Ramushi

 KOSOVA / unmik/ Prishtina.

PSIKOGRAFI PRIMATËSH VI /

[dropcap]N[/dropcap]jeriu që gjithçka sakrifikoi për Kosovën. Warlord-i i Dukagjinit. Personalitet i lindur për politikë dhe ndër të paktët politikanë të rajonit që pranon argumentin. Dija dhe urtësia si mjet final i rrugës së një kokërevolucionari. Këto janë linjat dhe baza nga niset ndërtimi i portretit të Ramush Haradinajt. «Më thanë të jetë vrarë, gjithë natën kam qarë nga dhimbja, të nesërmen morra vesh saktë se jeton, gjithë ditën kam qarë nga gëzimi», kështu na thotë një zviceran me të cilin Haradinaj ka punuar dhe për një kohë tek ai edhe ka banuar. Të huajt o e simpatizojnë o e respektojnë, të vetët ende nuk e kanë perceptuar aq sa duhet. Ose e paragjykojnë. Kundërshtarët ia dinë fuqinë. Ithtarët sillen si të tillë dhe ekspozojnë veten si fuqi.

Jo për shkak të procesit të Hagës, Ramush Haradinaj është politikani më i përfolur shqiptar në mediat e huaja. Dhe atë gati në të gjitha kontinentet. Në krahasim e sipër të mediave vendore (duke i përjashtuar ato serbe) me ato të huaja portreti dallon në dy segmente. A) mediat shqiptare nuk janë objektive, ndërsa të huajat po (me përjashtim kur në to ka shkruar ndonjë autor shqiptar) dhe B) nga suma e artikujve të analizuar Haradinaj del më negativ në mediat vendore se sa në ato të huaja. Déjà-vu?

NGA ZVICRA NË HAGË
Në APJ, glogjanasi 19 vjeçar veçohet si njeri i rrezikshëm për shkak të ngutisë për të përvetësuar çdo zanat të luftimit. Shfaqet vullnetar gjithandej, survejohet edhe në gjumë. «Nga kullat e plisave të mesjetës kosovare dalin vetëm antisllavë, ç’të bëjmë me këtë?», shkruan i dilemosur njëri nga eprorët e tij të asaj kohe, cili më vonë si azilkërkues në Zvicër shpalon edhe historinë e tij me nënoficerin e dikurshëm dhe kryeministrin e sapozgjedhur (Janar, 2005) kosovar. Reflektimi final i eprorit: respekt nga frika? 
Në Zvicër, nga Lëvizja ku aderon nuk respektohet si militant ideologjie, madje si tip i kundërt i «soldatëve» flokëshkurtër enveristë, i kontestuar për shkak të «Rock ’n‘ Roll» stilit të jetës. Ishin guximi, aftësia, njohuritë ushtarake të deçanasit tek i cili «amerikanët» shihnin ekzekutorin e rënies faktike të despotit të Beogradit në Kosovë. «Kur na tha: «nuk ka problem, hajt, se unë shkoj», gati sa u çmenda dhe e pyeta « Po ti je tash kryeministër e çojmë dikë tjetër», mu përgjigj fare prerazi: «jo jo se garantoj vetëm për veten e mua s’ më dënojnë dot se nuk i kam shkelur ligjet e luftës», rrëfen njëri nga «diplomatët» amerikanë, i angazhuar për Kosovën nga 1990, gjatë bombave të NATO-s e deri para disa muajve kur iu delegua në adresë tjetër krize. «Ma prishi çdo definicion mbi altruizmin. Si ka mundësi? Një njeri që ka humbur gjysmën e familjes, në pikën kulminante të karrierës pranon të sakrifikohet edhe njëherë pa u menduar dy herë», thotë kokëtundshëm «diplomati» amerikan.

NGA HISTORIA NË AKTUALITET
Rehabilitoi rezistencën kosovare si të drejtë. Ia hoqi nga trupi UÇK –së çdo damkë krimi të mundshëm. U kthye në shtëpi. Pa eufori. «Po si atëherë gjatë luftës kur i thamë të krijojë shtabin e vetë qendror të UÇK-së, sepse na dolën probleme me ekstramarksistët, edhe kësaj radhe kur folëm për marrëveshjen na tha: «ende nuk kemi atë luks ta përçajmë popullin. Do ta bëjnë mirë këta që qeverisin, kam besim në Hashimin», rrëfejnë diplomatët amerikanë e zviceranë që kanë qenë të involvuar në «çështjen kosovare» deri vonë. 
Ramush Haradinaj është «psikologjisur» aq thellë nga të huajt saqë edhe kjo dromcë flet më shumë se shumëçka tjetër: Nëpërmjet kanaleve të shërbimeve të ndryshme vjen një projektskice për zgjedhjen e problemeve shqiptaro-serbe. Domethënë një propozim-marrëveshjeje, e cila ishte komplet në kundërshti nga ajo që kishin paracaktuar SHBA-të, NATO dhe në fund BE. Një marrëveshje që fundazi «falte» veriun ose komplikonte edhe më shumë, për asnjë kompensim. «Sapo e pamë, edhe pse ishte me siglën e AAK-së, e kuptuam saora se aty nuk është truri i Ramush Haradinajt në veprim», na thonë njerëz të NATO-s dhe SHBA-ve, të cilët në fund e klasifikuan aksionin e njërit nga të afërtit e Haradinajt që kishte garantuar se po i thanë fuqitë në fjalë OK e bind pa ndonjë problem liderin gllogjanas. 

ANALIZA:  Në çështjet patriotike: KonstitucionalNë politikë: Kalkulator në kërkim të rezultatit dobiprurës për njerëzit, shtetin dhe etninë e vetë. Jashtë shtetit: Autoritet dhe Respekt. Ethosi: Altruist. Diagnoza: Nëse nuk ia jep lamtumirën shpejt besimit naiv ndaj eksponentëve të caktuar të partisë së tij do të dështoj politikisht për një kohë shumë të gjatë. Nëse fillon t’i besojë vetes më shumë se aktualisht ka gjasa të hyjë në historinë e politikës shqiptare si një personalitet unikat pozitiv.

NOTA JONË: Mirë!

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.