Serbët jashtë Kosovës qenka alternativa?

Urrejtja ndaj Thaçit dhe formës së tij të qeverisjes nuk duhet të na korruptojë apo verbërojë edhe ne, duke na shndërruar në fabrika interpretimi që dëmtojnë atë që pretendojmë ta ruajmë: Kosovën! Nuk na vlën hiçgjë një vend pa demokraci dhe pa garantim të të Drejtave, Lirive të Njeriut dhe Demokracisë. E vetëm këtë e garantoi qeveria kosovare në Bruksel asgjë më shumë.

Na habitën shumë intelektualë që vazhdimisht kërkojnë demokraci dhe më shumë liri e në të njëjtën kohë do të rehatoheshin vetëm atëherë kur do t’i shihnin serbët si ikin drejt Karpateve. E se kjo është e pamundshme nuk duhet madje as që të jesh zgjuar si duhet. Natyrisht se qeveria kosovare mund të dështojë në implementime ama për tradhti ajo assesi nuk mund të akuzohet. As kurrë e as sot nuk ka qenë ajo në një pozitë të tillë. Përkundrazi kësaj radhe na bindën se mund të jenë edhe konstruktiv nëse pastrohen nga korrupsioni dhe keqpërdorimi i demokracisë dhe ligjeve kosovare.

Rilexojmë marrëveshjen edhe njëherë.

MARRËVESHJA

1. Do të ketë një Asociacion/Bashkësi të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Me marrëveshjen e anëtarëve të asociacionit, anëtarësimi do të jetë i hapur për çdo komunë tjetër.

Në bazë të kushtetutës së tashme të Kosovës grupeve të interesit, shoqatave politike dhe apolitike u lejohet aksioni i përbashkët konform parimeve demokratike,  lirisë bashkimit qytetar dhe ligjeve në fuqi.

2. Asociacioni/Bashkësia do të krijohet me statut. Shpërbërja e asociacionit mund të ndodh me vendimin e komunave anëtare/pjesëmarrëse. Garanci ligjore do të ofrohen nga ligjet në fuqi dhe ligjet kushtetues (përfshirë edhe shumicën prej 2/3)

Çdo grupim, bashkësi apo union shoqatash sanksionohet me ligjet e Kosovës nëse shkel rendin kushtetues. Garancia nga ana e shtetit automatikisht nënkupton edhe ndërhyrjen.

3. Strukturat në Asociacion/Bashkësi do të themelohen në bazë të statutit ekzistues të Asociacionit të Komunave të Kosovës p.sh. Presidenti, zëvendës-presidenti, kuvendi, këshilli.

Çdo grupim apo supragrupim qytetar – si bashkësitë islame, shoqatat e gjuetarëve –  ka të drejtë të zgjedh vetë hierarkinë drejtuese.

4. Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Evropiane për Vetë-qeverisjen Lokale dhe sipas ligjeve të Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë me qëllim ushtrimin e fuqive të tyre në mënyrë kolektive përmes Asociacionit/Bashkësisë. Asociacioni/Bashkësitë do të kenë një vështrim të plot të zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural të rajoneve që përfaqësojnë

Kusht i vënë nga BE për të gjithë shtetet anëtare të këtij organizmi për zhvillim të rajoneve në kuadër të respektimit të ligjeve të shteteve nacionale.

5. Asociacioni/Bashkësia do të ushtrojë kompetenca shtesë ashtu siç i delegohen ato nga autoritetet qendrore.

Automatizëm i zakonshëm dhe justifikues për shtetin në raste konfliktesh: Nëse pjesë të Bashkësisë shkelin ligjet, autoritetet qendrore i urdhërojnë të zgjedhin problemet para ndërhyrjes direkte të autoriteteve shtetërore.

6. Asociacioni/Bashkësia do të ketë një rol përfaqësues në autoritetin qendror dhe me këtë qëllim do të ketë një ulëse në Këshillin konsultativ të komuniteteve. Në zbatimin e këtij roli parashihet një funksion monitorues.

Këtu definohet qartë statusi politik dhe demokratik i asociacionit në fjalë: «do të ketë një ulëse në Këshillin konsultativ të komuniteteve», pra bashkësia është komunitet e jo shtet!

7. Në Kosovë do të ketë vetëm një forcë policore, e cila do të quhet Policia e Kosovës. E gjithë forca policore në Kosovën veriore do të integrohet në kornizën e Policisë së Kosovës. Pagat do të merren vetëm nga Policia e Kosovës.

S’ka nevojë për koment.

8. Anëtarëve të strukturave serbe të sigurisë do t’u ofrohet një vend ekuivalent në strukturat e Kosovës.

Ekuivalenca në politologji dhe demokraci përkthehet kështu: sa e ka përqindjen aq e ke edhe vlerën. Nëse përfaqëson pesë përqindje të aksioneve aq zë ke edhe në vendimmarrjet e shoqërisë.

9. Do të ketë një Komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovicë veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq). Komandanti i këtij rajoni do të jetë Serb Kosovar i emëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme nga lista që asaj do t’i ofrohet nga katër kryetarët e këtyre komunave dhe në emër të Asociacionit/Bashkësisë. Përbërja e Policisë së Kosovës në veri do të reflektojë përbërjen etnike të katër komunave. ( Do të ketë edhe një tjetër Komandant Rajonal për komunat e Mitrovicës Jugore, Skenderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal dhe katër komunat veriore do të bashkëpunojnë me komandantët e tjerë rajonalë.

Komunat edhe tash i propozojnë qeverisë se kë duan si komandant policie rajonale. Qeveria ka të drejtë të refuzojë, pranojë apo të kërkojë propozime tjera nëse ajo di për aktivitetet e dikujt që janë jo konform ligjeve të Kosovës. Kjo vlen për të gjithë. Këtu madje është vënë një vijë e kuqe demokratike, sepse qeveria edhe në raste të padrejta mund të kontestojë vullnetin e komunave.

10. Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të veprojnë sipas kornizës ligjore në Kosovë. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel të përbërë me shumicë gjyqtarësh serbë kosovarë, të cilët do të merren me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Përfaqësim demokratik nëpër organet lokale. Shumica lokale zgjedh njerëzit e vetë.

11. Një divizion i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga personeli administrative dhe gjykatësit do të ketë selinë e përhershme në Mitrovicën veriore (Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë. Secili panel i divizionit të sipër-përmendur do të përbëhet nga shumica gjykatës serbë të Kosovës. Gjykatësit e duhur do të caktohen varësisht nga rasti që do gjykuar.

Ky privilegj (atëherë duhet ta kenë gjitha komunitete) është bërë sepse serbët kanë frikë se do të diskriminohen. Frika nuk është e paarsyeshme. Mirëpo paneli dhe gjykatësit nuk do të emërohen pa lejen e Qeverisë. Serbët që do të zgjidhen aty duhet të kenë të përvetësuara aftësitë dhe njohjet e juridiksionit kosovar, në bazë të cilit edhe marrin vendimet.

12. Me ndihmën e OSBE-së, gjatë vitit 2013, në komunat veriore do të organizohen zgjedhjet komunale, të cilat do të mbahen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.

Pa zgjedhje nuk ka demokraci. OSBE është garantë që ato do të zhvillohen konform ligjeve të Kosovës dhe OSBE. Nëse serbët nuk iu përmbahen këtyre procedurave atëherë s’kanë alternativë tjetër përveç se të emigrojnë.

13. Diskutimet për Energjinë dhe Telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.

Çështje krejtësisht teknike dhe ekonomike.

14. arritur pajtimi që asnjëra palë të mos bllokojë, as të inkurajojë të tjerët për bllokimin e përparimit të palës tjetër drejt rrugës për në BE.

Nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje çdo tentativë verbale, sekrete apo diplomatike e Serbisë për të penguar Kosovën në instancat supranacionale do të konsiderohet si shkelje të një dokumenti bazë të BE –së (jo të Kosovës apo Serbisë) dhe do të sanksionohet me masa që kanë të bëjnë me bllokimin e agjendës për në BE, të subvencioneve dhe stampimin e qeverisë serbe si të padenjë si partnere për në BE.

15. Me ndihmën e BE-së, do të krijohet një komitet për zbatimin e marrëveshjes nga të dyja palët. /RTK/

As serbët e as shqiptarët nuk kanë mundësi të ndryshojnë apo keqinterpretojnë këtë marrëveshje ndryshe se kështu siç është e shkruar.

FACITI
Kosovarët kanë garantuar të Drejtat dhe Liritë e serbëve me privilegje minimale (gjykata e apelit) ashtu siç e urdhëron edhe Kushtetuta e tyre. Hiçgjë më shumë. Serbët kanë garantuar mos përzierjen e tyre në punët e brendshme të Kosovës dhe tërheqja nga diplomacia e pengimit dhe bllokimit ndaj Kosovës. Pranimi i Serbisë që serbët të jetojnë nën diktatin e Kushtetutës së Kosovës është vërtet «njohje de jure e Kosovës».

REAGIMET
E di që shumëkush me gjithë dëshirë do t’i kishte parë serbët se ikin ngutshëm drejt Siberisë. Disa që ndiejnë kështu kanë të drejtë, kur kemi parasysh krimet që kanë bërë serbët ndaj Kosovës për dekada me radhë. Mirëpo kosovarët nuk kanë alternativë tjetër ose zgjedhin hakmarrjen demoluese ose ua pranojnë edhe të tjerëve demokracinë dhe lirinë që e kanë kërkuar aq gjatë.

Interpretimet partiake dhe të personalizuara të marrëveshjes (ndaj Thaçit) na u dukën aq maniake dhe patologjike saqë na u krijua përshtypja të mos jemi në kacafytje dhe luftë me qeverinë serbe, por me shtetin kosovar. Kjo nuk bën. Kosova nuk është Thaçi dhe anasjelltas. Dhe nëse nuk kemi mundësi t’i dallojmë këto dy sende atëherë as BE nuk na shpëton.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.