Edi si (anti) hero

rama SWPSIKOGRAFI PRIMATËSH / Edi shpaloi «Rilindjen» e tij edhe në Kosovë. Atje nuk afroi kënd, por humbi edhe ata që kishte. 

Perëndimi nuk ia çmoi artin ashtu siç synonte ai. I kapitur nga ecejaket galerive periferike të Paris-it dhe New York-ut dhe për t’i shpëtuar katitjes Edi Rama u kthye në Tiranë. Dhe u bë politikan. 
«Buldozer që shkul anarkinë urbane». «Inspektor Corrado Cattani i Damiano Damiani-t» («La Piovra» – Gjithë kundër mafisë, 1984) që i shpalli luftë mafisë, plehut dhe kalbësisë politike. Ja si portretohet arkivave të mediave perëndimore kryesocialisti shqiptar Edi Rama. Për projektin e tij «Clean and Green» (2002) OKB e nderoi me çmim. Komuniteti virtual «City Mayors» e shpalli  World Mayor- in e vitit 2004.

Krahas rrëfimit elozheplotë, për politikanin prototip që do të shpëtojë gadishullin nga feudopatriarkët nxitës e eutanazikë të tij, shumica e portreteve të huaja për Edi Ramën nisin me titullin: «Ata menduan të kem vdekur». Bisedave me të huajt Edi çdoherë përsërit procesin e mbijetimit, rilindjes së tij. Konturet e dramës duken kështu: Një hordhi banditësh e rrahin (1997) me shufra hekuri aq rëndë sa që besojnë ta kenë vrarë. E zbulojnë ca fqinjë dhe e sjellin në spital. Pas disa javësh, sapo merr këmbët, Edi e braktis vendin. «Më lanë shtrirë duke menduar se më vranë. Jam i sigurt se Sali Berisha donte të më dërgojë në parajsë, mirëpo ja që nuk ia doli», kështu akti i fundit i tragjedisë me happy end, nga e cila lindin Edi hero dhe Berisha antihero (Tagesspiegel, 28.11.2002). S’ka pikë dyshimi se Rilindja nuk është vetëm programi i tij politik, por edhe Edi Rama vetë.

MACET FIDELE TË PARISIT
Ndoshta edhe të privilegjuarit e American Way of Life xhelozojnë kur mësojnë preludin biografik të Edit: rininë e kalon vallëzueshëm salloneve moderne me pinjollët e pushtetit. Nga kanalet e huaja (dhe të ndaluara televizive për të rëndomtit e shoqërisë) mëson basketbollisti i për botën andej, atë pjesë që jo vetëm deti e ndante nga Durrësi. Ndërsa zjarri i revoltës rrezikonte të flakë vendin dhe pushteti syzohej me varrin që me dekada ia kishte gërmuar vetes, Edi Rama u ligjëronte studentëve të Akademisë së Arteve teknikat e pikturimit. Braktis vendin dhe ikë në Francë. Atje – siç thamë më lartë – nuk e presin si vendasin e tij famëmadh Kadare, por e harrojnë bankave të lumit Seine, promenadës portreton macet fidele të zonjave parisiene. Për një njeri që beson të jetë i determinuar si «i madh» pozita e artistit në kacafytje me ekzistencës ishte poshtërimi i radhës, që s’përtypej dot.

Kthehet në shtëpi. Nano e bën ministër kulture.  Edi do më shumë. Le shtetin për kryeqytetin. Merr Tiranën bashkë me zemrat e të rinjve, dandive dhe grave. Bëhet anëtar i socialistëve dhe tenton ta eliminojë atë që e bëri ministër dhe i doli krah për të fituar kryeqytetin: Fatos Nanon. Pa sukses. Edi priti deri sa u pensionua mentori dhe mori timonin e socializmit me plis në kokë. Kësaj radhe pati sukses.

MIT APO MIK?
Ndodhet rrugës për t’ia rrëmbyer pushtetin atij që «dikur donte ta vriste». Këtyre ditëve vizitoi edhe Kosovën. Shpaloi «Rilindjen» e tij. U dha një intervistë  –  e cila do të mbahet mend gjatë jo për përgjigjet por për shkak të  pyetjeve të gazetarëve të «Zërit» Astrit Gashi & Adrian Çollaku – në të cilën premtoi gjëra absolutisht në kundërshtim me deklaratat, premtimet dhe zotimet që ua bën kolegëve dhe miqve të internacionales socialiste, veçanërisht atyre nga Athina dhe Beogradi.

Nga ato që tha në Prishtinë nuk doli gjë sensacionale përveç paragjykimit: kosovarët të jenë të verbëruar kur Sali Berishën e shquajnë si Skënderbeun. Aksioni për demitizimin e kundërshtarit të tij nuk ndezi. Jo sepse kosovarët janë «trutrashë», porse tek ta Sali Berisha nuk është mit por mik. Rama nuk njeh fare Kosovën dhe ashtu siç e analizoi shkëlqyeshëm gazetari dhe autori Kushtrim B. Sadiku i «KlanKosova»-s, Rama në atë vizitë padashur sipërfaqësoi edhe njëherë më tepër dy tipare qendrore të së majtës shqiptare karshi kosovarëve (duke përjashtuar nga kjo listë Pandeli Majkon): Demagogjinë, mendjemadhësinë dhe superioritetin e kamufluar karshi shqiptarëve përtej kufirit. Po atij kufiri që Edi donë t’ia heq doganat pa treguar se nuk është gjetje e tij por politikë dhe vizion i BE-së. Po kështu sa u përket reflektimeve mbi tregun, bashkimin dhe për libraritë panshqiptare.

ANALIZA
Në çështjet patriotike:
Para çdo interesi tjetër lokal, shtetëror vë kërkesat dhe idealet panevropiane. Në politikë: Pragmatik në favor të një Shqipërie që për nga mirëqenia dhe moderniteti ia kishin ftoh edhe Zvicrës e sidomos Francës. Jashtë shtetit: Udhëhiqet nga motoja «Po mora pushtetin unë çka të doni». Taktikë për mbështetje? Ethosi: Asgjë nuk është tepër nëse shkon në konto të performancës personale. Diagnoza: Nëse fiton pushtetin do të bëjë – atë që edhe e ka dëshmuar – më shumë në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë jashtë. Me çka lidhet shpresa se kjo do të ndikonte në mirëqenien e qytetarëve. Nëse nuk fiton pushtetin ka gjasa shpejtë të mos jetë më kryesues i socialistëve.

NOTA JONË: Mjaftueshëm!

 

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.