Metafora e prushit

ESE MBI QENIEN SHQIPTARE / Mitet, magjikja dhe identiteti i një populli evropian që «lindi» nga gërmadhat e një perandorie lindore. Shqiptarët «ç´kanë qenë, ç´janë e ç´duan të bëhenë»?

 Teksti «Le destin  dela Grèce moderne» [Fati i Greqisë moderne] që filozofi franko-grek Kostas Axelos e botoi në revistën Esprit (qershor 1954) tmerroi grekët dhe eurocentrikët. Grekët u përdatën sepse Axelos nuk gjente asgjësend konkrete sociologjike, psikologjike e etnologjike për ta shpallur athinasin e sotëm pasardhës të asaj «racës» së pashme të Epikurit, ndërsa eurocentrikët dhe konservatorët urrenin saherë që t’ua kujtoje se trashëgiminë e mendimit oksidental e shpëtuan filozofët persë e islamë Averreos [ibn Rushd], Suhrawardi dhe Avicenna [ibn Abdullah ibn Sina].

Axelos, grekun e sotëm e shihte si identitet të lindur nga hiri i krematoriumit ku u dogj Bizanti. Këtë tezë filozofi e mbështeste me credon nacionale të shekullit 19, respektivisht me ideologjinë e Rilindjes greke të Megáli Idéa-s, e cila ëndërronte ringjalljen e perandorisë bizantine e jo pra atë të Magna Graecia-s. Kështu ngase Bizanti si amalgamë e juridiksionit romak, religjionit të krishterë dhe kulturës greke – siç konstaton bizantinisti Georg Ostrogorsky – më shumë shkrumbon se sa trashë fijet lidhëse me antikën. Historiani Johann Gustav Droysen, «hellenismós­»-in e shpjegon si «përpjekje për ta imituar antikën» [«Helenizmi« në Leksikonin e vogël të Helenizmit Fq. 1-9, gjer.], ndërkaq historiani antidemokrat Oswald Spengler konceptoi grekët e vjetër «si botë magjike» që ekzistuaka vetëm në mendjen e evropianëve që s’kishin me çka tjetër të konstruktojnë bazën e identitetit të tyre kontinental.

Që nga «konsolidimi» (1967 e pastaj), stabilizimi i shtetit grek dhe 13 vjet pas botimit të esesë të Kosta Axelos-it politika zyrtare e Athinës vendosi për konstruktimin e një identiteti proantik. Ia doli? Jo. Njëra nga «pengesat» themelore për ribërjen praktike të «Greqisë antike», kështu grekologët e huaj, është populli i saj ortodoks, i lidhur shpirtërisht e fortë me sferën sllave, e cila ende ngulë këmbë në idenë e historianit dhe teologut kroat të shekullit 17 Juraj Križanić, i cili kërkonte bashkimin e gjithë sllavëve [ortodoksë] nën flamurin rus dhe si e tillë qenka «jokompatible» me botën dhe frymën antike.

SIMBOLIKA E PRUSHIT
Të urtit e lindjes [Upanishadat, Samkhya, «Rrota budiste e jetës»] dhe më vonë edhe ata të perëndimit [Herakliti, Demokriti, Epikuri…] besonin se gjithçka që Bëhet primamaterie [prakrit ose atom] i nënshtrohet metamorfozës permanente deri në [antika] Zhbërje. Sot as shkencat ekzakte e as Religjionet nuk besojnë në përjetësinë e Tokës, secila ka mbushë pantallonat nga apokalipsa e vetë.

Si duket nga ky panik, për t’i ikur këtij «realiteti», njeriu i gjitha racave, kulturave dhe sferave gjeografike – paralelisht me teoritë e lartëlistuara – mori azil te Shpirti (që përzihet me frymën), i cili herë evidentohet si individual, herë si racor, kulturor, kombëtar, universal [anima mundi ose psyche tou pantós] dhe herë siç bëjnë religjionet të cilat frymën e përdorin si mjet të Zotit për të shpirtëruar gjallesat.

Filozofi frankogrek Kostas Axelos shihet se nuk bazohet në teorinë e bërje-zhbërjes kur ndërton por aludon në të dytën, sepse vetëm ajo e çabsurdizon sadopak «metaforën» e tij të «prushit». Kjo teori u shërben sidomos biologjistëve, nacionalistëve dhe gjithë atyre që besojnë në pashprishmërinë e gjenit, gjakut dhe racës. 

NGA I CILI HI MBETI PRUSHI SHQIPTAR?
Dolën edhe shqiptarët nga hiri dhe gërmadhat e perandorisë osmane? E kanë edhe këta po të njëjtën hipotekë si grekët: ndonjë religjion të trashëguar nga ndonjëri pushtues që nuk i le të hapërojnë «vertikalisht»? Ndoshta. Sidomos për nga kronologjia po.

Metafora e «prushit» [nga nënhiu prushi antik rindez shpirtin grek] që Axelos e përdor për t’i dhënë orientimin «proantik» identitetit të grekut modern për nga përpjekja faktike i shkon më shumë shqiptarit pasmodern. Pse?

Ndoshta ishin studiuesit e oborrit austrohungarez dhe gjermanët kontribuuesit iluministë që nuk i lanë shqiptarët të gabojnë si grekët, pra duke luftuar për ta ruajtur «identitetin» e imponuar të perandorive nga «dolën». Përveç kësaj së paku edhe dy traktate themelore të asaj kohe shfaqin refuzimin absolut të vetë shqiptarëve të kenë diçka të përbashkët me perandorinë osmane: Pashko Vasa në studimin e tij «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët – një studim historiko-kritik» (1879) e kërkon vetëdijesimin e popullit «më të lashtë» me gjenealogjinë e tij, duke implikuar orientimin që ai duhet të ketë për të ardhmen. Pas guvernatorit osman të Libanit Vaso Pasha [Feja e shqiptarit është shqiptaria] edhe më konkretisht, 55 vjet para grekut Axelos doktrinën e formulon njëri nga etërit e identitetit modern shqiptar, i cili paralelisht ishte edhe kryekulturëbërësi i osmanizmit; Şemseddin Sami [«Dielli i religjionit»], vërtet Sami Frashëri në traktatin e tij «Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet» kërkonte kategorik «varrosjen sa më urgjente [Pjesa e dytë] të kufomës osmane». Ky, më vonë edhe komplet elita rilindase shqiptare do të propagandojë versionin iliro-antik si bazë mitologjike e historike për të krijuar shqiptarin e ri pasosman.

Më vonë asnjëherë – në stilin e intelektualëve grekë – nuk pati diskurs shqiptar që do të analizonte gjendjen reale dhe do të skiconte orientimin e synuar të tyre. Sistemi protokomunist i Enver Hoxhës me tendencën për ta bërë «Njeriun e Ri», internacionalistin, njëkohësisht duke i mbetur besnik linjës së rilindësve dështoi ta bëjë të «riun» dhe përdhunoi edhe atë që ishte. E njëjta ndodhi edhe me shqiptarin jashtë kufijve, në Kosovë e Maqedoni, atje ku hutia madje morri përmasat e skizofrenisë, sepse shqiptari i pasluftës u detyrua të notonte në një biotop identitar ku çdo amebë brenda tij ishte i predisponuar ta kapërdij tjetrin.

BOTA SI Ç’ËSHTË
Sot kthjellët, saherë që analizojmë hartat aktuale etnologjike, kulturore, sociologjike, politike e antropologjike të dy kombeve në krahasim e sipër detyrueshëm i nënshtrohemi botës kështu si «ç´është», pasi për atë «se ç´ka qenë» as idenë nuk e kemi, na mungon materiali dhe nuk na ndihmojnë as metaforat e bukura të prushit dhe shpirtit, as magjikja e as astarimet mitike për t’i ikur atopisë. Të ndikojnë shqiptarët munden vetëm në atë se «ç´do të bëhet». E kjo e fundit nuk kërkon vetëm intelektualë të tipit të Axelos-it, por parasëgjithash i vë kushtin kapuçbardhit që apriori ta pranojë veten kështu siç është; polihibrid, në modusin e «species» jo të konservuar muzeve antike, por gjithmonë nën rrotat e transformimit permanent. Ndoshta, ndoshta me këtë vetëdijesim karshi realitetit do të mundeshin edhe shqiptarët ta skicojnë një orientim intelektual se ç’ identiteti do të ishte më i përshtatshmi për të siguruar paqen ekstratemporale në biotopin e tyre.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.