Të gjithë kundër shtetit

Trazirat e reja ndëretnike në Maqedoni rizgjuan kalkulimet dhe kërcënimet e vjetra: Shqiptarët thonë se do ta shuajnë shtetin nëse nuk pranohen si të barabartë, duke aluduar në shkëputje dhe bashkim me shqiptarët tjerë të rajonit; Qeveria duket të jetë bërë imune ndaj banderolave të tilla dhe vazhdon me premtimet etnocentrike në stilin «gjithçka është në duart tona, sidomos ushtria», siç u përbetua cjapthshëm Presidenti Gjorgje Ivanov para mediave në Kërçovë. Kjo natyrshëm implikon përfundimin: Talat Xhaferi i BDI-së është ministër i mbrojtjes vetëm për çështje kozmetike. Pikërisht në këtë aspekt  e shohin edhe analistët si Januzs Bugajski shkakun e ekseseve të dhunshme: «Maqedonasit s’duan ta ndajnë pushtetin me shqiptarët», kështu eksperti i çështjeve ballkanike. Teza e Bugajskit qëndron përgjysmë. E plotë do të ishte nëse Bugajski do të trajtonte si pjesë të problemit edhe politikën ambivalente e pjesërisht sabotuese të etnisë shqiptare ndaj shtetit. Në terren të dyja palët veprojnë sikur Maqedonia nesër të mos ekzistojë më. Apo gjithçka është show?

PROPAGANDA

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski sidomos në këtë fazë parazgjedhore do të intensifikojë tonet nacional-religjioze. Do të premtojë edhe më shumë përmendore për ta demonstruar sa më bindshëm identitetin e mohuar nga shumica e fqinjëve. Do të përsëris edhe mijëra herë parullën Maqedonia të jetë shtet i maqedonasve me origjinë sllave. Gruevski do të garantojë se edhe matej do të zhvillohen parimisht komunat me popullsi joshqiptare. Njëjtë do të premtojnë gjithandej edhe opozitarët e bllokut maqedonas.

As muzika elektorale e partive shqiptare nuk do ta ndryshojë melodinë: Fillimisht do të numërohen të bëmat «historike» me apo pa UÇK, pastaj të arriturat gjatë bashkësundimit dhe fundazi do t’i bëhet portreti prej krimineli e tradhtari konkurrentit politik. Partia në pushtet do të premtojë se shqiptarët do ta kenë statusin e barabartë me etninë shumicë, ndërsa ajo opozitare do të kërcënohet me zhbërje të Maqedonisë po që se nuk erdhi në pushtet.

REALITETI

Gruevski nuk do të bëhet aq transparentë sa që të rrëfehet për presionin e tmerrshëm që ka nga BE për ta ç’etnizuar agjendën politike. Ai nuk do t’i publikojë zotimet dhënë ndërkombëtarëve se pas zgjedhjeve do të avancojë procesin e implementimit të «Marrëveshjes së Ohrit» dhe krijimin e çelësit për shpërndarjen e buxhetit shtetëror sipas proporcionit.

Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi as në delirium nuk do të pranojnë se kërcënimi i prishjes së Maqedonisë në favor të ndonjë bashkimi me Kosovën apo Shqipërinë është bosh, është iluzion. Partitë shqiptare edhe kësaj radhe do të ankohen për diskriminimin e shumicës që ua bën kuadrove shqiptare në qeveri e administratë pa e cekur fare mungesën dramatike të resurseve intelektuale shqiptare.

SHOWTIMES

Deja vu?

Trazirat e fundit janë pjesë e këtij inskenimi që ka fituar statusin e ritualit parazgjedhor. Edhe pse partitë politike e dinë se nxitja permanente në baza etnonacionale pjell konflikte, eksese, viktima ato nuk heqin dorë nga praktikat konfiktuoze. Pse? Ndoshta nga frika të mbeten pa fakte të mjaftueshme për të denoncuar rivalët politikë?

Tensionet do të vazhdojnë deri sa të dërguarit e BE-së dhe SHBA-ve t’iu urdhërojnë kryetarëve të partive që të apelojnë publikisht për zgjedhje pa dhunë.  Në këtë dramë do ta pësojnë si përherë të instrumentalizuarit, ato viktima që dalin e përgjaken rrugëve, pa e ditur se janë pjesë e një politike intransparente dhe destruktive të partive të tyre.

Sidomos qeveria maqedonase sillet sikur të mos ketë kuptuar faktin se; Sa më shumë padrejtësi, diskriminime, sa më tepër hasmëri e ndarje ndër etnitë, kulturat e religjionet aq më pak Maqedoni. Ose e ka kuptuar këtë dhe ka plane tjera?

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.