Pse po na dështon shteti?

batoniS’ka gjë të keqe që njerëzit të ikin nga një vend i punës në një vend tjetër. Por duhet të ketë një arsye parimore, me substancë për ndërrimin e vendit të punës.

Në të njëjtën kohë, përveç në institucionin publik televiziv, dy gazetarë tjerë të Klan Kosovës po kalojnë në institucione publike (gjykata). Natyrisht, pyetja që iu shtrohet atyre ka të bëjë me arsyen e ikjes dhe kalimin e tyre në institucione publike. Përgjigjja që ata japin është e ngjashme! Krejtësisht e ngjashme! 
Po shkojmë në institucione sepse aty punohet më pak. Kemi shumë ditë të pushimeve shtetërore; Nuk kemi nevojë me dhënë llogari dhe e kemi rrogën e sigurt me datë një! Ka edhe arsye tjera që janë krejtësisht banale dhe keqdashëse për shtetin dhe institucionet shtetërore.

Dmth; Shteti në vend që të krijojë mundësi në shkollimin e kuadrove për institucionet private, ai as nuk ka fuqi të shkollojë as nuk krijon mentalitet pune ku respektohet orari, por i merr kuadrot e gatshme që krijohen dhe shkollohen nga ne, i punëson dhe i kthen ata në pa punëtor.
Dilema kryesore që shtrohet, kur dëgjon kësi përgjigje nga njerëzit që për vite kanë punuar me ty, është e thjeshtë dhe ka një konstatim aksiomë: Shteti nuk punon! 
Percepcioni që ekziston në publik për vendet e punës në institucionet publike dhe shtetërore le shije të keqe. Dhe konstatimi që mund të vjen është se si mund të mungojë një kod moral dhe profesional në institucionet e shtetit për mënyrën se si trajtohet orari i punës dhe punësimi. Pse njerëzit që ikin nga institucionet private e kanë mendimin aq të keq për shtetin dhe njerëzit që e udhëheqin atë. Njerëzit në të cilët investohet punë mund dhe para ikin në një vend tjetër-shtetëror apo publik, ku punohet më pak, ku ka ditë të panumërta pushimi të panevojshëm, ku shefat janë të pakualifikuar dhe tolerant dhe ku pagat janë shumë më të larta se sa puna që kryejnë. Kjo është pika më e ultë e vetëdijes së një shoqërie ku arsye e ikjes nga puna është qe të kesh mospunë dhe të kesh ditë pushimi të pamerituara. Krejt kjo konsiderohet kualitet jetësor edhe i punës.
Në anën tjetër e keçja bie edhe mbi ne që po mundohemi të bëjmë për shtetin diçka jashtë institucioneve të shtetit por për shtetin. E gjithë kasta jonë e gazetarëve dhe të tjerëve po dobësohet përpara ekspozimit të papërmbajtur të fuqisë së shtetit sepse joshja është më e madhe se sa mundësitë tona për të ofruar të pamundurën. Pra mospunën, ditët e panumërta të festave shtetërore, oraret me katër orë punë në ditë, restorantet dhe kafet plot me njerëz me kravata pa ditur pse i veshin dhe pse ushqehen dhe natyrisht pinë me orë të tëra nëpër restorante pa punuar asgjë.
Kjo mënyrë e komunikimit të shtetit me opinionin publik dhe me (mos)punën është sikur të bësh prerjen e degës ku qëndron. Shpjegimi më i mirë për politikën e orarit të punës mund të përmblidhet me një fjali të vetme: Është e vështirë për njerëzit të kuptojnë se ajo që ishte arritur aq shumë dhe aq shpejt në ndërtimin e institucioneve, të dinin se ku po e çojnë shtetin me mentalitetin e jo punës. Vendi i punës është aq i vështirë për t’u krijuar dhe për t’u bërë funksional, në një vend ku papunësia është aq e madhe, sa është dashur të jesh shumë i pacipë ta dëmtosh dhe ta shkatërrosh në këtë derexhe – konceptin e vendit të punës.
Rasti i fundit me disa njerëz të stafit të medieve të Kosovës nxori në pah gjithçka të fëlliqur të racës së njerëzve që udhëheqin institucione shtetërore dhe vë në pikëpyetje funksionimin e shtetit në të ardhmen. Vë në pikëpyetje etikën, profesionin, të vërtetën për punën. Shtrohet pyetja se kë duhet të kritikojmë, dhe a kemi të drejtë tash e tutje ta kritikojmë dikë sepse na pamundëson punën.
Fakt është, se krejt kjo do të qëndronte e pavërejtur dhe nuk do të ishte fare shqetësuese sikur kjo sëmundje të mos shpërndahej si virus në tërë institucionet. Kriteret e bëra dhe të vendosura nga shefat e institucioneve publike, po bëhen lajtmotiv profesional. Po bëhen apo thënë edhe më realisht dhe fatkeqësisht, janë bërë udhërrëfyes profesional dhe kriter i bërjes së punës! 
Secili njeri në Kosovë qoftë ai i zakonshëm apo publik mund të drejtojë gishtin nga shteti dhe të pyes hapur: Kush janë njerëzit që po varrosin idenë e punës, orarit, mirëqenies publike, profesionalizmit, duke i zëvendësuar këto me të kundërtën e tyre? 
Përgjigjja është e lehtë: Janë ata që s’kanë parë kurrë më parë si ndërtohet institucioni! Si funksionon menaxhimi. Nuk kanë përjetuar transformim nga primitivja në të kultivuarën. 
Rasti i fundit me RTK 2 na nxori edhe një të veçantë dhe njëkohësisht një gjë të tmerrshme: Që askush nuk do të dijë ta zbërthejë dështimin. Rastet e tilla shënojnë thyerje drastike të besimit se në këtë vend puna është vlerë e jo mos puna. Ky mentalitet i punësimit dhe e keqja e tij mund të quhet i pakthyeshëm për të ardhmen. Ky është modeli i së keqes së profesionit dhe modeli i shënimit të turpit profesional. Model se si mund të shitet profesioni pa asnjë rezistencë profesionale.
Ky shkrim u dedikohet kolegëve. Kurse lexuesit duhet një shpjegim të veçantë se çka në të vërtetë po ndodh me mediumet dhe me televizionet në veçanti. 
Shteti dhe institucionet e tij po tregojnë se zhvillimi i tyre profesional ka qenë dhe vazhdon të jetë huqje e madhe. Ka qenë dhe është një falsifikim. Është një ide e pambaruar. Ka qenë një ide pa vazhdimësi dhe pa aktorë që e vlerësojnë profesionin si një pasion të shenjtë. Tash mund të flasim vetëm për të punësuar që nuk dëshirojnë të punojnë ose sa më pak që është e mundur. Të gjithë dëshirojnë të jenë me kravata, këshilltar me 24 vjet moshë, portier, sekretare, telefonist(!) dëgjues apo shikues i zakonshëm. Dhe kushti kryesor sa më pak punë dhe sa më shumë pushim dhe një rrogë që vikendeve ikin në Shqipëri. Ky është shteti ynë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)

 

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.