Fe se frikë?

ULTIMA RATIO IIArkeologët thonë se frika ka qenë motivatori zanafillor nëpër artefaktet me karakter religjioz. Jo pa të drejtë: Të parat vizatime e skica, të zbuluara shpellave të orientit (datuar dyzet mijë vjet para e.s.) ekspozojnë dukuri, momente dhe figura që atë kohë janë konsideruar si rreziqe konkrete për njeriun. Paleontologu francez André Leroi-Gourhan [Religjionet e parahistorisë; 1981] është i sigurt se veçanërisht frika nga e panjohura, padija është burimi i çdo religjioni. Të njëjtin shpjegim e gjejmë gjithandej teksteve antike: Në një satirë (450 para e. s.) që i mëveshët dajës së Platonit Kritias e që mendohet ta ketë shkruar Euripidi, Sizifi thotë: «Na ishte njëherë një kohë kur njerëzit jetonin pa rend, njëjtë si shtazët grabitqare me dhe nën dhunën më primitive. Atëherë të mirët nuk shpërbleheshin dhe të këqijtë nuk dënoheshin […] pasi njeriu nga njeriu s’kishte frikë, të mençurit shpikën zotërat, ata që shohin gjithçka dhe dënojnë (apo shpërblejnë) gjithkënd për veprimet që i kryen në tokë», në këtë mënyrë sofistët të parët denoncojnë instrumentalizimin e frikës ndaj perëndive në favor të rendit, ligjit dhe koekzistencës postbarbare. Edhe fjala Religjion është konform këtij shpjegimi satirik: ajo burimin e ka në religio-n ose relegere-n latinishte që donë të thotë: respektim i rregullave dhe shenjave!

Layout 1

HUMANISTËT – Nga kjo traditë rezonimi nisej edhe Islamologu Prof. Dr. Josef van Ess kur shkruante: «sa më i arsimuar dhe sa më i perendimëzuar të jetë religjiozi aq më shumë tërhiqet në privatësinë e tij dhe i bindet shekullarizimit si formë të vetme harmonie shoqërore» [Pesë religjionet e mëdha: 1991]. 

NEOATEISTËT si Christopher Hitchens, Daniel Dennett, Michel Onfray, Sam Harris dhe Richard Dawkins e përdorin pikërisht këtë teori për t’i kategorizuar fetë si «fabrika idiotësh që kanë për qëllim sundimin nëpërmjet frikës, kërcënimit, poshtërimit të qenies humane dhe përdhunimin e inteligjencës së njeriut». Jo kështu ashpër por me burime të pakontestueshme historike argumenton autori i më se 50 studimeve mbi kulturat dhe religjionet dhe njëri nga shkenctarët më të shpërblyer në lindje dhe perëndim Jan Asmann. Në veprën e tij «Dallimi mosaik (Moses, Musa) – ose çmimi i monoteizmit» [2003] Asmann që nga primatët e religjioneve pranohet si NEUTRAL religjionet monoteiste i konsideron si burimin e intolerancës, dhunës, ekskluzionit, dhe urrejtjes.

RELIGJIONET natyrshëm kundërshtojnë tezat e kundërshtarëve të tyre duke argumentuar me ortodoksinë se besimtari i sotëm jo nga frika, por nga nevoja për mbrojtje, vetëkontroll, shpresë në pavdekësi, meditim dhe respekt ndaj traditës kulturore e shoqërore ushtron realigjiozitetin e tij. Kjo është edhe ortopraktika e shumicës së besimtarëve të pesë religjioneve të mëdha.

ANALIZA Neoateistët shikuar nga perspektiva e të gjitha dokumenteve të lirisë dhe të drejtave të njeriut ushtrojnë racizëm kulturor ndaj gjithë atyre që moralin personal e arsyetojnë me fetë. Humanistët dhe neutralët vazhdojnë qëllimisht ta shfaqin vetëm njërën anë të medaljes – atë negativen. E se kjo nuk iluminon por dëmton e dimë ndërkohë të gjithë. 
Pas Iluminizmit, shekullarizimit dhe instalimit të demokracive sidomos në sferën perëndimore të Europës padija dhe frika edhe pse ekzistente nuk janë më instrumentet kryesore të shumicës së religjioneve të mëdha. Ato më shumë i përkojnë etikës së individit religjioz se sa ndonjë programi misionar.Ose atyre nuk iu lejohet një mundësi e tillë. Problemi – që te krishterët është hipotekë historike sepse deri para epokës së shekullarizmit fillimisht krishterimi dhe pastaj kisha katolike kanë përdorur frikën për dhunë, kanë instrumentalizuar për të sunduar – në kohë tjetër dhe në sfera tjera është shfaqur në Lindje dhe në pjesët tjera ku ekstremistë myslimanë luftojnë për islamizimin e shtetit. Kështu që myslimanizmi sot bën më shumë luftë me rrymat e shumta radikale brenda vetes se sa mision. Grupet të cilat me dhunë dhe terror duan të kapin, asimilojnë ose asgjësojnë shtetet dhe madje botën nëse ato nuk pranojnë diktatin e tyre përbëjnë sot imazhin edhe të Islamit. Mirëpo, po studiuam e analizuam gardën e liderëve të këtyre rrymave, programet dhe strategjitë që kanë nuk na duhet shumë zgjuarsi të konstatojmë se në thelb nuk kemi të bëjmë me ndonjë mision «islam», por më shumë me aspirata grupesh që duke frikësuar e keqpërdorur masat e tyre të sinqerta e të painformuara duan të kapin pushtetin në vendet ku operojnë.

[Kolumna e radhës: U bënë shqiptarët katolikë, myslimanë e ortodoksë nga qejfi apo frika, lufta për ekzistencë e padija? Cila është harta reale religjioze e shqiptarëve?]

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.