Islam apo iman?

islam-will-dominate-the-world

 ULTIMA RATIO IV / DJE – «Mo luni futball se bëni gjynah, është isto sikur me lujt me krajen e Muhamedit» u thoshte hoxha fëmijëve që nga frika shtangeshin si statuja. «Po rajtet cauca, po rajtet», e sinjalizonte imami ndonjë prind, vajza e të së cilit sapo kishte filluar t’i japë shenjat e para të femërisë. Prindi i zënë keq e në turp me vajzën që po i bëhej «grua» ia kthente klerikut të bërë hundë e buzë: «Ëni be hoxhë ëni, çe ene ni mot e sosën tetëvjeçaren ene e martoj. Mo ma baj gajlen se nauk e lë t’boet shkinë».

Listën e sekuencave të tilla mund ta vazhdonim deri në pafundësi. «Udhëzimet» e klerit mysliman në Maqedoni dhe viset tjera të ish – Jugosllavisë nuk preknin vetëm sportin, seksualitetin dhe arsimin, por ato ndikonin në çdo segment të përditshmërisë shqiptare: Aty ku nuk ndiznin «arsyetimet reale» përdoreshin besëtytnitë, hajmalitë dhe presioni i grupit apo edhe asistenca e shërbimeve të sigurisë së shtetit.
Nisur nga kjo atmosferë lehtë kuptojmë se pse veç në fund të viteve të tetëdhjeta ca familje morën guximin që të shpërfillin diktatin e imamatit duke lejuar ndonjërën nga vajzat që të shkonte në shkollë të mesme, edhepse kjo ndodhte përmallë, shumë rrallë [në 10 mijë banorë vetëm një apo dy vajza shkonin në shkollë të mesme].

SISTEMI – Kjo metodë veprimi e klerit mysliman shqiptar nuk u ngrit mbi rrënojat e ndonjë tradite përkohësisht të suspenduar nga «komunizmi» e që si program e anakroni do të riaktivizohej do dekada më vonë, por ishte më tepër zanafilla e një dukurie të re. Kështu sepse jo vetëm nga opusi letrar, por edhe në burimet tjera të kësaj periudhe mësojmë për pjesëmarrjen aktive të hoxhallarëve në luftërat e ndryshme [deri pas mbarimit të LDB-së] për formimin kombëtar të shqiptarëve. Madje disa prej atyre imamëve, në portretim e sipër, dalin të kenë qenë edhe megancionalistët e orëve të para dhe për më tepër disa prej tyre dalin edhe si rezistues aktivë karshi versionit të Mit’hat Frashër Beut (ideologut të ballistëve) që turqishtja të merrej si bazë e alfabetit shqip.

Dikur, pas «kthesës së madhe» të Titos [zbutja karshi religjioneve dhe braktisja e elitës pansllaviste serbo-moskovite] në fund të viteve të 60-ta, edhe në viset e banuara me shqiptarë u intensifikua organizimi hierarkik, sistemor dhe faktorizues i Bashkësive Islame. Qëkëtej – madje mund të datohet e përshkruhet me një saktësi të tmerrshme – nis edhe forma e ligjërimit dhe veprimit siç e pasqyruam në fillim të kësaj kollumneje: destruktive, diskriminuese dhe stagnuese. Tezën; hoxhallarët të kenë vepruar ashtu vetëm nga «injoranca e tyre personale» e përmbys koherenca e sistemit, uniteti në propagandë i të gjitha bashkësive në ish-Jugosllavi si dhe krahasimi me bashkësitë tjera fetare, të cilat edhe pse të nënshtruara nuk i shërbenin sistemit e pushtetit me aq servilizëm e militantizëm sikur myslimanët. Pse vetëm ndër shqiptarë veproi kështu kleri mysliman?

ANALIZA DHE SOT – Nga dy alternativat; ndërmjet hoxhës shqiptarist dhe atij servil (propushtetit jugosllav), një pjesë e konsiderueshme e klerit të sotëm myslimanë kanë zgjodhi të dytin si model. Për arsye se «karakteri» i dytit përmban në vete edhe mundësinë e internacionalitetit, çka i pari, ai shqptarocentrik e përjashton. Ulërimat e imamëve: «po humbin vlerat, morali dhe nderi» shqip do të thonë «nuk na ec fjala si etërve tanë në kohën e  Titos» e jo se dikur paska sunduar ndër shqiptarë sheriati e tash s’qenka më. Sulmet ndaj religjioneve tjera e veçanërisht atij katolik kanë të bëjnë më shumë me pseudokonstatimin klerikal: «e gjithë kultura, me këtë edhe identiteti shqiptar është kap në kurth të versionit katolik – properëndimor», çka implikon perceptimin e identitetit ekzistues shqiptar si konkurrencë dhe pengesë të ndonjë tjetrit. Kujt?

Problemi buron nga një kontradiktë e përjetshme interislame. Baza e çështjes së pazgjidhur fillon në suren 3:19; «Si religjion te Zoti vlen vetëm Islami», potencohet në 5:3; «unë zgjodha islamin si religjionin tuaj» dhe vuloset në suren 49.16 të Koranit ku arabët detyrohen të përsërisin «ne pranuam Islamin»! Drejtëlexuar: jo pranuam īmān –in (besimin) por islām-in (religjionin). Ku është dallimi këtu? Që nga paramoderna e deri sot shumica e dijetarëve islamë kërkojnë që në fillim të favorizohet īmān –i si mjet ekspansioni e jo islām-i, sepse i fundit perceptohet edhe si identitet, hapësirë kulturore, etnologjike, sociale e ekonomike me arabët si primatë dhe si i tillë krijon konflikte me identitetet tjera nacionale. Me të drejtë. Për çka?

Ngase Islami në vete më shumë se sa besim (për muʾmin-in – edhe në Koran del sekondare) funksionon si sistem, identitet me synimin fondamental e kapital për të «rregulluar» mbarë jetën e një shoqërie, shteti, kombi. Apo është ndryshe? Si e debatojnë myslimanët shqiptarë këtë konflikt? Hiç? Si e perceptojnë ata veten ndërmjet imanit dhe islamit? Si do të reagonin myslimanët po që se shtetet shqiptare do të kërkonin nga Bashkësitë islame të marrin qëndrim të prerë pro iman-it apo islami – t, pra të vendosnin bashkë me të gjitha fetë tjera ndër shqiptarë në ndonjë Konventë se vetëm besojnë e jo edhe ëndërrojnë rrëzimin e demokracive, shteteve laike dhe instalimin e sheriatit? –Në kollumnën e radhës: kush janë imanofilët e kush islamofobët!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.