Doktori

70499berisha tek opinioniPSIKOGRAFI PRIMATËSH (I)Kemi vendosur që nga «distanca» t’i analizojmë primatët shqiptarë. Kur themi primatë nuk mendojmë në evolucionin, biologjinë apo gjenetikën, por e kemi fjalën për primus-ët: për ata që udhëheqin shtetet, partitë, organizatat shqiptare, personalitetet me ndikim publik dhe gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër vendosin ose ndikojnë ne jetën tonë të përditshme.

Qëllimi nuk është që t’i zhveshim ata para opinionit. Qysh si parafytyrim do të na irritonte një ide e tillë. Më shumë duam t’i afrohemi një portreti objektiv. Ndoshta i kuptojmë më mirë. Ia nisim me më të moshuarin: Sali Berishën, «Doktorin» – siç e quajnë miqtë dhe e ironizojnë kundërshtarët.

ARDHJA DHE NGJITJA

Ai vjen nga Viçidoli i Tropojës. Thonë që kurrë më, as në vizitë nuk është kthyer atje. Do t’i ketë ndodhur ndonjë dramë atje? Enigmatike. Megjithatë nuk spekulojmë. Studion dhe mbaron shkëlqyeshëm mjekësinë. Afrohet nga familja e diktatorit. Afërmendsh se për tu afruar në rrethin e ngushtë të diktatorit domosdo të kesh dëshmuar nënshtrimin maksimal ndaj tij, partisë dhe ideologjisë. Për këtë tashmë janë botuar me dhjetëra fotografi. Derimëtani nuk ka fakte publike të ketë spiunuar dikë konkretisht.

Deri në shpërthimin e protestave të dhjetorit 1990 Sali Berisha bën jetën kardiologut të suksesshëm, emri i të cilit regjistrohet edhe nga qarqet e huaja akademike. Dihet botërisht tashmë se doktori shkon te studentët në revoltë si i deleguar i Ramiz Alisë. Ashtu siç dihet se shumë shpejtë do t’ia kthejë shpinën gardës së vjetër për të marrë timonin e opozitës. Ia del dhe bëhet kryetari i parë i shtetit shqiptar pas enverizmit. Në këtë fazë jo pak episode e bëjnë Sali Berishën të ngjashëm me dukën e Otrantos Joseph Fouché, në atë mënyrë siç e portreton Stefan Zweig.

PUSHTETI

Veçanërisht jugorët dhe «trashëgimtarët» kanë pasur përherë aversion ndaj «malokut të Tropojës». Që në ditët e para jo pak intelektualë që militonin bashkë me të e përshkruanin si «një çik i pagdhendur». Kishte ky kualifikim të bëjë me temperamentin ofensiv e shpesh të pakontrolluar të doktorit? Ka mundësi. Sjellja e tij protokollare nuk është konvencionale. Jo pak diplomatë e burrështetas janë ndier të «zënë keq» për shkak të elozheve të tepruara të doktorit në favor të vendeve e popujve të tyre. Kjo mënyrë sjelljeje ndoshta ka ndikuar që jorrallë salloneve ndërkombëtare të shkoqen shaka në kurriz të kryetarit apo kryeministrit shqiptar.

Nuk ekziston ndonjë analizë e huaj dhe serioze që do të gëzonte shqiptarët se ata më në fund ia dolën mbanë dhe ndërtuan institucionet e një demokracie funksionale. 13 nga 21 vitet, aq sa është mosha e demokracisë shqiptare ka sunduar Sali Berisha. Shqipëria vazhdon të jetë më e varfëra e rajonit; me njërën nga natyrat më të bukura e pa turizëm profitabël; me një diplomaci që shpesh kapet shitoreve perëndimore duke vjedhur; vendi vazhdon të konsiderohet si hapësira transitore e rrjeteve të shumta ndërkombëtare të korrupsionit.

Viteve të fundit jemi dëshmitarë të një qeverisjeje arbitrare, kolerike dhe ndëshkuese. Gjithkush që ia zë rrugën doktorit eliminohet (Topi, Rama dhe shumë të tjerë më pak të popullarizuar), mediave (Tema) që zbulojnë lidhjet e klanit të tij me krimin e organizuar apo me «biznesmenë» që përndryshe ndiqen gjithandej u shpall luftë të hapur dhe nuk mbrapset as nga ato metoda të urryera që shqiptarët besonin t’i kenë të shkuara.

Muajt e fundit Sali Berisha ka nervozuar Ballkanin dhe organizatat supranacionale me ca deklarata nacionaliste (bashkimi kombëtar) dhe kritika të ashpra ndaj institucioneve të BE-së. Nga tërheqja e menjëhershme «kanaleve diplomatike» la të kuptohet se kemi të bëjmë me inskenime për nevoja të tregut të brendshëm politik. Po si në atë kohë kur verbalisht mbronte kauzën kosovare e praktikisht shkelte embargon vënë Serbisë dhe Malit të Zi duke kontrabanduar me karburante dhe materiale tjera.    

ANALIZA. Në çështjet patriotike: ambivalent, kontradiktor. Në politikë: i vendosur në qëllimet personale, kolerik, nuk duron konkurrencën dhe i paparashikueshëm. Jashtë shtetit: pa asnjë rol. Ethosi: konfuz, kryesisht arkaik. Diagnoza: Koha për në pension!

NOTA JONË: Pamjaftueshëm!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.