Asketët e vetëmohimit

Çka e lidh KEK-un me Isa Boletinin? Për ç’ arsye klasa politike operon me histori? Vetëmohimi si strategji konstruktimi kategorish sociale që në realitet nuk ekzistojnë.

«Jam nip i Isa Boletinit» dhe po me të njëjtën frymë një protestues tha: «nuk përgjigjem për të bëmat e prindërve të mi». Këto dy fjali linçuese për logjikën dhe arsyen janë pjesë e një polemike ndërmjet një politikani dhe një aktivisti të ri të shoqërisë civile. Politikani akuzoi aktivistin të jetë bir i «një inspektori të sigurimit ish jugosllav» që paska torturuar atë gjatë hetimeve. Aktivisti për të dëshmuar se nuk ecë gjurmëve të prindit ftoi në asistencë gjenealogjinë ku paska identifikuar një fije që e lidhë atë – për nga nëna – me luftarakun rilindës Isa Boletini.Diskutohej aty për «Rolin e shqiptarëve në kohën e ish-Jugosllavisë» apo për «Jetën dhe veprën e Isa Boletinit me shokë»? Jo. Temë debati ishte KEK-u tashmë famëpërdhosur. 
Skena është karakteristike sepse nuk ekspozon vetëm një moment të rastësishëm të diskursit, ajo shpalos rrënjët dhe efektin e një dyluftimi që e bëjnë mes veti kategoria e «meritorëve» dhe ajo e «kollaboratorëve». Dy grupe patogjene dhe masive që pengojnë diskurset eventuale në favor të progresit shoqëror.

«MERITORËT» DHE «KOLLABORATORËT»

Politikani dhe aktivisti edhepse i kanë akuzat dhe pledoajetë verbale të fiksuara në një problem aktual, reflektimi i tyre ua dekonspiron frymën, mentalitetin dhe kompleksin psikosocial nga i cili vuajnë. Politikani u përpoq që nëpërmjet një episode të biografisë së tij të konstruktojë paraprakisht mburojën në stilin: «mos më akuzo se i bëj dëm Kosovës sepse kam qenë i burgosur politik». Si reagim tjetri: «mos vë në dyshim veprimin tim patriotik se jam stërnip i Isa Boletinit». E KEK-u, faturat? Akutshmëria e problemit të KEK-ut përdoret këtu vetëm si sirenë që fton dy polet e armiqësuara politike në përballje frontale. Konflikti s’ka të bëjë me faturat, por ai është i thellë, ai shpërthen nga sfera e tij subkutane saherë që mundet dhe eksternalizon luftën që zhvillohet çdo ditë ndërmjet dy «kastave» specifike. «Meritorët» besojnë se janë bërësit e lirisë kosovare për dallim nga «kollaboratorët», të cilët nuk paskan marrë pjesë ose paskan penguar këtë proces. Përderisa të parët – duke përdorur edhe mekanizmat e shtetit dhe institucionet e varura prej tij – vetë kategorizohen si «meritorë», të dytët diskriminohen, ngushtohen dhe etiketohen nga të parët si të tillë. Nga kjo pozitë defensive dhe me armët e njëjta (si etiketuesit) «kollaboratorët» nuk bindin se s’janë të tillë.

NË IKJE NA VETJA

Në konfrontim e sipër revanshi bëhet tragjikomik: Të dyja palët nuk argumentojnë, ato shpifin realitete në të cilat as si aksidente të një anomalie temporale nuk mund t’i imagjinojmë. Absurdi është i neveritshëm sepse akterët përdhunojnë dhe përvetësojnë kujtesën kolektive, instrumentalizojnë origjinën biologjike (aspak domethënëse) në favor të performancës personale. Lloj komunikimi mirëpo që perceptohet krejt ndryshe nga ai se si e shpresojnë adresuesit: Frazat si «Nga nëna jam stërnip i Skënderbeut…» ose «Kur isha i ri…kam luftuar për …» nuk sjellin utilitetin e synuar por rezultojnë kualifikime si: protagonisti nuk duron statusin aktual shoqëror, tenton t’i ikë përgjegjësisë për atë që bën ose përfaqëson. Ose personi ka probleme me origjinën e tij dhe vuan nga kompleksi i rehabilitimit dhe bën çmos të ngadhënjejë mbi realitetin dhe kohën.

ANATOMIA E KATEGORIVE

Në grupin e «meritorëve» rreshtohen ish të burgosurit politikë dhe pjesëmarrësit e luftës së fundit bashkë me fiset e tyre. Në atë të «kollaboratorëve» bëjnë pjesë në krye ata që kanë pasur funksione në sistemin ish-jugosllav, gjithë ata që nuk kanë qenë në burgje, ata që nuk kanë luftuar ose që s’kanë pasur mundësi ose vullnet të fotografohen me uniformë të UÇK-së. Kjo taksonomi na sugjerohet nga prijësit e dy taborëve.

Në njërën anë kemi tipin e shqiptarit që në vend të Titos besonte Enverin, luftonte e u burgos për të drejtat etnike, kombëtare dhe në anën tjetër kemi shqiptarin që lavdëronte Titon shante Enverin për të mbajtur gjallë familjen, kulturën dhe identitetin kombëtar. Përderisa luftëtari ishte zhyt në ndonjë gropë dhe mezi priste t’ia kapin sytë ndonjë kokardë, të tjerët me fëmijë që qanin në shpinë e krah, pa bukë shtyheshin me kondakë që të përfundojnë sa më shpejtë luadheve, xhamive, çadrave të Maqedonisë, Shqipërisë, dhe Malit të Zi.

Ky krahasim i sapobërë na thotë se në thelb që të dyja kategoritë kanë bërë luftën e njëjte nga pozita të ndryshme. Vetëm metoda praktike dhe ideologjike dallon. Ideologjitë, që të dyja ishin në praktikë çnjerëzore dhe as si lecka nuk iu nevojitën kosovarëve për ta bërë shtetin. Ato që kontribuuan për ditën e bombës së parë të NATO-s ishin; i burgosuri që sensibilizoi masat për padrejtësinë dhe përkatësinë, duke viktimizuar vetën burgjeve; mësuesi që shkollonte masat; oportunistët që duke viktimizuar veten me nënshtrimin ndërtuan shkollat, universitetet, ruajtën gjuhën dhe identitetin dhe përgatitën Kosovën (edhe pse me defekte) për të qenë e pjekur për ta shtetëzuar veten.

Po shohim se matematika historike na thotë se kategorizimi në fjalë është i shpifur. Asnjëra palë nuk ka të drejtë në privilegje ose anasjelltas. Për çka bëhet fjalë atëherë?

SUGJERIMET IRRELEVANTE

Bëhet fjalë për pak njerëz dhe konkret (sot në pushtet) që manipulojnë duke sugjeruar se kanë qenë faktorët kryesorë që kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Deklarata e atij «politikanit» të ketë qenë i torturuar nga «inspektori» është personale dhe pa asnjë relevancë shoqërore. Manipuluese sepse nuk e njohim rastin. Çka nëse dikur pasi t’ia kemi grabitur dosjet Serbisë na del se politikani ka denoncuar jo vetëm organizatën por gjithë katundin e inspektori e ka alivanos me shpulla që mos të flas më, kështu duke shpëtuar një numër të madh njerëzish? Garanci nuk ka. Ata që qoftë si titistë apo enveristë kanë bërë dëme të peshës së krimit kapital janë fatmirësisht aq pak dhe të sëmurë saqë edhe rehabilitimi do t’i vriste.

Jo pa asnjë arsye në demokracitë e konsoliduara personi vetëm atëherë perceptohet si relevant kur dëshmon autonominë, pra thotë «unë jam X dhe protestoj kundër Y»  e jo «jam biri i babait tim dhe protestoj për faturat e fryra të gjyshes sime». Këto s’janë argumente që të autorizojnë të harbohesh me kërkesën që të ndjekin masat. Ashtu siç janë hiperbanale deklaratat «unë kam qenë …» duke suspenduar qëllimisht si-në, pse-në dhe finalen e atij episodi.

Po KEK-u, fatura e fryrë e gjyshes? Presim që të bëhen histori se vetëm ashtu dimë t’i trajtojmë. 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.