Isa

PSIKOGRAFI PRIMATËSH (III) – Në çështjet patriotike: pragmatik. Në politikë: klepto – oportunist. Për shkak të mungesës së temperamentit politik nuk pranohet si lider.

isa trimi
Amerikanët: „Njëherë komunist gjithmonë komunist“

ISA MUSTAFA, edhe pse Vilën në Prapashticë e meriton nofkën «prishtinali». Që nga shkolla fillore e deri sot ai jo vetëm ditët e punës i kalon aty, por edhe ka ndikuar në qenien e kryeqytetit – kështu siç është. Me politikën nis ashikërinë në një fazë kur shumica e intelektualëve kosovarë jugosllavizmin e përdornin më shumë si retorikë mbrojtëse nga sanksionet e «deliktit verbal» se sa si përulje ndaj sistemit. Si kryetar i Qeverisë komunale të Prishtinës (1984-1988) mbeti në kujtesë si një menaxhues adapt i burokracisë së atëhershme: pa ndonjë kontribut të veçantë. Po në të njëjtën pozitë ishte edhe si drejtor Entit për Plan dhe Zhvillim: Prishtina dhe Kosova luftonin për të ekzistuar shqip e kush nuk lodhej për plane e zhvillim.

RËNIA NË NISJE. Popullariteti i Isa Mustafës shpërtheu jashtë Kosovës. Gjatë përtretjes së tij metropoleve të perëndimit dhe Ballkanit. Fillimisht si koideator i të famshmit 3%, e pastaj si ministër i financave në qeverinë e Bukoshit (1991 -1999). Qëkëtej fiton edhe alergjinë deri sot të pazbehur të diasporës ndaj tij. Eksponentë të rëndësishëm të LDK-së në diasporë këtë aversion karshi Mustafës e shpjegojnë të bazohet në: afrimin e Isa Mustafës me grupet (atëherë) enveriste në perëndim; me evitimin e përhershëm të shfaqet publikisht me Ibrahim Rugovën dhe të afërmit e tij si dhe të qenurit pas Bukoshit «njëri nga komplotistët» kryesor për demontimin e imazhit të Rugovës. Këto qenkan arsyet se pse për emigracionin ai nuk ka «legjitimitetin dhe besimin» e nevojshëm për të prirë LDK-në.

Problem Isa Mustafa i ka edhe partnerët kyç e të huaj të Kosovës. Përderisa diplomatët evropianë e përshkruajnë si një «burokrat të shkollës së vjetër», të cilit nuk duhet besuar gjithaq, amerikanët duket ende të mos i kenë shpëtuar mendësisë së të famshmit drejtor të FBI –së Edgar Hoover kur Isa Mustafën e analizojnë nga perspektiva e pseudoparimit «njëherë komunist gjithmonë komunist».

Sa qëndron akuza Isa Mustafa të mos jetë i aftë që ta përparojë kryeqytetin? Nëse Prishtina në arkitekturë dhe infrastrukturë ka hapëruar drejt moderimit atëherë kjo padyshim se është edhe meritë e prefektit të saj, i cili mundëson një politikë të tillë. Njëjtë në konto të tij shkojnë edhe ato që merren si dobësi: Kryeqyteti deformohet nga plutokracia e pamëshirë e perfektit të saj; Prishtina kam marrë pamjen e një muzeu të mbipopulluar nga statujat e heronjve dhe heroinave shqiptare; Nuk ka imazhin e një metropoli evropian, por të një katundi oriental e të ngjashme. Në favor të Isa Mustafës megjithatë shkojnë dy realitete: Fytyra e një qyteti nuk ndërrohet aq shpejtë siç dëshirojmë ne dhe e dyta; veçanërisht atëherë kur prioritetet politike i cakton qeveria – e cila aktualisht udhëhiqet nga kundërshtarët e tij – shumëçka ndikon malcueshëm .

ANALIZA. Në çështjet patriotike: pragmatik. Në politikë: klepto – oportunist. Për shkak të mungesës së temperamentit politik nuk pranohet si lider. Perceptimi jashtë: burokrat që bindet lehtë por pa preferencë për poste kyçe. Perceptimi brenda: Profesor i mirë, politikan pa ngjyrë. Ethosi: humanist me aftësi unifikimi polesh në kundërshti. Diagnoza: Faqebardhë do të përfundonte karrierën nëse mbërrin që (në rast të hyrjes në qeveri) që timonin t’ua jepte eksponentëve të rinj dhe pa hipoteka.

NOTA JONË: Mezi kalon!

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.