Shkëlzen Maliqi

petrit rrahmani - shkelzen maliqi (2)

 

“Kurrë nuk kam lexuar studim të një ballkanasi për Ballkanin të ishte më objektiv dhe shkencor sesa ky”, na tha profesori i historisë Urs Altermatt, duke na drejtuar një libër të trashë me titullin “Lufta jugosllave – kauzaliteti, procesi dhe konsekuencat” (1999) të botuar nga SHB e shkencave sociale të Wiesbadenit. Vlerësimi i profesorit zviceran (n.t.tj. Etnonacionalizmat në Europë: 1996 dhe Kombi, Etniciteti dhe Shteti: 1996) i adresohej një studimi të Shkëlzen Maliqit mbi “Historinë politike të Kosovës” (Fq. 121- 133). Shkëlzen Maliqi? A nuk është biri i ish-ministrit të Rendit Mehmet Maliqi? Ai, për të cilin thonë të jetë njëri nga projugosllavët (perceptuar si ideologji prosllave) e përbetuar kosovarë. Ai nuk e njihte Maliqin. Pasi që vlerësimi u shqiptua nga një profesor i njohur për nga korrektësia në shkencë dhe i cili as komunizmin as Jugosllavinë nuk e kishte adresë të preferuar pushimesh intelektuale, paradoksi s’kishte se si mos të përdhoste kureshtjen tonë? Arkivave, librave, literaturës për ta njohur Maliqin, veçanërisht duke lexuar tekstet në shqipe që “portretonin” atë, si shpesh na ikte mendja për të bërë flirt me shkrimtarin dhe diplomatin francez Jean Hyppolyte Giraudoux (1944) që thoshte se falsiteti i një paragjykimi zbulohet lehtë e menjëherë atëherë kur atij i besojnë të gjithë.

STACIONET – Intelektualisht Shkëlzen Maliqi është “manufakt” i 68-s. Asaj cezure të hashashtë që shpërtheu si rezistencë kundër luftës së Vietnamit, si revoltë kundër vrasjes së Martin Luther Kingut dhe që në Jugosllavi nga elitat e reja intelektuale u shfrytëzua për të përmbysur mendimin e vjetër me atë që ligjërohej nga profesorët e ardhur nga “shkolla e Frankfurtit” [Kanzleiter et ali: 1968 në Jugosllavi – protesta dhe avangarda kulturore 1960-1975 – Biseda dhe Dokumente]. I njohur në mbarë Jugosllavinë bëhet me një reagim publik kundër akademikut nacionalist serb Pavle Iviç (1982) i cili duke fyer kosovarët nxiti projektin për riinstalimin e supremacisë serbe brenda federatës jugosllave. Pas shkollimit në Beograd kthehet në Kosovë. Aty bën emër me po të njëjtën kauzë: si kryeredaktor i revistës “Fjala” (1986) boton fjalimin e shkrimtarit dhe kritikut Ibrahim Rugova në “Takimet e tetorit” të Beogradit ku ai “denoncon” shkrimtarët serbë si “dyfytyrësh, antihumanistë dhe bulevardizues të politikave antikosovare” dhe apelon për “më shumë demokraci dhe më pak represion për Kosovën”. Nga viti 1990 deri para luftës kosovare është ndër intelektualët më të dëgjuar, lexuar, publikuar dhe ftuar perëndimit dhe vendeve të ish-Jugosllavisë. Formon dhe udhëheq shkurt Partinë Socialdemokrate të Kosovës (1991-1993), kryeson “Komitetin e Helsinkit për Kosovë” dhe ndërton Institutin “Gani Bobi” për studime sociale. (Baton Haxhiu: 2011). Gjatë kësaj periudhe, veçanërisht nga konzervativët akuzohet të ketë zhvilluar një projekt për t’ia imponuar shoqërisë kosovare një elite kulturore dhe intelektuale të përbërë kryesisht nga trashëgimtarë ish-funksionarësh titistë. Së paku rasti i ngritjes dhe bërjes së Veton Surroit shkon në konto të këtij spekulimi.

KRITIKAT – Kritikat aktuale – që më së shumti e dëgjuam gjatë hulumtimit për këtë psikogram – kanë të bëjnë me konstatimet negative të tij gjatë kohës së daljes së UÇK-së në skenë (përputhej në mendime me Ibrahim Rugovën) si dhe reflektimet e tij për koekzistencë me popujt e ish-Jugosllavisë (atëherë apel shumë më minimalist se Ballkania e Demaçit). Kritika kot sepse apriori ato kërkojnë mendësi njëdimensionale edhe nga subjekti që po të ishte ashtu s’do të ishte intelektual por oficer.

INTELEKTUALITETI – Ata që kanë lexuar dhe analizuar librat, tekstet dhe kollumnat e tij në shqipe, anglishte, italishte, serbokroatishte, sllovenishte, gjermanishte do ta kenë kuptuar një gjë esenciale se intelektuali Shkëlzen Maliqi, ideologjikisht është i pakorruptueshëm (Sartre, Camus, Jung dhe co.)! Edhe atëherë kur besonte se mund ta dëmtojë nacionalizmin serb me filozofinë e barazisë dhe multikulturalitetit jugosllav (jo jugosllavizmit si koncept nacional) edhe sot kur shkruan dhe vepron kundër nacionalizmit shqiptar ai niset po prej së njëjtës pozitë si gjithmonë: nga ajo e humanistit pragmatik! Kjo e bën sot atë kritik ndaj kozmopolitizmit “mcdonald”-ist dhe filozof të “koekzistencës që percepton diferencën” e identiteteve dhe kulturave të jenë pasuri universale (Hollenstein. Këtë fat nuk e nënshkruaj. Zürich: 2007).

URË!

[Çelësi i vlerësimit: KOT për danditë pompozë dhe pa përmbajtje. GROPË – për ata që më shumë dëmtojnë veten dhe shoqërinë sesa ndihmojnë dhe URË – për ata që vërtet duhen dëgjuar]

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.