Pushteti i elektorit

EXTERNAL POINT OF VIEW/ Sa herë janë zgjedhjet Shqipëria le përshtypjen e ishullit në përmbytje. Evropa dhe SHBA-ë thonë është tejkaluar limiti. Ndërmjet flakëve të pushtetit dhe opozitës është shtangur plotë frikë elektori. Çka të bëjë ai?

«Quo Vadis» ky titull i romanit të shkrimtarit polak Henryk Sienkiewicz duket të jetë moto e përjetshme shqiptare. Shqipëria së shpejti do të zgjedh primatët e saj të vjetër me rroba të reja ose do akreditojë politikanë të rinj, të cilët shtangur e këmbëkryqëzuar belbëzojnë aporinë e romansierit polak sikur të ishte vetë përgjigja, adresa dhe fatumi që duhet të ndjekin. Sa herë që nisin garat për pushtet Shqipëria acarohet duke rrezikuar ta katapultoj veten dekada e ndoshta një shekull pas epokës aktuale. Kësaj radhe ajo madje rrezikon edhe më shumë se herët tjera. Jo sepse shqiptarët janë «egërsuar» edhe më shumë, porse miqtë dhe sponsorizuesit e plisave të Gadishullit sillen sikur nga lodhja të shpresojnë që nëpërmjet ndonjë të keqeje të çmëkatohen mëvonë po si Ponc Pilati para ekzekutimit të Jezu Krishtit. Mesazhet e Brukselit dhe Washingtonit të transmetuara nëpërmjet gojës së organizatave të ndryshme se «Përfshirja e ndërkombëtarëve në krizat politike të Shqipërisë po shkon drejt një limiti» (Johanna Deimel në «Deutsche Welle», 23.11.2012) nuk e trazojnë as qeverinë e doktorit. Gabim. Që nga deklarata e Sali Berishës për «puçin e Edi Ramës», që u publikua në të gjitha mediat kryesore serioze të botës (FAZ, 23.01.2011) raportet, analizat dhe preferimet e BE-së, SHBA-ve, NATO-s dhe organizatave tjera supranacionale kanë ndërruar radikalisht konkluzionet: Propozimet për «lehtësimin» e ecjes së Shqipërisë drejt BE-së janë shndërruar në sugjerime dhe alarme «se si duhet të sillen instancat në fjalë gjatë konfliktit qytetar të radhës në Shqipërinë arkaike». Nisur nga fryma, përmbajtja dhe kërkesat e raporteve del më se e qartë: Limiti për të cilin fliste para një viti zëvendësdrejtoresha e Organizatës se Evropës Juglindore Johanna Deimel është tejkaluar. Së paku kështu shkruajnë e thonë diplomatët, ambasadat dhe observatorët e shumtë që muajve të fundit më gjallërisht se zakonisht popullojnë korridoret politike shqiptare. Ka kohë që mendohet e punohet në një «Exit – Strategie» të aleatëve nga Shqipëria. Se çfarë pasojash mund të kishte një «ikje, braktisje» e tillë as që duam të spekulojmë.

*
Një segment tjetër shqetësues në raportet e organizatave që merren me sigurinë në rajon e që zanafillën e kanë në «teorinë e puçit» të kryeministrit aktual shqiptar Sali Berisha është skenari që thotë se pushteti aktual është i gatshëm që ta shkaktojë edhe një konfrontim të dhunshëm nëse sheh se nuk do t’i fitojë zgjedhjet (ndër të tjera edhe nga raporti i Drejtorit gjeneral të ministrisë së brendshme austriake për sigurinë në Ballkan, pas qëndrimit treditor  dhe bisedave në Shqipëri [20-22 shtator 2011] rreth përmbushjes së standardeve evropiane të sigurisë). Doktori pra me çdo kusht donë të mbajë pushtetin. Ashtu si Edi Rama që me çdo kusht donë ta marrë pushtetin. Lufta e këtyre konkurrentëve për pushtet është legjitime, por metoda e pozitës se si donë të mbajë pushtetin del ilegale. Ndërsa Opozita – edhe kjo do të bëjë çmos për ta realizuar synimin dhe «Rilindjen» e saj.

Përvoja na ka mësuar se Shqipëria mund të demolohet shpejtë dhe nga shumëkush, kjo pra s’përbën më asnjë mjeshtri. Punë Sizifi bëjnë ata që duan ta ruajnë. Kush? Në mos qytetari, elektori?

*
Henryk Sienkiewicz romanin e shkroi i inspiruar nga dialogu ndërmjet Shën Palit me Krishtin: «Quo vadis, Domine?», pyeti Shën Pali «Venio Romam iterum crucifigi» i tha Zoti i tij. Shqipëruar këtë dialog në kushtet e shqiptarëve del kështu: «Ku shkon shqiptar?» ky përgjigjet «në zgjedhje për të më kryqëzuar edhe njëherë». Ose i fundit vigjilohet dhe më në fund demonstron pushtetin dhe integritetin e tij duke mos rrezikuar as opsionin evropian; duke mos u bërë mjet i një gare që gropos vendin dhe zgjedh të preferuarit si qytetar i lirë. Në kriza të tilla vetëm elektori i përgjegjshëm shpëton rrugën shqiptare drejt Evropës, mirëqenies dhe zhvillimit. Shqipëria e meriton këtë. Ajo nuk e meriton imazhin e Hadit, të cilit duan t’i ikin të huajt dhe vetë shqiptarët. 

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.