kemi më afër, atëherë me nervozë ta kthenin «ku festohet Tita si pejgamber? Ku shkuan të deportuarit me dhunë viteve të 60-ta nga këto vise». Domosdo asocioje me konferencat pompoze të të painkuadruarve që udhëhiqnin Naseri, Tito dhe shumica e primatëve arabë. Si dhe me rolin e Turqisë (Kontrata ende është valide) në deportimin masiv të shqiptarëve nga Maqedonia. Kjo traditë reflektimi dhe mendimi si duket ka vdekur me vdekjen e atyre pleqve që deri viteve të 70-ta kishin jetuar goli-otokëve ose u masakruan maleve të Sharrit e Karadakut.  

3.
Askush nuk ka të drejtë të akuzojë shqiptarët e Maqedonisë për fetarizmin e tyre. Fenë ata e konsiderojnë si pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre. Kjo mund t’i zhgënjej botëkuptimet tona mirëpo s’na jep të drejtën të mos i respektojmë. Është e drejtë e tyre supreme njerëzore të besojnë dhe praktikojnë çka të duan. Më së paku ka të drejtë Ali Ahmeti t’i tall para mikrofonave, sidomos kur kihet parasysh kapaciteti i tij prej një ateisti dhe protomarksisti gjysmë të shkolluar që tradhtoi çdo ideal qytetar, njerëzor dhe kulturor të shqiptarëve.
Madje liderët e partive do të kishin fituar shumë më shumë nëse bëhen transparentë dhe në vend të ndërsimit të masave (duke i lodhur deri në vegjetim apo fanatizëm dëmprurës) kundër njëri tjetrit të sqaronin ata me realitetin që mbizotëron e jo t’i lënë në duart e atyre që sa herë kris hapin çadrat shkretëtirave dhe pinë çaj.
Shqiptarët e Maqedonisë duhet sqaruar se po çuan flamurin fetar mbi atë kombëtar jo se nuk do të ndihmohen as nga turq e as nga arab (vetë të shkretë), por ata do të detyrojnë Evropën dhe tjerët ta përkrahin Gruevskin në «luftën e tij kundër terrorizmit islam». Edhe më e keqja: do të ndahen edhe për 100 vjet tjera nga Kosova dhe Shqipëria.

fete maqedoni.fw_bearbeitet-1

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.