Frika nga (auto)kritika

Autokritika duket të mos jetë veti e plisbardhit. Sapo shfaqet ajo mobilizohen avokatët e racës dhe gjakut për ta denoncuar si tradhti. Janë shqiptarët të pagabueshëm, maratonë për nga pastërtia morale (cilësdo) apo kanë frikë të konfrontohen me veten?

Mllefin kundër «parajsës së derrave» – siç e quante Victor Hugo pushtetin e Napoelonit III– e shprehu nëpërmjet poezisë «Ndëshkimet» dhe iku nga vendi. Charles Baudelaire me «Lulet e së keqes» bëri portretin e një kryeqyteti të korruptuar, të zhytur në amoral dhe të ngjashëm me Hadin. Gustav Flaubert gjendej para gjyqit për romanin e tij «Zonja Bovary», atij romani të inspiruar nga një qytetare e vetëvrare, e cila nxiti autorin të vërë në pikëpyetje moralin dhe mentalitetin e asaj kohe. Hugo, Flaubert dhe Baudelaire nuk ishin të vetmuar në luftën e tyre kundër diktaturës fabrikëtmerri. Përkundrazi: Nëse studiojmë letërsinë dhe publikimet e asaj periudhe franceze, nuk do të gjejmë gati asnjë shkronjës të rëndësishëm që në një mënyrë apo tjetër nuk ka rezistuar ashpër kundër krimeve të shtetit. Se sa radikale dhe sa e hershme ka qenë kjo luftë intelektuale franceze kundër defekteve sociale e politike dëshmon edhe ky apel i poetit pak më të njohur Théodore Agrippa d’Aubigné, shkruar dy shekuj më parë kundër hierarkisë sunduese: «t’i hedhim të gjithë në pusin e harresës dhe ta mbyllim varrin».

Në historinë e kryeneçësisë intelektuale franceze edhe një segment tjetër është shumë interesant: edhe atëherë kur në krizat e vendit ka qenë shkaktar ndonjë faktor i jashtëm shumica e intelektualëve nuk e kanë deplasuar adresën e kritikës, por gjithmonë duke vepruar në bazë të asaj logjikës «të rregullojmë së pari shtëpinë, pastaj e kemi lehtë».
Ky ekskursion nëpër historinë e inteligjencies franceze natyrisht se na përball me pyetjen: si duket historia e intelektualëve shqiptarë në këtë drejtim?

Vetmia e Faik Konicës

Përjashto Faik Konicën – i cili megjithatë del i përmbajtur në këtë kontekst –nuk gjejmë figura intelektuale që analizojnë gjendjet shqiptare dhe që për motiv do të kishin pasur iluminimin e tyre. Edhe autorët si Migjeni që mallkojnë mjerimin e dukuri tjera kurrizthyese për shqiptarin e kohës nuk i dekonspirojnë shkaktarët, përgjegjësit, kështu që vaji del atopik, pa adresatë. Natyrisht se kushtet në të cilat ka ekzistuar shqiptari nuk mund të krahasohen me ato të francezit dhe popujve tjerë perëndimorë të kontinentit, sepse njeriu shqiptar deri para dy dekadave (pjesërisht edhe sot) është komanduar nga instinkti  i mbijetimit, ekzistencës. Luftë që nuk i ka lënë atij edhe gjithaq kohë që të reflektojë mbi pyetjen esenciale dhe deri sot pa përgjigje si: pse pikërisht ne? Pse pikërisht shqiptarët të jenë – krahasuar me të gjithë përreth, më të vonuarit, më të shtypurit, maratonë për nga përvoja historike e robit?

Rënie vlerash? ku, kur?
Ka mundësi që historia e shqiptarëve të jetë kaq dramatike pikërisht nga fokusimi përherë i eksternalizuar i matjes dhe analizimit të gjërave? Konkretisht: logjika e kërkimit të fajit gjithmonë tek të tjerët. Rezonim që është përdorur ndoshta për të lehtësuar një çik athëtinë e të qenit rob, mirëpo i cili njëkohësisht edhe ka dënuar shqiptarët (këtu: dhe ballkanasit në përgjithësi) me një vendnumërim intelektual. Në romantizëm intelektualët ishin të preokupuar me bërjen e identitetit dhe çlirimit nga të tjerët. Në komunizëm intelektualët ishin oportunistë dhe aq hermetikë sa që as veten nuk e kuptonin. Dy dekadave të fundit intelektualët shpërlajnë vepra, botojnë autopledoaje për të dëshmuar patriotizmin e tyre permanent, pra edhe atëherë kur patriotizmin e kuptonin ndryshe apo nuk e kishin fare.Sot po të njëjtët ulërijnë se ka rënie vlerash. Cilat vlera kanë rënë? Kush i ka bërë, identifikuar, lokalizuar e trajtuar ato vlera, kur dhe si?

fotos-von-zerbrochenen-spiegel-nb34676

 

Nuk  i akuzojmë shkrimtarët, intelektualët, autorët se pse nuk kanë vepruar e pse nuk operojnë si intelektualët e shekullit francez të shekullit 19-të. E para për arsye se luftëra të tilla në këtë epokë të revolucionit digjital ndoshta shumë njerëz i konsiderojnë të demoduara dhe e dyta; edhe shqiptarët kanë kuptuar domethënien e lirisë individuale dhe nuk duan të akuzojnë dikë pse ka këtë apo atë biografi. Çështje personale e tij. Absurde bëhet mirëpo puna kur pikërisht ata që nuk kanë ndjekur shembullin francez të iluminimit, që nuk akuzohen nga kush, që ende nuk kanë guximin e autokritikës, pse jo edhe të një metanoje, të vajtojnë se s’ka më vlera.

Është e vërtetë se ka rënie vlerash. Çështja që shtrohet është: cilat janë ato vlera, që sidomos gjenerata e vjetër i vajton? Mendohet në dukuritë si: patriarkalizmi i cili humb dita ditës fuqinë; liria e individit që edhe pse e keqkuptuar merr sa më shumë pushtet në jetën publike; klanet e dikurshme kulturore që janë zbehur në favor të një konkurrence të ashpër e të shëndoshë; autorët shqiptarë (letërsi e teatër) që kanë shpërthyer botës pa ndihmën e partisë; mediat që denoncojnë çdo rrëshqitje edhe atëherë kur akullit përplaset ndonjë lider, komandant apo hero i gjallë; mendohet në këto e në shumë segmente etike si këto? Nuk e dimë saktësisht se deri tani konstatimi «kanë rënë vlerat» na ofrohet vetëm si parullë!

 Avokatët e racës
Duket sheshit autokritika të mos jetë veti e plisbardhit. Kështu ka lexuar, mësuar, kështu është edukuar dhe kështu ka vepruar shqiptari deri sot.

Neveritës në këtë kontekst bëhet aksioni i intelektualëve që si duket as dje e as sot nuk i kanë bërë detyrat e shtëpisë dhe që nuk kanë kohë për vetëkritikë e për thurje programesh formëdiktati se kah duhet të ecin shqiptarët gjejnë jo vetëm ditë por edhe muaj. Që absurdi të jetë edhe më banal: sapo del ndonjë diskurs autokritik, të njëjtët mobilizohen me mantelin e avokatëve të racës, gjakut dhe pragut dhe bëjnë çmos për të shtrydhur diskursin vetëm brenda një dimensioni: atij personal!

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.