Shoferët intelektualë të Chomskyt

Në rast se ndonjë institut botëror do të bënte një statistikë se ku gjendet numri më i madh i intelektualëve, padyshim se listës do t’i prinin: Tetova, Beogradi, Zagrebi, Tirana, Prishtina, Sofja dhe Virpazar.

Në një seminar lëshova pyetjen: çka është intelektuali? Njëra nga përgjigjet ishte tejet shpresëdhënëse: «intelektual është ai që punon me mendjen». Pra ai që mendon? A mendon bukëpjekësi kur kryen punën e tij? Po. Përndryshe djeg bukën, tha njëri. A është bukëpjekësi intelektual? Jo- doli përgjigja shpërthyeshëm nga tjetri. Domethënë me rëndësi është se çka mendon? Njëri: për botën. Tjetri: për humanitetin. I treti për Zotin. I katërti për shoqërinë e kështu me radhë. Po a nuk mendojnë gjithë njerëzit nganjëherë se gjenden në tokë, se ajo është e populluar edhe nga qenia humane, se shumica janë pjesëtarë të një shteti dhe jo pak njerëz besojnë në Zot? Sipas kësaj logjike pra çdo njeri që ka aftësinë e të menduarit është intelektual apo jo? Jo! Bërtitën seminaristët. Dakord. U morëm vesh. Vetëm të menduarit si akt (bashkë me mundësinë e mediatizimit) nuk është as kriter e as indikacion se dikush është apo nuk është intelektual.

E çka është intelektuali pra? Seminari përfundoi e ne as që ia kishim filluar.

I.

Intelektualët. Flasim për një kategori, e cila sidomos në diskurset e shoqërive postkomuniste, ka më shumë anëtarë dhe ithtarë se çdo lëvizje tjetër politike apo religjioze. Të krijohet përshtypja sikur në gadishullin ballkanik qëmoti gratë të kenë vendosur bojkotimin e lindjes së fëmijëve «normalë», pra të atyre me një frymë e shpirt «tabula rasa». Ato pjellin vetëm intelektualë: një lloj specie që detyrueshëm (gjenetikisht?!) është e dënuar me një megatru. Aq të rëndë sa dhjetë harddisqe kompjuterësh industrialë bashkë.

Pse ky kualifikim, epitet apo kategorizim të jetë aq omniprezent në frymën dhe psikozën e pikërisht atyre shoqërive, të cilat, dorën në zemër, më shumë sillën sikur të udhëhiqen nga ndonjë magji e zezë se sa nga ndonjë parim që për parakusht do të kishte arsyen e shëndoshë.

Para se të filozofojmë edhe më shumë rreth biografive, defekteve dhe deformimeve tjera në shoqëritë, elitat intelektuale në shoqëritë që përfolmi është mirë të zhytemi në vetë historinë e termeve intelektual, intelektualizëm, dhe zarzavateve tjera teorike që janë bërë rreth këtyre epiteteve. Ndoshta kështu do të na mundësohet që më mirë të kuptojmë udhëtimin dhe efektin e këtij kualifikimi deri në psikologjinë e atyre që me një «lehtësi të paduereshme» pjellin intelektualë.

II.

Sipas të gjitha gjasave përhapja e termit nis me skolastikët proaristotelianë të  mesjetës. Filozofët mesjetarë si Alberti i Madh, Okhami, Akuini e paskan përdorur kombinimin terminologjik «intellectus agens» (fryma aktive) për të përshkruar atë lloj fryme intensionale që apriori qenka në gjendje të njohë kuptimin transcendental (të pa dëshmueshëm në sferën empirike) të Qenies. Kjo troç donë të thotë: frymë aktive (pra me njohuri, logjikë, arsye) është ajo që pranon ekzistencën e Zotit edhe pse atë nuk e kap, prek apo sheh dot. Kanti i përbashkohet kësaj teorie dhe e konkretizon edhe më shumë detyrën intuitive të intelektit për të njohur të mbinatyrshmen. Edhe idealistët tjerë gjermanë (Fichte, Schelling etj.) i mbeten besnik këtij versioni duke e shpallur çdo regjistrim të drejtpërdrejtë të realitetit nga fryma humane si pasuri intelektuale. Kuptohet, reflektuar nga perspektiva filozofike.

Në diskurset bashkëkohore – përtej gardhit ballkanik- vërehet një modifikim i shëndetshëm (sidomos si ilaç kundër snobizmit dhe megalomanisë makiaveliste) i kuptimit terminologjik të «intelektualit».

Albert Camus thoshte se intelektual është «ai njeri, i cili është në gjendje të mbikëqyrë (njohë, kuptojë) frymën e vetë». Naom Chomsky i konsideron intelektualë vetëm ata njerëz, të cilët janë në gjendje të përdorin trurin dhe njohuritë e tyre si kontribut në progresin mbarëhuman. Në një fjalim të tij para UNESCO-s Gorbaçovi tha se: «intelektual është vetëm ai që në fokusin e tij qendror ka njeriun. Gjithçka tjetër është e pamoralshme».

Me Jean Paul Sartrin nis teoria e dekonstruksionit. Ky thotë: «intelektualët janë njerëz që për këtë apo arsye në ndonjë fushë të caktuar (shkencë, letërsi, mjekësi) kanë bërë famë. Ata e keqpërdorin këtë famë duke braktisur specializimet e tyre për të kritikuar rendin ekzistues të shoqërisë dhe bindjet e njerëzve në emër të një dogme globale (moraliste, marksiste etj.)». Po me këtë ton flet filozofi dhe sociologu gjerman Arnold Gehlen. Ky i fundit intelektualin e sheh si një njeri që për vete kërkon liri absolute e për të tjerët (vetëm) barazi. Në këtë drejtim shkojnë edhe definimet e Sofskyt dhe Adornos etj.

Varësisht nga autori dhe doktrina intelektuali shpjegohet herë si empirist, herë si racionalist, herë si idealist, herë si kritik e shpesh difamohet edhe si etiketë ngushëlluese e idiotëve me dy këmbë në luftën e tyre kundër komplekseve e deformimeve mentale. Një definicion përmbyllës rreth kësaj teme nuk ka.

III.

Përtej këtyre laboreve të doktrinave e filozofive të shumta ekziston edhe perceptimi kulturor e nacional i termit. Pra çdonjëra shoqëri sillet në mënyrë të veçantë me identitetin e intelektualit. Do të ishte një punë e mërzitshme të udhëtonim (qoftë edhe vetëm mentalisht) në Riad, New York, Tripolis, Peking, Kinshasa apo diku tjetër për të kuptuar se çka nënkuptojnë ato vende me intelektualizmin. Në botën anglofone, atë frankofone dhe këtë gjermanofone  (sipas diskurseve publike) ekziston një kompromis se kush nuk mund të quhet intelektual: Listës i prijnë Akademikët! Pasojnë politikanët, priftërinjtë, imamët, menaxherët dhe gazetarët redaksionalë. Kjo listë nuk ka të bëjë me atë se asnjë akademik ose prift nuk mund të jetë edhe intelektual, porse akademikët, politikanët dhe gazetarët më së shumti kualifikohen automatikisht dhe gabimisht si intelektualë.  Një citat i Chomskyt në këtë drejtim besoj se sqaron çështjen edhe më qartë: «…Disa njerëz janë aq  të privilegjuar, të pushtetshëm dhe konformistë saqë pa problem gjejnë rrugën deri tek publiku (përhapin veten publikisht), kjo mirëpo nuk e bën askënd më shumë intelektual se sa një shofer taksie, i cili rastësisht është duke menduar e reflektuar mbi çështje të rëndësishme shumë më thellë dhe ndoshta është edhe shumë më i mençur se sa ai që vetëquhet intelektual..» (Naom Comsky, maj 2002).

Përderisa Chomsky vë theksin tek danditë, snobët dhe njerëzit e pushtetit (që nuk le anash asnjë politikan) Sartri është edhe më absolut: intelektuali është i pakorruptueshëm!

IV.

Në të gjitha teoritë e përfolura lartë një kriter – pra si parakusht për ta kualifikuar dikë si intelektual – duket se mbetet konstant për çdo teori: Ideja (natyrisht autentike, jo e kopjuar)  e tij duhet të jetë në shërbim (pozitiv) të humanitetit dhe universalisht si e tillë duhet të jetë e afirmuar, pranuar!

Analizuar sumën e përdorimeve të epitetonit «intelektual», duket se në psikologjinë masmediave të pjesës perëndimore të kontinentit ka triumfuar ky koncept, pra ai i universalitetit të idesë pozitive e të afirmuar.

Si duket ky perceptim? Një shembull konkret.

Të nisim nga provinca: Po themi se në Zagreb, Tetovë, Beograd, Prishtinë apo Tiranë jeton një i urtë (pavarësisht profesionit, zanatit apo statusit social që ka), i cili terrorizon trurin – jo nga pozita e një asketi në kërkim të mundësive për të pozicionuar veten –  për të gjetur kuptimin e konflikteve ndëretnike, ndërnjerëzore në gadishullin ballkanik. Po si Descartes-it në atë furën gjermane ku i lind ideja e famshme për të shpikur filozofinë karteziane me atë formulën «cogito ergo sum», i lindë edhe, të themi kësaj radhe tetovarit, ideja se si mund të nxjerrë nga balta morale, psikike e politike fiset e acaruara ballkanike. Pasi që i urti nga Tetova rastësisht ka mësuar shkrim- leximin ulet dhe e materializon tekstualisht idenë e tij. Pason një bum masmedian.  Filozofia e tetovarit jo që kontribuon për pajtimin e banditëve politikë të Ballkanit, por ajo përlanë madje kontinentet dhe gjithandej ku mbizotërojnë konflikte ajo shërben si alternativë e re. Nuk ka rëndësi se në ç’formë filozofi tetovar e ka pagëzuar tekstin: si roman, si ese, si teori shkencore apo diçka tjetër, rëndësi ka efekti i saj në trurin mondan. Tetovari vazhdon të pijë çaji rusi dhe të vrasë trurin duke kërkuar zbërthimin edhe të problemeve tjera e të shumta të botës njerëzore.

V.

Pra si duket intelektuali në sajë të teorive që bastisëm lartë, duke ia dhënë «tetovarit» rolin ilustrues?

Kur është një njeri i aftë për të plotësuar kushtet që implikon perceptimi historik . Kur dikush e ka bërë një libër me poezi? Jo. Kur ka marrë titullin e profesorit në një universitet? Jo. Sepse është politikan, kryetar shteti? Për arsye se ka shkruar ca romane apo libra që kanë të bëjnë me botën, zotin, tokën, njeriun, universin dhe nëntokën? Ndoshta.

Diçka është e paevitueshme: ai, detyrueshëm duhet të disponojë një njohuri e thellë të kapitalit ekzistues kulturor (universal). Këtë kapital (përndryshe si krahasojmë, analizojmë e gjykojmë) duhet dëshmuar me vepra (jo me prodhim personal librash) të pranuara në ndonjë provincë, komb apo lagje ku vepron i urti. Intelektual mund të jetë ai, siç thonë Sartri dhe Gehlen, që bindë me sovranitetin dhe pavarësinë e tij, nuk i nënshtrohet as një segmenti komprometues të shoqërisë, grupeve e klaneve, ideologjive, por të vetmen instancë referuese ka akrepin e frymës së vetë.

Ky tip njeriu që analizon, gjykon,argumenton, kritikon, proteston, uron, lavdëron dhe përmbys edhe atëherë kur gabon dhe dorëzohet  konsiderohet dhe preferohet  si intelektual në botën perëndimore. Të tjerët quhen specialistë, bujq, tregtarë, pra konform profesioneve që bëjnë për të ekzistuar.

Ky ekskursion imi ndoshta kallëzon arsyen se pse në diskurset e gjuhëve evroperëndimore aq rrallë «etiketohet» dikush si intelektual, tregon poashtu se pse aq pak dijetarë anekënd planetit ia veshin vetes këtë kualifikim. Çdo i urtë që njëherë është përballur me anekdotën sokratike «e di se nuk di gjë» dhe ka lexuar diku atë divizionin që e listuam lartë nga Alberti i Madh e deri te Chomsky nuk ka guxim madje as pazë t’i thotë vetes fjalinë «jam intelektual. Është intelektual» e të ngjashme.

VI.

Padyshim se në Ballkan ka intelektualë. Të atillë që me teoritë e tyre krijojnë koncepte, rrugë e modele ndryshe e të reja rreth problemeve që ngushtojnë humanitetin në fyt. Një shembull i tillë mund të jetë filozofi slloven Slavoj Žižek, i cili për çdo ditë na e ofron nga një model të ri, alternativë etike se si duhet të funksionojë bota postkomuniste e –liberale, librat e të cilit janë bestsellerë në më shumë se tridhjetë gjuhë edhe pse bota me të cilën merret dhe stilin që praktikon parakushtëzojnë lexuesin të jetë i përgatitur akademikisht.

Natyrisht se ka edhe të atillë që, siç kërkon Sartre, Gehlen dhe Chomsky, nuk ia shesin frymën asnjë ideologjie, asnjë doktrine e madje as egos së vetë – të pakorruptueshëm pra. Ata janë diku, ama nuk janë në skenën intelektuale që mendojmë dhe besojmë ne të jenë.

Fabrikimi medial e kolektiv i intelektualëve në Ballkan nuk rezulton nga fakti se atje vërtet gratë lindin vetëm intelektualë. Është çështje mentaliteti. Besimi i tepruar në veten i cili transferohet në formë projeksioni edhe te tjetri. Po e pyete një traktorist se a donë të bëhet ambasador ai menjëherë ta tregon shtetin se ku mund të kryente punë të mëdha diplomatike. Po e pyete një mësues se a ishte bërë ministër ai menjëherë ta tregon dikasterin (mundësisht atë mbrojtjes ku ka revole) për të cilin ka talent të jashtëzakonshëm. Të rrallë janë ata që kur ballafaqohen me një pyetje të tillë, marrin frymë thellë dhe fillojnë të bastisin habitusin e tyre, për të konstatuar se çka do ishte më mirë; të vazhdojë punën e traktoristit apo t’i hyjë profesionit të gazetarit, diplomatit, pilotit, historianit, ministrit e të ngjashme, pra t’i përveshet një detyre për të cilën nuk lidhje, porse ka fatin që tezaku, daja, halla, shoku i klasës a shoku ideologjik t’ia ofrojë një mundësi të tillë.

Në këtë segment të mentalitetit ballkanik duhet kërkuar arsyen se pse numri më i madh i atyre që besojnë të jenë intelektualë ka origjinë ballkanike.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.