Shteti si projekt uzurpimi

Shteti kapet e korruptohet për çdo ditë nga grupe, persona, ideologji dhe religjione. Analizë korrupsionit (i)material dhe strukturor në shoqëritë shqiptare.

Politologu dhe filozofi Arthur Fisher Bentley në librin e tij «The Process of Government» (Procesi i qeverisjes:1908) definonte politikën si kacambytje ndërmjet grupeve që synojnë «kapjen» e një cope sa më të rëndësishme të shtetit, respektivisht përvetësimin e institucioneve kyçe të qeverisjes. Në shoqëritë shqiptare, parë me syzet e mediave, përqendrimin e ka monopolizuar lufta kundër korrupsionit qeveritar, çka nënkupton se senzorët jo vetëm të fuqisë së katërt, por edhe ato të mekanizmave më të rëndësishme të shoqërisë energjinë e tyre e harxhojnë duke analizuar «kronikën e zezë» politike dhe ekonomike. Ky fokusim që përngjason me aporinë e Sizifit në pikturën e Tiziano Vecellio-s (1480-1576) është i drejtë, i domosdoshëm, i nevojshëm, mirëpo problem i përhershëm që realisht vetëm shteti juridik mund ta luftojë.

Pse ky fiksim na asocion me pyetjen: Mos për shumë analistë, institucione dhe organizma të shoqërisë civile ky monoperqëndrim të jetë një lloj azili, një mënyrë ikjeje nga mundi për t’u preokupuar edhe me probleme tjera, më pak abstrakte dhe poaq akute sa edhe ulërimat kundër korrupsionit juridikisht pa adresë? Dhe pyetja multiplikohet vetvetiu: Ka apo jo dhe nëse po, sa i rrezikshëm është korrupsioni imaterial dhe strukturor në shoqëritë shqiptare?

KORRUPSIONI (I)MATERIAL
Paraprakisht, bën edhe për të paraevituar spekulimet, nuk është keq ta sqarojmë se ç ’mendojmë me korrupsion imaterial dhe strukturor. Bëhet fjalë për një veprim sistematik, të planifikuar mirë dhe afatgjatë nga persona, grupe, klane të cilët nëpërmjet shërbimeve materiale e imateriale synojnë të dominojnë (ose kapin) politikën, kulturën apo ekonominë e një shteti. Me këtë modifikim korrupsioni kompresohet ashtu siç e definojnë politologët e Chicago School; Harold Dwight Lasswell dhe Arnold A. Rogow në veprën e tyre «Power Corruption and Rectitude» (1963): «Korrupsioni është akt destruktiv në dëm të interesave të përgjithshme (shumicës) dhe në favor të përparësisë speciale të një ideje a grupi brenda përgjegjësisë publike dhe qytetare». Shqip del kështu: Nëse një grup a ideologji ia arrin që të kap një ministër për të realizuar qëllimet e veta bën korrupsion masiv, sepse çkonfiguron agjendën e një pjese të shtetit në interes të vetin, për të cilën shumica nuk e ka thënë fjalën (votën).

Korrupsion imaterial dhe strukturor ushtrojnë pa përjashtim të gjitha grupet, pavarësisht nga ajo se a perceptohet botëkuptimi apo aktiviteti i tyre nga shumica si pozitiv apo negativ. Më shumë se qëllimi final, në këtë kontekst luan rol metoda, pra forma e organizimit dhe arritjes së synimit. Që një grup apo person të marrë pozitën e «lojtarit» të rëndësishëm në një shoqëri ai, nëpërmjet shërbimeve konkrete apo ideve korrupton funksionarë qeveritarë, media, grupe tjera e sa më shumë ithtarë. Si e bëjnë konkretisht këtë personat, grupet ose mediat e caktuara?

KRASNIQI SI PERSON DHE SI GRUP
Na duhet një «fshehtësi publike» që manifeston përfshirjen dhe metodën e personit si subjekt dhe njëkohësisht  përshkruan mënyrën strategjike të ndonjë grupi, pra që ilustron atë korruptimin strukturor që e «definuam» më lartë. Eksperimenti nuk ka për qëllim të gjykojë por të instrumentalizojë qëllimisht spekulimin në favor të teorisë që shpaluam.  

Qëmoti qarkullojnë rrëfime mbi rolin e poetit dhe profesorit Milazim Krasniqi në favor të Shefqet Krasniqit dhe grupeve radikale islamike të Kosovës. Sipas kësaj teorie erëkonspiracioni Milazim Krasniqi përdor të birin, ministrin e kulturës Memliun, për të lobuar në interes të krijimit të privilegjeve për myslimanët radikalë. Pandehjet shkojnë deri në atë shkallë sa që edhe fotografitë e Milazim Krasniqit të bëra në sokak lezzetleri të Stambollit (në facebook) merren si fakte për ndikimin e tij në raportet e Republikës së Kosovës me Turqinë dhe qendrave arabe. Poqesë ky spekulim del real, atëherë kemi të bëjmë me një korruptim strukturor që ka për qëllim faktorizimin politik dhe kulturor të ideologjisë (jo besimit) islamike në nivelin e një doktrine identitet-formuese të shtetit të Kosovës. Nëse këto manovrime i vëmë në inkubatorin e realpolitikës atëherë ma qartë deshifrojmë aksionin për partizim të besimit, aspirimin e Shefqet Krasniqit për një Kosovë islamike dhe manifeste tjera të këtij lloji.

Korrupsion sepse procesi nuk përdor mjete legale, transparente përbrenda demokracisë dhe shtetit, porse zhvillohet në prapaskenë si komplot kapjeje fragmentesh të shtetit nëpërmjet lidhjeve (i)materiale, ideologjike apo grupore.

PROSTITUIMI QEVERITAR
Strategji të këtilla, shikuar nga këndi i autorëve të tyre, janë madje legjitime. Dëshira e ekspandimit politik e kulturor historikisht del të jetë gjymtyra kryesore e çdo grupi politik e religjioz. Me një fjalë: ato bëjnë punën e tyre. Ashtu siç bëjnë punën e tyre evangjelistët, katolikët, katolibanët, muxhahedinët, europatriotët, raciopatriotët, demopatriotët, retropatriotët, ateistët, ateotët, teokratët, idiokratët, maskulistët, mediokratët, klimofobët bashkë me gjithë kratët, istët dhe inët e tjerë që militojnë brenda shoqërive shqiptare. Ata as që do të ishin problem, respektivisht janë po aq problem sa edhe korrupsioni material sepse herë shumohen e herë pakësohen, mirëpo nuk ikin përgjithmonë. Një pjese të tyre as që ua dëshirojmë hadin: kush donë të jetojë në një vend monoton dhe pa diversitet?

Problemi qëndron diku tjetër: tek mungesa e shtetit! Shoqëritë shqiptare priren nga qeveri, të cilat nga prostitucioni dhe injoranca bëhen viktimë e çdoditshme grupesh, ideologjish e idesh që janë krejtësisht në kundërshtim me sistemin politik, kushtetutën dhe agjendat shtetërore. Shteti i pakorruptueshëm në drejtësi dhe demokraci stabilizon koekzistencën e grupeve duke ua siguruar atyre lirinë për veprim apo duke i sanksionuar nëse shkelin vijën e kuqe dhe iu garanton atyre integrim përbrenda harmonisë së detyrueshme. Shtetet shqiptare, gjithmonë në alfa-version, se të korruptuara nuk janë të forta të konfrontohen me këtë diversitet. Pasi është kështu grupet edhe ekstreme bëjnë orgji me institucionet e shtetit saherë që të zgjohen të mpira prej gjumi.

korruption

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.