Eutopitë shqiptare

Shqiptarët kapen për utopive, qendrave e kulturave tjera jo për të bërë shamatë, por për t’iu ikur qoftë edhe vetëm nëpërmjet fantazisë qeverive të pacipëta që i mbajnë peng.

[dropcap]N[/dropcap]ë romanin e tij, të shkruar latinisht në fillim të vitit 1516, Sir Thomas Morus e ka një fjali ku shpjegon se titulli i librit «Utopia» (vend inekzistent) lirisht mund të zëvendësohej me «Eutopia» (vend i mirë). Nëpërmjet këtij sqarimi dhe pozitës prej burrështetasi të Morus-it kuptojmë se pse autori veprën e tij e maskon me aq irealitet, jo vetëm për atëherë por edhe për këtëherë. Kontrasti na lejon zhytjen. Morus është burrështetas i një «Dystopie» (anti-utopia, vend i keq). Gjendja politike e Evropës së atëhershme ishte katastrofale. Qendrat kryesore të kontinentit digjeshin flakë nga topat e religjioneve. Vendin e autorit e udhëhiqnin grykësit, danditë, despotët që mjeshtri kishin zhgjakjen e të varfërve, krimin, korrupsionin, shtypjen dhe që nga shpirti refraktar vrisnin çdo ide përparuese sapo shfaqej në syprinë. Të diturit përhimnonin pronarët sipas qeses e të paditurit nuk i zinin kishat luftarake.

Pasi nuk ka ku ik realisht Morus përandit imagjinatën në ishullin e tij gjoja «protokomunist» Utopia. Sapo ta sterilizojmë librin nga angullimat simbolike përballemi me kërkesat kyçe të Morus-it. Ai kërkon luftimin e intolerancës fetare, barazinë ndërgjinore, garantimin (jo patjetër financimin) e të drejtës në arsim për të gjithë dhe barazinë e secilit para drejtësisë. Se kjo nuk është utopi por eutopi në BE dhe vendet tjera perëndimit shqiptarët jo vetëm që e dinë por edhe e kanë përjetuar.
Gjendja e shqiptarit sot është po aq e bataktë si ajo Thomas Morus-it asokohe. Një pjesë e shqiptarëve ikjen e realizojnë realisht duke emigruar e shumica e bën atë si Morus: me frymë e shpirt! Do ndiejnë Evropën dhe SHBA-të të jenë Eutopia e tyre, tjerët rrëfaten drejtimeve tjera; ca ndalen në Stamboll e të tretët kanë mbërri tashmë në Riad, Vatikan e Mekë.

MEDIAT DHE DISKURSET
Dhe shqiptarët si edhe mbi temat tjera nuk debatojnë pse-në e kësaj teposhte permanente, por gjykojnë garueshëm e potershëm Thomas Morus-ët tanë, të cilët të shtyrë nga ekzistenca barkboshe, paperspektiva dhe diskriminimi kanë krijuar ishujt e tyre fiktivë. Ndërsa mediat edhe kësaj radhe nuk kanalizuan dhe udhëhoqën debatin por qysh në prelud e bajgëzuan atë. Fatkeqësisht!

Mprehja e shpatave ndërmjet «nahive» për të identifikuar e lokalizuar taborët brenda mendësisë për historinë, religjionet dhe Turqinë ishte e domosdoshme dhe e dobishme edhe për analizimin e raportit të shoqërive shqiptare me Evropën, respektivisht Bashkësinë Evropiane. Këtë segment e kishin filtruar edhe analistët e institucioneve të BE-së.

Brenda shumicës u ekspozuan katër rryma kryesore që përbëjnë relacionin shqiptar në këtë kontekst. E para [patriotët] integrimin e plotë në BE e konsideron aspiratë të natyrshme të një vendi e kulture që historikisht paska qenë promotorë e aktualisht padrejtësisht është protezë e kontinentit. E dyta [pjesa e motivuar fetarisht]  e percepton dhe eteron idenë evropiane si një «projekt të krishterë» që duhet zhvatur financiarisht e që paskëtaj duhet shporrur apo tjetërsuar përsëbrendi, ngase jo në Evropë është gama e identitetit të tij por diku tjetër, ku synon të emigrojë. E treta me integrimin në BE beson në konsolidimin juridik e demokratik të shoqërive shqiptare [shumica e intelektualëve] çka implikon automatikisht mirëqenien, drejtësinë dhe shkuljen e tëharrave socialdarviniste nga fryma shqiptare. E katërta përbëhet nga të rinj të ndikuar nga teoritë postkoloniale që diktatet e Brukselit i konsiderojnë formën më të re të imperializmit.

ANALIZA
Pa filozofi:
askush nuk ikë as realisht as me fantazi vullnetarisht nga shtëpia. Ose grupi i atyre që organikisht s’duron mendësi e farefisni është fare simbolik. Me histori: Të gjitha dyndjet e mundshme (jashtë pushtimeve, sepse shqiptarët nuk imagjinojnë a dëshirojnë vende për t’i pushtuar por për të shpëtuar) janë nxitur nga dhuna politike, ekonomike, grupore etj. Me Biokimi dhe psikologji: jo vetëm qenia humane por frymorët në përgjithësi instinktivisht nisen udhëtimit sapo t’i kap frika e ekzistencës. Me filozofi: «Esenca e lirisë së njeriut nuk përbëhet nga parimi se mund të bëjë çka të dojë, por nga parimi të mos detyrohet ta bëjë atë që nuk donë ta bëjë» (Jean-Jacques Rousseau).

Nisur nga kjo premisë duhet kërkuar shpjegimin e katër kategorive ekzistuese në raport me idenë evropiane të cilët deshën apo s’deshën shqiptarët të shtëpisë e kanë (qoftë edhe vetëm gjeografikisht).

Të parët [patriotët] pëlqejnë metaforën e të qenurit protezë e kontinentit, ngase nuk duan të pranojnë paaftësinë e shoqërive të tyre për të hyrë në klubin e atyre që kanë plotësuar kërkesat themelore të Thomas Morus-it. Të dytët [pjesa e motivuar fetarisht]  nuk donë të kuptojë se BE nuk është ent social ku arkëtaret naivë u shpërndajnë të holla «skamnorëve» të zgjuar. Përveç se një qëndrim i tillë përdhos çdo moral, ai është iluzion. Evropa nuk është e fortë sepse qenka në duart e atyre që janë duke realizuar «projektin e krishterë». E kundërta është realiteti: Shtetet kryesore të BE janë të forta sepse kanë shkolluar masat e tyre deri në atë shkallë saqë të jenë të zot të lirisë dhe mirëqenies së tyre. «Marrja e kalasë nga brenda» është matematikë e gabuar, sepse integrimi i individit në Evropë bëhet detyrueshëm nëpërmjet shkollimit dhe integrimit, kështu që fanatikët e çdo lloji janë të paradënuar pa ato turmat e nevojshme që verbërisht do t’iu ecnin pas. Dyshimet e grupit të katërt, atyre që druajnë nga globalizmi imperialist nuk janë të paarsyeshme. Kontradiktorë brenda këtij grupi janë «çegevaristët» që luftojnë imperializmin liberal me internacionalizmën komuniste. E treta është e vërteta. Grupi i tretë, eurosimpatizantët janë pragmatikë. Këta besojnë në atë që ndoshta duhet shkruar për çdo ditë mureve shqiptare: konsolidimi i shtetit të së drejtës dhe demokracisë!

S’ka alternativë tjetër që s’do të ishte miope. Rruga e vetme shqiptare detyrueshëm është Evropa qoftë si ide e qoftë si BE. Çdo skenar tjetër është utopi. Meqë distopitë qenkan tunelet e vetme nëpërmjet të cilave shqiptarët u dashka të dalin në eutopitë e tyre, atëherë po qenka e qartë çka duhet bërë. S’ka tjetër zgjidhje as larg, as afër as imagjinueshëm e as zgjuar!

HBTU9Fe0_Pxgen_r_Ax541

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.