Korrigjimet në tekstet e historisë

Pse duhej të ndodhte?

mehmet_kraja
Akademik Mehmet Kraja

Historia krijon vetëdije dhe botëkuptim, prandaj sulmet ndaj historisë së një populli që prej kohësh konsiderohen si sulme ndaj identitetit dhe qenies kombëtare. Politika, regjimet dhe ideologjitë vazhdimisht kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të kujdesshme ndaj historisë, sepse në shkrimet për kohën e shkuar gjithmonë janë fshehur paralajmërimet për të ardhmen. Asnjë histori deri më sot nuk është shkruar pa përzierjen e pikëpamjeve politike në diskursin historik, madje, në disa raste, shkrimi historik ka mundur të shërbejë si pararendës i zhvillimeve të mëvonshme politike. Prandaj, nuk ishte e rastit që më 2002-3, në situatën e një krize të përgjithshme të ideve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, atëherë kur në bashkësinë ndërkombëtare u rifuqizua ideja e kthimit te Kosovës nën administrimin e Serbisë, u shfaq edhe kërkesa e Këshillit të Europës, në formë të rekomandimit, që në tekstet e historisë për shkolla tetëvjeçare dhe të mesme të Kosovës të bëhen disa korrigjime, të vogla, të parëndësishme në dukje të parë, por esenciale në substancë. Në pamje të jashtme korrigjimet kishin këtë synim: që nga tekstet tona të historisë të mënjanohej diskursi i ashpër nacionalist, në mënyrë që te fëmijët shqiptarë të Kosovës të mos krijohej urrejtja ndaj popullit serb, sepse, sipas një parimi të përgjithshëm, për atë që kishte ndodhur në Kosovë nuk mund të ishte fajtor populli serb, por regjimi, pushteti, pra Millosheviqi. Prandaj, kudo që veprimet negative të Serbisë në Kosovë ishin identifikuar si “serbe”, u zëvendësuan me “shtetërore”, ndërsa në shumë vende “pushtuesi serb” ose u hoq në tërësi, ose u zëvendësua me “pushtetin”. Këto korrigjime, në substancë, kishin implikime të mëdha për historinë mbi njëqindvjeçare të Kosovës në raport me Serbinë, por, mbi të gjitha, në luftën e vitit 1999. Tani dilte se Serbia nuk kishte qenë asnjëherë pushtuese në Kosovë dhe se luftërat e shqiptarëve të Kosovës kundër Serbisë, përfshirë edhe luftën e UÇK-së, nuk kishin qenë luftëra çlirimtare, por më shumë një konflikt i “shqiptarëve etnikë” me pushtetin, i cili ua shkelte liritë dhe të drejtat. Këshilli i Europës desh ta sillte situatën në këtë pikë dhe për këtë qëllim tregoi gatishmëri të financonte korrigjimet e teksteve dhe ribotimin e tyre. Shumë më e rëndë se historia e shkruar, ishte historia që përgatitej të jetohej: nëse shqiptarët e Kosovës kishin luftuar kundër pushtetit dhe jo kundër pushtuesit, atëherë ndryshimi i pushtetit në Serbi (me një garanci eventuale ndërkombëtare) vetvetiu nënkuptonte kthimin e Kosovës atje ku kishte qenë para vitit 1999. Do vërejtur se grupi i historianëve që i propozoi ndryshimet në tekstet shkollore më 2003, njësoj si edhe strukturat e Ministrisë së Arsimit, vinin nga provenienca politike e LDK-së, së cilës, në kontekstin e zhvillimeve politike të atyre viteve, i shkonte përshtat minimizimi ose një paraqitje sa më inverzive e luftës së UÇK-së, sepse trashëgimia e kësaj lufte e bënte kundërshtarin e saj politik tepër të fuqishëm.

Dhjetë vjet më vonë…

Dhjetë vjet më vonë situata në Kosovë paraqitet krejtësisht ndryshe: Kosova është shtet sovran me shumë njohje ndërkombëtare, loja me statusin e saj ka marrë fund dhe nuk ka rrezik që ajo të rikthehet nën Serbi në asnjë rrethanë, në pushtet tani nuk është LDK-ja, por PDK-ja etj. Përdorimi politik i historisë nuk vazhdoi aty ku mund të pritej dhe të supozohej, në valorizimin folklorik të UÇK-së, sepse ky valorizim tashmë mund të quhet i përfunduar, pa gjetur ndonjë kundërshtar aq të denjë dhe të fisëm. Por, papritmas u shfaq në horizont një kërkesë tjetër: Qeveria e Turqisë filloi një trysni të paparë mbi institucionet e Kosovës, për të spastruar tekstet e historisë të ciklit parauniversitar nga përmbajtjet që denigrojnë Perandorinë Osmane, në këtë fushatë u angazhua kupola më e lartë e shtetit turk, duke filluar nga kryeministri, ministri i Jashtëm, ministri i Arsimit dhe, natyrisht, ambasadorja në Prishtinë, e cila tashmë ka marrë në dorë kryerjen e punëve operative. Ngjashëm me rastin e dhjetë viteve të shkuara me rekomandimet e Këshillit të Europës, Ministria e Arsimit e Kosovës përsëri bëri një komision, për të identifikuar pikat nevralgjike ku duhej ndërhyrë, tani komisioni nuk përbëhet vetëm nga historianët, por përfshin edhe gjeografë, albanologë, osmanologë etj, pra, një spektër të gjerë të “dinjitarëve” kosovarë, të angazhuar pa hile që nga kjo lojë të dalë e fituar Turqia dhe shteti i Kosovës të nëpërkëmbët sa më fort. Themi kështu, për shkak se planet dhe programet mësimore janë çështje të shtetit dhe ndërhyrjet nga jashtë në përmbajtjet mësimore mund të konsiderohen si shkelje e sovranitetit. Më anë tjetër, përfshirja e pashembullt i kupolës më të lartë politike të shtetit turk në këtë çështje, bën të ditur se trashëgimtarja e sotme e dinastisë së dikurshme të selxhukëve, Turqia bashkëkohore, krahas fuqizimit ekonomik, në programin e vet kombëtar e ka ndryshimin e imazhit të pushtuesit të dikurshëm të Ballkanit. Që në vitin 2009, në një konferencë për çështjet e Ballkanit mbajtur në Sarajevë, ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutogllu, pasi u shpreh me fjalë mallëngjyese “për sundimin e lavdishëm osman”, i cili “i solli dritë dhe emancipim Gadishullit Ballkanik”, “u bëri thirrje popujve ballkanas, e në radhë të parë Bosnjës, Shqipërisë dhe Kosovës që t’i kthehen prapë asaj kohe të artë” (citimi sipas Kadaresë, “Mosmarrëveshja”, faqe 35). Për të realizuar këtë program kombëtar, Turqia e sotme ka gjetur terren të përshtatshëm në tre shtetet e përmendura të Ballkanit, njësoj si në dy ose tre shtete të Azisë së largët: paqëndrueshmërinë ekonomike, trashëgiminë historike dhe mentalitetin anadollak. Kriza ekonomike në Europë i shkon përshtat kësaj rrethane, sepse në shtetet e Ballkanit mungojnë ndjeshëm investimet perëndimore, ndërsa Turqia paraqitet prijëse në eksportimin e kapitalit në këtë rajon, duke krijuar një atmosferë biznesi krejtësisht orientale në këto vende të përfshira nga transicioni i mundimshëm. Pra, thënë ndryshe, Turqia e sotme e ka vendosur të mos bëjë investime vetëm për leverdi ekonomike, por duke imponuar edhe synimin e saj për një rol të ri në këto hapësira, i cili shkon deri te projeksioni fantastik i rikthimit në skenë të Perandorisë Otomane, natyrisht me një pamje të re dhe me veshje të re botëkuptimore dhe doktrinare.

Bashkëpunimi në gjenocid

Tani mbetet çështje e diskutueshme se cilat janë interesat e shqiptarëve në këto aspirata të Turqisë dhe se me çfarë çmimi duhet ta paguajnë mbështetjen politike dhe ekonomike që ky shtet ua bën klasave politike shqiptare. Çmimi më i rëndë dhe më i papërballueshëm do të ishte krijimi i një amalgame identitare joeuropiane, një mallkim ky që u ka qëndruar mbi kokë shqiptarëve, së paku njëqind vjet para se ta bënin shtetin dhe njëqind vjet pasi e bënë shtetin shqiptar. Përgjatë gjithë periudhës së Rilindjes Kombëtare, përfshirë edhe Lidhjen e Prizrenit, Lidhjen e Pejës, kryengritjet që i patën paraprirë formimit të shtetit shqiptar, pra përgjatë gjithë këtyre zhvillime me parashenjë të qartë kombëtare, në lëvizjen shqiptare ka vepruar e pandarë një rrymë proturke, e cila në disa çaste vendimtare arriti ta devijonte çështjen shqiptare, qoftë duke u bërë zë i fuqishëm vetëm për një autonomi shqiptare në kuadër të Turqisë, qoftë edhe më vonë, duke synuar ta bënte shtetin shqiptar “një Turqi të vogël në Ballkan”. Ishte meritë e një klase politike dhe një klase intelektualësh properëndimorë, të cilët, gjatë viteve njëzet dhe tridhjetë të shekullit të kaluar, përfundimisht e shkëputën Shqipërinë nga trashëgimia anadollake. Mirëpo, në Kosovë, për shkak të zëvendësimit të një pushtuesi me një pushtues tjetër edhe më të egër, nuk u zhvillua procesi i shkëputjes emancipuese nga orientalizmi dhe turqizmi, madje, sikundër dihet, ruajtja e trashëgimisë otomane në të gjithë përbërësit e jetës shoqërore u stimulua nga programi nacional serb. Çuditërisht, jo Turqia e sulltanëve, por Turqia e Ataturkut u bë aleate e fuqishme e njërës dhe tjetrës Jugosllavi për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova. Asgjë nuk ndihmoi që kjo të mos ndodhte, as lidhjet tradicionale shqiptaro-turke, as minoriteti i madh shqiptar në Turqi, as prania e madhe e shqiptarëve në nivelet më të larta të administratës civile dhe ushtarake të shtetit turk. Kosova u lëndua rëndë nga marrëveshjet e fshehta dhe traktatet e mbetura në tentativë ndërmjet Mbretërisë Jugosllave dhe Turqisë, apo të Titos me Kypriliun në vitin 1953 në Split. Që të mund të ndërronte imazhin e saj negativ, tashmë jo otoman, por modern, Turqia do të duhej të kishte kurajë t’i kërkonte falje popullit të Kosovës për këtë gjëmë të madhe që i shkaktoi, duke u bërë aleate e programit nacional serb në gjenocidin e hapur ndaj popullit të Kosovës. Po kaq lëndues për shqiptarët është edhe një fakt tjetër: në njërën anë, arroganca me të cilën ajo kërkon t’i avancojë të drejtat e minoritetit turk në Kosovë, ndërsa, më anë tjetër, minoritetit shqiptar në Turqi nuk ia njeh asnjë të drejtë. Nxjerrja si pengesë e zgjidhjeve kushtetuese që aplikon Turqia ndaj minoriteteve kombëtare është justifikim i paqëndrueshëm, sepse, kur Erdogani ka interes të fuqizojë pushtetin civil mbi atë ushtarak, ndryshimet kushtetuese i bën pa hezitim.

Diskursi apo përmbajtja?

Ndryshimet, për të cilat këmbëngulë administrata e lartë e shtetit turk, në dukje të parë nuk janë të papërballueshme, sepse ngjajnë disi kozmetike, sikur prekin dizajnimin e historisë, pra shkrimin dhe jo substancën, jo përmbajtjen, jo faktet historike. Pavarësisht nga mjegulla që mund të krijohet rreth kësaj çështjeje, qëllimi mbetet po ai: të bëhet “ç’mitizimi” (siç do ta quajë këtë proces njëri nga mbështetësit e këtyre ndryshimeve) i rolit negativ të Perandorisë Osmane në historinë shqiptare, jo sa për sy e faqe, por duke i krijuar favore Turqisë bashkëkohore. Pra, sipas mbështetësve të këtij procesi, historiografia shqiptare e ka mitizuar rolin negativ të Perandorisë Osmane dhe, duke e quajtur atë “pushtuese të egër”, përçon mesazhe negative edhe për Turqinë bashkëkohore. Prapavija është politike, nuk është aspak shkencore. Si në rastin e Këshillit të Europës, kur synohej që, duke zëvendësuar “pushtuesin serb” me “pushtetin serb” të krijohej një klimë e favorshme për kthimin e Kosovës nën Serbi, po sipas këtij modeli, historiografia shqiptare që e quan Perandorinë Osmane “pushtuese të egër”, bëhet pengesë që doktrina e Davutogllusë të gjejë hapësirë me të gjerë veprimi ndër shqiptarët. Më anë tjetër, pavarësisht kamuflazhit, korrigjimet dhe ndryshimet nuk janë aspak periferike, jashtësore, por prekin esencën e trashëgimisë kulturore shqiptare, prekin vetë konceptin e historisë sonë, kuptimin e saj, vlerën e saj. Për shkollarët shqiptarë, të Kosovës apo të Shqipërisë, ç’kuptim mund të ketë Skënderbeu me krejt historinë dhe krejt literaturën që i shoqëron bëmat e tij, nëse përball nuk ka sulltanët pushtues, por ca përhapës të emancipimit? Ç’kuptim mund të kenë letërsia dhe dijet humane të Rilindjes Kombëtare, nëse përball tyre nuk qëndronte një pushtues që ua kishte mohuar lirinë shqiptarëve, por dikush që rrezaton kulturë dhe civilizim? Idetë se shqiptarët kanë marrë pjesë aktive në ndërtimin e Perandorisë Osmane dhe se i kanë shfrytëzuar favoret që ua ka krijuar ajo, janë kryekëput ide të historiografisë serbe. Fundja, historia e popujve të botës asnjëherë nuk është shkruar duke madhëruar vasalët dhe kolaboracionistët e pushtuesve, sado të shumtë që mund të kenë qenë ata, sikundër që as e drejta e popujve për liri nuk përcaktohet nga ky ves i shëmtuar njerëzor. Për më tepër, çdo shtet normal dhe çdo komb i emancipuar, prekjen nga dikush i jashtëm në gjëra kaq esenciale, siç është vetë kuptimi i mësimit të historisë, do ta konsideronte shkelje të dinjitetit, përçmim dhe fyerje.

Kush janë mbështetësit?

Idetë për një rol tjetër të Perandorisë Osmane në zhvillimet historike në botën shqiptare, në historinë e Kosovës në veçanti, kishin një mbështetje edhe para se të shfaqeshin në formën e tanishme. Që në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar në Prishtinë, në periudhën e liberalizimit të dijes historike, në mesin e historianëve tanë (me gjasë, nën ndikimin e historianëve të Turqisë) ishte shfaqur teza se islamizimin e shpejtë dhe masiv të shqiptarëve të Kosovës nën Perandorinë Osmane duhej parë në një këndvështrim pozitiv, sepse, sipas kësaj teze, ka qenë pikërisht ky islamizim që i ka ndihmuar ata të ruajnë identitetin dhe kombësinë, kundrejt sllavizimit, i cili i asimiloi në masë të madhe shqiptarët e krishterë në Kosovë dhe në viset përreth saj. Sesa është e paqëndrueshme kjo tezë, mjafton të sjellim në vëmendje faktin se ishte pikërisht myslimanizmi sllav ai që hoqi përgjithmonë nga posedimi shqiptar Tivarin, Plavën, Tutinin dhe Pazarin e Ri. Më vonë, po këta zëra, ose të ngjashëm, hodhën idenë se Skënderbeu e ka dëmtuar substancën shqiptare me luftërat e tij kryeneçe kundër një perandorie të madhe, siç ishte Perandoria Osmane. Këto shqyrtime, ndonjëherë pseudoshkencore dhe ndonjëherë krejtësisht të përhanta, nga qarqet e disa historianëve u zhvendosen pak nga pak në rrethe fetare ose gjysmë fetare dhe gjysmë shkencore apo intelektuale. Duke ndjekur mënyrën e ndërtimit të doktrinave ideologjike, ligjësia historike shartohet me dogmën, në këtë rast me dogmën fetare, duke deformuar kështu jo vetëm perceptimin e historisë, por edhe krejt kuptimin e luftërave për liri, te shqiptarët dhe te mbarë popujt e botës. Ky është insturmentalizimi më i keq i historisë për efekte joshkencore. Por historia nuk mund të quhet e vlershme, nëse në interpretimin e saj nuk projektohet e ardhmja. Për mbështetësit kosovarë të doktrinës së Davutogllusë, rikthimi në skenën ballkanike të një perandorie turke në kufijtë e Perandorisë Osmane, nëse jo me kufij politikë, atëherë gjithsesi me kufij ekonomikë, fetar dhe kulturor, së pari, do të fuqizonte faktorin shqiptar në Ballkan, madje duke arritur ta bashkojë atë, siç ishte i bashkuar në kohën e asaj perandorie (si alternativë e bashkimit të paarritshëm europain); dhe, së dyti, bërja e Kosovës republikë islamike, sipas tyre, do të shkonte më lehtë përmes një islami të moderuar, të tillë çfarë e kultivon Turqia moderne. Shqyrtimet e këtilla mendjelehta, të cilat fshehin brenda ca dredhi primitive, nuk besoj të krijojnë hapësirë më të madhe në botën shqiptare të ideve, sikundër që edhe kjo trysni politike e radhës mbi historiografinë, kulturën dhe mendimin shqiptar do të dëshmohet si një recidivizëm tragjik, i frikshëm për nga egërsia, por me parashenjën e qartë të dështimit pa alternativë. 

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.