Surroi

Edhe nga kundërshtarët më agresivë të tij konsiderohet (jashtë dhe brenda) ndër intelektualët me ndikim në hapësirat shqiptare. Vlerësim i drejtë apo i gabuar? Çfarë intelektuali është Veton Surroi?

 f1_05vetoni2-jpg1370431562

EMPATIA – Për rezultatin e negociatave të fundit serbo-shqiptare, si përgjigje ndaj qeveritarit Kuçi Veton Surroi i tha “Zërit” (12.06.2013 – online): “Ky është padyshim maksimumi që ka arritur Kosova me këtë kapacitet intelektual politik, bile edhe ky rezultat duket shumë në krahasim me kapacitetin që kanë këta njerëz”. Këtë votë zhvlerësuese për të tjerët publicisti Surroi duket ta ketë adaxhion më të preferuar. Tash e 20 vjet. Kur flet për mediat e huaja është edhe më i ashpër: “Ato, elitat” të tjerët janë “pa kreativitet”, me “mentalitet militarist dhe totalitar”, skajshmërisht “jo inteligjentë” i thoshte gazetarit boshnjak Zlatko Dizdareviq (DAN: 2000) për elitën e atëhershme politike që drejtohej nga Ibrahim Rugova. Po për atë elitë, e cila kishte krijuar sistemet paralele dhe udhëhiqte me lëvizjet parademokratike kosovare, bëhej fjalë për letrarë, kritikë, juristë, akademikë, elitë që së paku sipas Jean PaulSartre ishte intelektuale sepse “përbëhej nga njerëz që në ndonjë fushë të caktuar (shkencë, letërsi…) kishin bërë emër dhe e (keq)përdorin atë, duke braktisur specializimet e tyre, për të drejtuar (kritikuar) shoqërinë në emër të dogmës së tyre (nacionale, politike)”.

Pse Surroi i degradonte të jenë antiintelektualë? Në ç’ bazë koncepti mbi intelektualin gjykonte i shkolluari në Amerikën latine?

ARDHJA – Në Rektoratin e “Universidad Nacional Autónoma de México” (i 381-ti në Ranking për nga kualiteti në kohën kur aty studionte primati i radhës) të Mexico Cyti-t na thanë se Veton Surroi ka qenë student, por nuk na konfirmuan dot se a ka diplomuar apo jo aty. Në Kosovë Veton Surroi vjen një vit pas demonstratave të supozuara si “pranvera kosovare”. Si pinjoll i dy familjeve më të fuqishme Surroi dhe Hoxha, Vetoni i papërvojë instalohet si gazetar në të përditshmen shtetërore “Rilindja”. Aty spikatet me apelet “kundër së djathtës borgjeze asaj që duke përdorur emocionin nacionalist […] të thyejë për së brendshmi sistemin politik të vetëqeverisjes socialiste, rrugën e trasuar të gjerëtanishme të zhvillimit të federatës jugosllave si shtëpi të përbashkët të kombeve dhe të kombësive të Jugosllavisë…” (Dhjetor, 1986).

NGJITJA – Në politikë, Veton Surroi shfaqet, i ndërmjetësuar nga Shkëlzen Maliqi, në vitin 1989 si përfaqësues i UJDI (Lëvizje urbano-intelektuale e spektrit të majtë liberal që besonte ende në një demokraci jugosllave, ku militonin edhe Branko Horvat, Nebojsha Popov, Zharko Puhovski, Vesna Peshiq, Ljubomir Tadiq [babai i ish-presidentit Boris Tadiq], Dubravka Ugreshiq, etj.). Në vitin 1990, i përkrahur financiarisht dhe juridikisht nga pasaniku Vehbi Velija (+ themelues i Alsatit) themelon revistën “Koha”.

Absolventë dhe akademikë të Universitetit të Prishtinës ndër të cilët Blerim Shala, Isuf Berisha, Ylber Hysa i thonë që t’ua shpëtojë lëvizjen duke e bërë atë Parti Parlamentare (Surroi në emisionin “Prizëm”, 2.04.2012) dhe e cila dështon sepse “as shefi nuk është ithtar i saj” (Po aty). Sot themeluesit e Partisë Parlamentare bëhen cinikë kur pohojnë “ta kenë zgjedhur për shkaqe sigurie e jo intelektuale”.

Gjatë vitit 1993 për gjashtë muaj Veton Surroit do t’ia dëgjojmë zërin si lexues lajmesh shqip në radion BBC. Pas kthimit nga Londra, Shkëlzen Maliqi (1993) e pret me një projekt, të sponsorizuar nga fondacionet e huaja për ta ristartuar javoren “Koha”. Në këtë projekt të përbashkët të disa gazetarëve e intelektualëve kosovarë Veton Surroit i jepet timoni i drejtuesit të revistës, të cilën ai shumë shpejt e përvetëson duke “eliminuar” të tjerët. Katër vjet më vonë të njëjtën e shndërron në të përditshme – “Koha ditore”.

Në këtë projekt sapo shfaqet e para krizë Veton Surroi përdor të famshmen metodë të “Ponc Pilatit”: në dhjetor po të të njëjtit vit kolegët e tij të redaksisë ia vënë ultimatumin që të përcaktohet se a do të vazhdojë të besojë në “demokracinë jugosllave” apo “do të përkrahë luftën e UÇK-së”? Dhe ky ashtu si çdo oportunist tjetër i regjur vetëm u thotë: “pse çka mendoni me kë jam unë…” pa dhënë fare përgjigje dhe duke lënë peshën mbi shpatullat e redaksisë. Megjithëkëtë grupi i intelektualëve të prirë nga Shkëlzen Maliqi edhe më tej do ta kenë konsideruar Surroin “subjekt si projekt”, pasi për këtë dëshmon edhe një telefonatë e gjatë e Maliqit me diplomatë të huaj, të cilën rastësisht e dëgjuam në zyrat e redaksisë së “Zërit Ditor” dhe “Javës shqiptare” në Sursee të Zvicrës. Në konverzacionin gati njëorësh (anglisht) me palën tjetër, disa ditë para bombardimeve të NATO-s, Maliqi ishte kategorik që Veton Surroi të llogaritet si referenca qendrore politike në Kosovë. Spekulohet se pikërisht kjo asistencë e grupit të përmendur intelektual ia siguron atij një vend edhe në delegacionin e Rambujesë, ku bashkë me Blerim Shalën (atëherë kryeredaktor i “Zërit”) “kishin mandatin” e shoqërisë civile.

Pas luftës Veton Surroi do të përpiqet që nëpërmjet subjektit politik “Ora” dhe “Klubit për politikë të jashtme” të qëndrojnë si faktor në skenën politike: Pa sukses!

Pavarësisht akuzave të ketë “tradhtuar” miqtë dhe shoqërinë, Veton Surroi arriti që projektin “Koha”, falë sidomos subvencioneve kryesisht amerikane, ta shndërroje atë në shtëpinë më serioze botuese të Kosovës, me një të përditshme relativisht profesionale dhe me ndikim në shoqëri. Pothuaj shumica e gazetarëve profesionistë dhe të mirë shkollën e tyre praktike e kanë bërë ose janë ndikuar nga ajo gazetari e të së përditshmes “Koha ditore”. Deri vonë “Koha ditore” ka qenë referenca kryesore e të gjitha instituteve dhe qeverive të jashtme që janë marrë me analizimin e situatës në Kosovë.

Nga këtu ushtron ndikimin e tij edhe sot Veton Surroi.

DIAGNOZA – Nga biografia dhe aktiviteti i tij konkret nuk dimë se si ta dekodojmë këtë përgjigje të tij ndaj pyetjes se “si u soll Millosheviqi me ju … si e kujtoni sjelljen e tij në gjyq?” që i parashtron Aleksandër Furrxhi kur thotë: “ka dashur të më sfidojë dhe unë u solla si një njeri i cili është fitimtar historik” (“Prizëm”, 2.04.2012). për çka flet ky personalizim dhe identifikim i fatit të Kosovës me njeriun Veton Surroi? Diplomatë që njohin mirë na thanë se hiperbolizimi permanent që Surroi i bën vetes paska të bëjë me “arrogancën dhe snobizmin” e theksuar të “rrondokopit simpatik” në Prishtinë.

Prapëseprapë, përgjigjen e kësaj pyetjeje ia gjejmë më së miri në përpjekjet e tij si autor autobiografish semiletrare që nga “Fluturimet…” e para deri te “Miliarderi”, por edhe në kollumnat që i boton: çdo rresht dhe çdo paragraf është i kapur nga synimi i autorit për ta demonstruar veten si “final player” të çdo procesi, çdo progresi dhe çdo gjëje që ndodh në shoqërinë kosovare dhe madje edhe më gjerë. Dhe jo vetëm kaq: me spektaklin “Rexhai Surroi”, duke përfshirë edhe “elitat” letrare dhe mediet ai dëshmohet si trashëgimtari më besnik i ditëve tona. Nga një figurë gati anonime të historisë së Kosovës socialiste dhe nga një shkrimtar më pak se modest ai e riaktualizon të atin mbi nivelin edhe të megamiteve kosovare. Veton Surroi është inteligjent. Ai ka ngadhënjyer ndaj atyre që e konsideronin projekt duke i përdorur për projektin e vet – vetveten! Po sa intelektual e bën kjo?

INTELEKTUALITETI – Edhe analistët jo aq të thellë të teksteve të tij do të kenë kuptuar se Veton Surroi nuk i përket racës së lexuesvetë kujdesshëm dhe intensivë. Përndryshe nuk flet njeriu për antiracizëm dhe demokraci kualitative dhe të barabartë në shekullin XXI duke marrë në asistencë Alexis de Tocquevillen e shekullit XIX i cili besonte në jetën e demokracisë vetëm nëse ajo gjendet në duar të aristokratëve dhe të bardhëve (KD: Mars 2011). Gati shumica e teksteve, që lexuam me synimin për të lokalizuar dhe identifikuar kapitalin e dijes së autorit u ndeshëm me “rrëshqitje” të tilla fatale. Mungon brumi i nevojshëm i dijes universale që përbën intelektualin e sotëm.

Para njohjes së detajeve edhe të “vita activas” së Veton Surroit besuam se së paku do ta rehatonim brenda formulës së Antonio Gramscit, i cili zbuloi kategorinë e “intelektualëve organikë” për ata që përfaqësonin idetë e një klase apo grupi të caktuar, mirëpo jo. Në rastin e Veton Surroit përgjysmë del të ketë pasur të drejtë Arnold Gehlen kur qortonte “intelektualët të kërkojnë lirinë absolute për vete e barazi për të tjerët”. Barazi sipas aristokratëve zylyfegjatë të Tocqueville.

KOT!

[Çelësi i vlerësimit: KOT për danditë pompozë dhe pa përmbajtje. GROPË – për ata që më shumë dëmtojnë veten dhe shoqërinë s sa ndihmojnë dhe URË – për ata që vërtet duhen dëgjuar]

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.