Traktati im

Rreth botëkuptimeve të mia për religjionet, njerëzit, moralet dhe historinë.

Debati që shpërtheu nga deklaratat e Kim Mehmetit dhe protestës së intelektualëve kundër diktatit turk nuk ngjasoi me polemikat e mëhershme; etnocentrikët nuk mallkuan me atë intensitet si dikur religjionet; myslimanët më shumë ndiheshin të keqkuptuar se sa të urryer dhe katolikët bombarduan me vargjet e Gjergj Fishtës, të cilat apelojnë në dashuri e paqe ndërshqiptare. 
Natyrisht se pati edhe zëra militantësh, ksenofobësh, nacionalistësh arkaik, nxitësish e racistësh mirëpo ata ishin kësaj radhe aq të rrallë si kurrë më parë. Shqiptarët biseduan, debatuan dhe polemizuan jo nga dëshira për t’ia ngrënë kokën njëri tjetrit, por nga vullneti për të qenë bashkë. Komunitetet nuk u prekën e reaguan sepse nuk ndihen tanët, por protestuan se nuk duan të përjashtohen, stigmatizohen. E kush lufton me gjuhë e me shpatë për të drejtat e veta brenda një kulture, gjuhe, identiteti e shoqërie nëse i urren ato?

II.
Shqiptari nuk ka nevojë të krenohet e as të kompleksohet se është më i mirë apo më i keq se tjerët. As për historinë plotë dështime dhe robëri nuk ka nevojë të krekoset. Mirëpo ai domosdo t’i falënderoje e tu përulet kthjellët gjithë atyre burrave e grave që nëpër histori bënë çmos që t’ia ruajnë kulturën, gjuhën dhe të mirat tjera. Me këta shqiptarët duhet të krenohen. Me dëshirën dhe qëllimin historik për të qenë të lirë. Me ata që nuk shikonin fe e krahinë të shqiptarëve por gjithçka që donin ishte liria e po këtyre shqiptarëve. Shqiptarët nuk duhet të vetëdemolojnë veten, të humbin kohë dhe energji duke urryer të tjerët vetëm pse ata janë turq, serb apo grekë. Ata s’duhet të lejojnë që urrejtja e të tjerëve tu bëhet urrejtje e tyre dhe të gërryejnë veten pa nevojë. Historia – ajo që nuk kontestohet nga askush – mëson se urrejtësit, ekspansionistët dhe të këqijtë vërtet kanë decimuar humanitetin me krimet e tyre, mirëpo kurdokurrë e në fund të fundit varrin vetes ia kanë bërë. 

III.
Shqiptarin e sotëm nuk duhet ta irritojë kur një ortodoks i Rekës thotë se e ndien veten shqiptar duke e gjykuar atë për tradhti të jetë fshehur; nuk duhet ta nënçmojë torbeshin e rrethit të Mavrovës kur thotë se është shqiptar edhe pse dy fjalë nuk i lidh shqip; nuk duhet ta shpall tradhtar ndonjë që ka qejf të jetë turk, as ndonjë që pëlqen të jetë malazez; ashtu siç nuk ka të drejtë ta ofendojë ndonjë emigrant shqiptar që thotë se «para jam zviceran, amerikan gjerman e pastaj shqiptar». Janë vendime individësh që duhet respektuar. Ata nuk na dalin me guximin e tyre para për t’i stigmatizuar por për t’i respektuar, ashtu siç janë dhe si e ndiejnë veten. Është e drejtë e tyre supreme.

IV.
Gjatë debatit me të drejtë na u krijua përshtypja sikur historia të jetë – po si politika – sporti më i preferuar popullor i shqiptarëve. Për fatkeqësinë tonë mirëpo historia është shkencë. Historia është punë e mundimshme bodrumeve, arkivave, kërkimesh, dokumentesh, reliktesh, gërmimesh. Le t’i krijojmë kushtet të atilla që historianët ta bëjnë punën e tyre të lirë, të pavarur dhe objektiv, pa diktate që të bëjnë punën e tyre. Çkado që të na sjellin është e rëndësishme sepse mësojmë më mirë se si kemi qenë, mirëpo ato nuk duhet të bëhen udhërrifimi i vetëm se si duhet të jemi, çka duhet të bëjmë, si duhet të sillemi. Kohët, kushtet dhe shanset sot janë tjera, ashtu edhe njerëzit. Pjesa dërrmuese e intelektualëve – për ata që dimë – e nënshkruan peticionin si ide: si revoltë ndaj kapjes së shkencës. Shumica aty nuk kanë asgjë kundër dikujt apo diçkahit vetëm pse është ndryshe, por ata vunë firmën për lirinë dhe dinjitetin e shkencës, shkencëtarit. Protesta u bë edhe më e ashpër për shkak se shumica e dinë parimin dhe perceptimin e shtetit turk ndaj shqiptarëve ose siç shkruan ministri i jashtëm turk «shqiptarët janë mbetje të Perandorisë osmane» (Davutogllu, “Thellësia strategjike”), çka implikon se me ta vazhdon të jetojë Perandoria pesëshekullore në Ballkan.
V.
Sot jemi këta që jemi. Një popull me shumë fé, me shumë ideologji, me dy shtete, me një gjuhë, me një kulturë dhe me disa histori. Shumica jonë bërtet për më shumë liri, për më shumë demokraci, për shtete të forta dhe për drejtësi. E këto të gjitha do të kemi nis t’i ndërtojmë atëherë kur hoxhën që ofendon personalitetet historike vetëm se janë katolikë e heqim zvarrë nga xhamia e jashtë në lumë; atëherë kur priftin që na shanë myslimanët si primitivë, turq dhe të shitur e detyrojmë të ruajë dhentë; atëherë kur letrarin, intelektualin, bujkun, politikanin që mbjell urrejtje në zemrat tona ndaj pakicave, ndaj feve, ndaj atyre që mendojnë e janë ndryshe e lëmë të vetmuar, pa zë publik; atëherë kur ndonjë tellall falsifikon historinë për qëllime personale apo të dyshimta e detyrojmë në pension; atëherë kur si shumicë çohemi në këmbë kur ndonjë parti a pushtet i joni na i shkel bashkëqytetarët tanë romë, egjiptian, turq, serb, maqedonas, grek; atëherë do të mundemi të krenohemi me historinë nga e cila kemi mësuar dhe me historinë që jemi duke bërë. Vetëm kështu mendoj, besoj dhe jam i bindur se do t’ia dalim të na duan, respektojnë dhe besojnë të tjerët. Kështu i dua unë shqiptarët: Veten, miqtë e mi.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.