Islamofobët

E di ndërkohë edhe myslimani se kush është «Antikrishti»?

Tendencat e disa paradigmave të reja për t’i kategorizuar pjesëtarët e religjionit islam në mysliman dhe islamistë kanë të bëjnë me qëndrimin refuzues të do akademive perëndimore kundër paushalizimeve mediale dhe politike. Është mekanizëm në mbrojtje të idesë së heterogjenitetit interislam. Në taborin e myslimanëve „rekrutohen“ gjithë ata që praktikojnë pesë shtyllat e Islamit dhe jo më shumë, ndërsa në grupin e të dytëve futen militantët me synime ekspansioniste (civilizatore). Etimologjikisht të dy nocionet kanë pothuaj të njëjtin kuptim. Një seleksionim të tillë, mirëpo përdorin edhe vetë teologët arabë – si primatë të religjionit – duke kërkuar dallimin më kategorik ndërmjet Islamit si sistem politokulturor dhe besimtarëve të „rëndomtë“ (Gardet. Islam. I. Definition and Theories of Meaning“ in The Encyclopaedia of Islam).

Për ideatorin (dhe nxitësin) e rimëkëmbjes panislame në librin e tij «The Clash of Civilisations» (1996) Samuel P. Huntington kategorizimet e tilla ishin kot. Në dy teoritë kryesore që shtroi: «Resurgence of Islam» (91-95, Rimëkëmbja islame) dhe «Fault line war» (266-300, Teoria e friksionit) ai argumenton pro një islami homogjen që bëhet gati t’ia mësyjë botës përtejarabe me dhunë, mjekrra, shami, shpata për ta shndërruar oksidentin në shkrumb e hi. Teleologji apokaliptike, histeri apo frikë e kuptimtë.

Si e përjetojnë shqiptarët këtë?

KOSOVA SI SHEMBULL

Një grup i vogël panislamistësh luten ndoshta ditë e natë që Huntingtoni të kishte të drejtë. Shumica tjetër edhe në këtë aspekt preferon mjegullën. Qeveria bën sikur agjëron, gjersa partitë mirëpresin çdo konflikt për t’i shtuar apo humbur edhe do ithtarë.

Brenda komunitetit islam nga njëra anë kemi institucionet zyrtare të këtij religjioni të cilët herë pas here deklarojnë se «Bashkësia Islame e Kosovës është kundër çfarëdo rryme ekstremiste fetare dhe … se asnjë parti politike në programin e saj nuk proklamon mbrojtjen e vlerave islame» (Hajrullah Tërnava: 09.07.2013) dhe nga ana tjetër kemi LISBA-n kërcënuese, klerikun wahhabi Shefqet K. bashkë me një rrjet ekstremistësh të xhamive shqiptare dhe një grup semiakadamik, gjurmët e të cilit mbërrijnë deri në shtrojat e zyrave të ministrit të kulturës kosovare. Përtej tempujve të këtij religjioni dhe zyrave të sekteve e grupeve radikale apo të korruptuara shumica e shqiptarëve (edhe shumica myslimane) kacafyten me varfërinë, përditshmërinë nënçmuese, lirivrasëse dhe nga aporia herë marrin anën e „xhehnetit“ e herë të realitetit.

ISLAMISTËT

Pjesa dërrmuese e myslimanëve shqiptarë – nga reagimet, debatet dhe numri i militantëve institucioneve të religjionit – manifeston përkrahje për islamin si besim, pra siç i quajmë ne këtu, janë imanofilë. Këtë qëndrim ata e demonstrojnë sidomos me qëndrimin karshi shtetit të tyre parademokratik dhe laik. Në këto kushte e disponim ç’efekti kanë grupet radikale dhe islamistët? Aktiviteti i tyre ndikon në dy dimensione: 1. Militantizmi i tyre agresiv nxit ashpërsimin e nacionalizmit shqiptar; detyron shtetin të mbrojë veten me ligje edhe më rigoroze që patjetër do të diskriminonin edhe imanofilët dhe; i japin politikës një „fajtor kujdestar“ për t’iu ikur përgjegjësive që ka. 2. Wahhabitë prodhojnë domosdoshmërisht imazh të keq, intolerant ndaj myslimanëve shqiptarë – pra bëhen fabrikë stigmatizimesh që prodhojnë jo vetëm më shumë nacionalistë shqiptar por edhe islamofobë; Korrupton strukturalisht një pjesë të shoqërisë me një „ideal“ jokompatibël me kohën, kulturën dhe traditat e shqiptarëve, i gënjen dhe manipulon ata me premtime që edhe në filmat science –fiction do të ia ftohnin çdo absurditeti. Pse?

REALITETI

Sepse islamistët premtojnë instalimin e një sistemi kulturor, politik që ka ngelur në shekullin 14 dhe asnjëherë nuk ka reformuar veten (Bassam Tibi. Sfida islame:2007). Sepse bota nuk bëhet vetëm me kryqëzim (çka perëndimi e kuptoi me kohë) permanent e as po i ra me kokë dheut edhe 20 herë në ditë. Sfera islame sot është pjesa më e varfër, më e prapambetur (në shkencë, tekonologji, politikë, ekonomi, militarizëm) e globit. Mbi 80% të analfabetizmit botëror e përbëjnë vendet ku dominon religjioni islam. Tiranitë dhe despotët më arrogantë ndaj popujve të tyre banojnë atje. Me ç’argumentesh manovrojnë islamistët shqiptarë atëherë? Se islami qenka rruga e mirëqenies dhe paqes, porse arabët nuk ditën? Se këta do t’i dëshmojnë Allahut se ka bërë gabim që ka zgjedhur Muhamedin profet të tij e jo ndonjë Flori a Laur?

Përderisa ndaj këtyre pyetjeve s’kemi përgjigje bindëse atëherë analizojmë ndryshe: Për nga efekti, nga ai që rezulton puna e radikalëve islamikë u përngjajnë atyre shërbimeve sekrete të disa shteteve dhe ideologëve të homogjenitetit (Huntington) që nuk i zë gjumi nga islamofobia, çka do të thotë se: në praktikë islamistët janë edhe islamofobët më aktivë. Perëndimi pati sukses në neutralizimin e ekstremistëve, shtetet shqiptare nuk dinë si dhe…më shumë në kolumnen e radhës: Si duket çelësi i shekullarizimit shqiptar?

Po edhe myslimani e ka mësuar se kush është «Antikrishti»: Islamisti!

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.