Një përgjigje

Nuk është vetëm Shefqet Krasniqi model i njeriut që mendohet se proklamon Islamin e keq . Me shume se Shefqet Krasniqi  – Imami i Kosovës është tolerues i të patolerueshmes dhe i paaftë të qenë në krye të besimtarëve islamë të Kosovës

batoni
Baton HAXHIU

Natyrisht kemi parasysh fjalën e lirë. Pa rezervën edhe më të vogël konsideroj se çdokush ka të drejtë të shpreh mendimin e tij. Kjo mirëpo vlen brenda ca konditave etike, politike, profesionale publicistike dhe shoqërore. Autori Krasniqi shpesh i shkel ca prej këtyre me sugjerimet që i bën nga perspektiva e kornizuar dhe shablloneve në favor të vetëm të religjionit dhe doktrinës së tij panislame».

Kështu me shkruan miku dhe kolegu im nga Zvicra, Xhemal Ahmeti.

Një sqarim për fillim. Se shqetësimi yt është edhe shqetësim imi, por për dallim nga ti, i dashur Xhemal,  unë, nuk i marre shume seriozisht neoislamët. Pse?

Kosova e pasluftës po ballafaqohet me fillet e reja të një gjuhe tjetër të besimit islam. Kryesisht ka të bëje me paragjykimin dominues që ka perëndimi dhe kultura perëndimore mbi besimtaret islam në Kosovë.  Por «sunduesit»  e së drejtës islame në Kosovë, besimin nuk e shohin mbi vlerat e besimit dhe mbi dëshirën për të besuar. Ata po ndërhyjnë  në pikën kryesore të shoqërisë kosovare: islamistët e rinj po ndërtojnë diskursin në një hapësirë perëndimore siç është Kosova duke dashur që gjuha që flasin të përshkruhet si gjuhë e «Rilindjes», të një islami antiperëndimorë. Ky diskurs e ka bazën e paprekur që nga koha e themeluesit te islamit  – që feja dhe shteti duhet të jenë bashkë. Dhe, kjo gjuhë, edhe nga të rinjtë e ardhur ne Kosovë (islam), pas kaq shekujsh të Islamit nuk kane ardhur me ide dhe bindje të reja, të reformuara, të ndryshuara. Model ky i gjykimit fashist, që praktikojnë  edhe neoislamistët prezentë në Kosovën e pasluftës.

Islamistët e rinj nuk duan besim. Ata duan pushtet sepse për ta islami është shteti.  Për ta Identiteti dhe qeverisja janë të bashkuara dhe janë të ngulitura në kokën, kujtesën dhe ndërgjegjen nëpërmjet shkrimeve, bisedave, klandestinizmit, rekrutimit te fëmijëve dhe gjuhës, që përdoret në shumicën e xhamive të Kosovës. Islamistët e rinj pra, sipas kësaj logjike,  ndarjen e shtetit nga feja e shohin të pakuptimtë, sepse i konsiderojnë këto dy entitete të pandara.

Dhe meqë fjalitë dhe storiet televizive janë biznes atëherë, natyrshëm, mund të lexoni ndonjë gazetë apo të ktheheni në ndonjë transmetim lajmesh dhe jeni i detyruar të ndesheni me tregimet e radikalëve islamikë shpeshherë duke kërcënuar të tjerë por edhe duke kërcënuar njëri-tjetrin – dhe gjithmonë vetëm në lidhje me të gjithë të tjerët.

Në Prishtine, «xhihadistë», me mbështetjen e një grupi hoxhallarësh, janë përleshur me grupet besnike të fesë dhe besimit normal tradicional të vendit të njohur ndërkombëtarisht.
Disa Wahhabi – stë, secili duke pretenduar të përfaqësojnë Islamin e vërtetë, mbajnë nën presion besimtarët.
«Partia e Zotit» te tyre  kërkon të shkatërrojë demokracinë duke provokuar për të eliminuar gjithçka qe është arritur deri më tani.
Në Kosove si dhe ne Evropë, prodhuesit, romancierë, gazetarë, karikaturistë dhe regjisorë janë gjithnjë e më të kujdesshëm nga frika e kërcënimeve me vdekje nga neoislamistët.

Islami radikal – është i qartë, por pyetja është se pse ky diskurs i dhunshëm edhe në Kosovën tolerante; pse kaq shumë momente tendosjeje dhe intolerante?

Ngjitja e Islamit radikal ne Kosove është, ndoshta, kulmi i natyrshëm i jovlerës, nga fakti sepse periferia konsumon gjithmonë një shekull me vonesë sistemet politike. E sistemet politike në të gjitha vendet ku ka islam janë të dështuara sepse janë shtyrë nga ideologjitë moralisht te falimentuara, e njëkohësisht të udhëhequra nga diktatorë mizorë – ose të dyja bashke -, despotë autoritarë benzinë-monarkish, që sundojnë mbi shtetet arabe.

Neoislamistët kosovarë, të ardhur me dije brutale, e shohin Islamin radikal si derë të fortë për pushtet. Por harrojnë se ne dimë shumë mirë se sistemet dhe mënyrat e tilla të të menduarit janë totalitare dhe parasëgjithash, moralisht të falimentuara.  Ndryshe fashizmit apo komunizmit, që janë shkatërruar nga vetvetja dhe nga ndikimi i jashtëm, Islami radikal po rritet në nivel lokal, dhe vështire po rrënohet nga akuzat e kontaminimit qe vijnë nga faqet e gazetave.

Në të vërtetë, islamistët e një bote periferike çfarë është Kosova, pretendojnë të zhvillojnë xhihad kundër modernizmit dhe globalizmit të botës Perëndimore. Mesazh ky që bëhet i rezonueshëm rëndom në vendet e varfra myslimane dhe në Kosovën me mercenarë të importuar islamofanatikësh.

Akutshëm imponohet pyetja; nga çka financohet «Lëvizja» e këtyre islamistëve të Kosovës së varfër? Kush i kontrollon fitimet e tyre?

Fitime të mëdha vijnë nga burime të panjohura, nga e gjithë bota myslimane; për të mbështetur aktivitetin e tyre dhe mbi varfërinë dhe injorancën e ca shtresave kosovare; për të mundësuar retorikën përjashtuese dhe linçuese të këtyre islamistëve në Kosovë.
Nuk ka ende ndonjë arsye tjetër për rritjen e islamistëve në Kosove: Ata ndjejnë një hezitim të vazhdueshëm në Perëndim. Ne, në Kosove duhet paralizuar ata. Duhet t’ua bëjmë edhe më kategorikisht qartë se sa te padijshëm, panevojshëm dhe të padobishëm janë.

Duhet çmaskuar propagandën e tyre. Ata zhvillojnë një luftë të «shkëlqyeshme» agjitative gjoja të jenë viktimat e imperializmit, kolonializmit perëndimor dhe racizmit.

Nga ana tjetër, është për të ardhur keq, që  pjesa më e madhe e njerëzve te Kosovës, ata që dinë të mendojnë, kanë mbyllur veshët dhe tolerojnë mizorinë e tyre në mbytje, duke kërcënuar liritë e grave dhe duke kërcënuar gjithashtu me vrasje jobesimtarët.

Pra, i dashur Xhemal, ne a mund të mbrojmë veten kundër përhapjes se fshehtë te Islamit radikal? Këtu po mundohem të jap disa sugjerime:

Troç duhet thënë, ta identifikojnë islamin radikal si fashizoid – pa u brengosur nëse disa prej nesh kërcënohemi.  Ne do të flasim ndershmërisht rreth ekstremistëve në mesin e islamit te ndershëm në Kosovë, që ka një tradite tolerance me dekada.
Vlerësojmë historinë dhe traditat e një qytetërimi unik perëndimor ne Kosove dhe për t’i kujtuar botës se ne nuk kemi asgjë për të kërkuar falje për këta njerëz, por kemi besimtare shumë të mirë për t’i ofruar për të tjerët.

Së fundi, të mbajtur të sigurt në një luftë në të cilën vullneti ynë dhe morali janë ne çdo hap aq të rëndësishëm dhe duhet t’iu tregojmë atyre se ne nuk jemi të dobët shpirtërisht përballë fashizmit islam, sepse në këto troje kanë dështuar shumë fashizma, siç dështoi ai millosheviqian. Këtë gjuhë dhe këtë veprim ata duan.
Krejt ne fund kolegu im, nuk është vetëm Shefqet Krasniqi model i njeriut që pretendon se proklamon Islamin e keq. Me shume se Shefqet Krasniqi  – është Imami i Kosovës problem si tolerues i të patolerueshmes dhe paaftë të jetë në krye të besimtarëve islam te Kosovës.

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.