Meta

PSIKOGRAFI PRIMATËSH (IX) Kryepesimisti ndër filozofë, Ciorani i tha gazetares dhe përkthyeses Branka Bogovac (Le Comte, 1992): «Njeriu i pafajshëm s’mund të bëj politikë. Politikani naiv është katastrofë dhe i rrezikshëm për një vend. Politikanët e vërtetë nuk bëjnë iluzione sepse i bëjnë shumë dëm vendit». Sikur Ciorani të kishte reflektuar duke qëndruar para portretit të politikanit shqiptar Ilir Meta.  Ky i fundit nuk është naiv, s’bën iluzione dhe nuk është i pafajshëm. Përkundrazi: shikuar nga aspekti i përgatitjes intelektuale, jo vetëm se është akademik me përvojë ligjërimi edhe në Akademinë Evropiane të Berlinit dhe Universitetin famëmadh të Harvard-it, porse edhe në politikë vepron me një utilitarizëm transparent, kalkulues deri në përimtësi saqë efektin e dëshiruar e paraimponon si akt të kryer politik. Qartë, Ilir Meta nuk është naiv dhe nuk bën iluzione si shumica e politikanëve tjerë të Gadishullit, po pse nuk qenka i pafajshëm? Jo sepse religjionet na çanë kokën për të na bindur se njeriu lind e vdes mëkatar, porse politika është nga ato zejet që vetëm despotëve dhe tiranëve «ua lejon» (vetë)mashtrimin të jenë të pafajshëm.  Ciorani kishte të drejtë – s’ka politikanë të pafajshëm. E në Ballkan edhe më hiç. Cilat janë fajet e Metës? Do e akuzojnë ta ketë përçarë dhe dobësuar thellë të majtën shqiptare. Kundërshtarët e kanë bërë refren skandalin e videos që publikoi «Fiks-Fare» ku Meta pranon mitë (ryshfet) nga një firmë ndërtimi. Gjykata e liroi por jo edhe kujtesa e masave. Kohëve të fundit fajësohet të jetë kameleon: herë me Berishën e herë me Edin, herë me të majtën e herë me të djathtën.

KARRIERA
Studenti nga Çorovoda e Skraparit ishte ndër figurat aktive brenda Lëvizjes Studentore të Dhjetorit (1990). Asaj Lëvizjeje që doli promotori i rënies së pushtetit të vjetër e që solli «sistemin« e ri me plotë primatë të pushtetit të vjetër. Meta është politikani i zgjedhur në të gjitha legjislaturat e parlamentit shqiptar dhe ndër deputetët me përfaqësime rekord të komisioneve të ndryshme parlamentare dhe shtetërore. Si ministër dhe kryeministër ndikoi ca në tre aspekte: përmirësimin infrastrukturor, në atë të makro-ekonomisë dhe në rritjen e besimit tek të huajt për të besuar në seriozitetin e vullnetit shqiptar që ecë drejt integrimeve evropiane. «Po të ishte Ilir Meta politikan i ndonjë demokracie perëndimore padyshim se do të ishte ndër më të suksesshmit dhe pa rrëshqitjen më të vogël», kështu njëri nga miqtë eurosocialistë të tij dhe aktiv pranë Komisionit Ndërkombëtar të Giuliano Amato-s për Ballkanin, në të cilin Meta është edhe anëtar i bordit kryesues.

AKUZAT DHE REALITETI
Dëmin më të madh në autoritet dhe integritet – përfundim i disa analistëve shqiptarë e të huaj –  padyshim se Ilir Meta e mori me videon e cila e ekspozon si politikan të korruptueshëm. Kjo gërvishtje – përkundër faktit se në Shqipëri dhe Ballkan nuk ka qytetar  normal që beson ta njoh ndonjë politikan të pakorruptuar apo ndonjë që nuk ka marrë mitë ndonjëherë – do të mbetet gjithmonë material komprometues për primatin Meta. Akuzat se çau në dysh të majtën, pas fuzionimit me Edi Ramën kanë hyrë në stadin e avullimit. Pandehja se është kameleon vjen nga gjykues «që kanë defekte perceptimi dhe njohjeje të politikës si të tillë», na thotë një kombatant i tij, domethënë syresh që ende nuk e kanë kuptuar thelbin e aforizmës së Heraklitit «panta rhei» (gjithçka rrjedh – lëviz pra).

 

ANALIZA: Në çështjet patriotike: Refuzon çdo ide primordialiste. Pragmatik. Në politikë: Zóon politikon. Perceptimi jashtë: I rrjetëzuar më shumë se çdo politikan tjetër shqiptar. Perceptimi brenda: Ka ithtarët më besnik për dallim nga partitë tjera. Konkurrentët e sulmojnë gjithmonë në atë mënyrë sikur me gjithë dëshirë do të donin ta përvetësonin. Masat dhe mediat gjykojnë përherë sipas momentit – herë asgjësuese, herë partishmërisht e herë kot. Ethosi: Utilitarist. Pa preferenca të kufizuara ideologjike dhe religjioze. Diagnoza: Ilir Meta do të mbetet një nga politikanët – primatët me peshë relevante në shoqërinë dhe politikën shqiptare.

NOTA JONË (si politikan): Mirë!

Ilir-META 02

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.