Ave Europa

EURODEBATI/ Evropa në krizë? Në debatin aktual duket të jetë kështu. Intelektualët si Habermas, Cohn-Bendit, Konrad, Mak thonë se nacionalizmi, shpërndarja e keqe e kapitalit dhe religjionet bllokojnë emancipimin e mëtejmë të kontinentit. Tezat dhe antitezat!

Habermas, Kaufhold, Konrad, Cohn-Bendit, Mak.

Politfilozofi, studenti me nam i Louis Althusser-it dhe romansieri Régis Debray së fundi në numrin e fundit të revistës europiane për kulturë «Lettre International» parashtroi pyetjen tashmë refren «a i erdhi fundi primatit të oskidentit mbi botën», çka automatikisht implikon moton «e pati Europa dhe SHBA-të»? Të «ngacmuar» nga ky diskurs intelektual dhe nga krizat e njëpasnjëshme që kohëve të fundit kanë përlarë Europën edhe këtë vit debati ndërmjet studiuesve dhe intelektualëve kyç të kontinetit vazhdon me të njejtin intensitet.

Në librin e tij «Nën presionin e teknokratisë» (2013) filozofi i shkollës së Frankfurtit Jürgen Habermas mendon që Bashkësisë Evropiane i mungon vullneti politik dhe ai i solidaritetit të nevojshëm me anëtaret e saja që i ka kapluar kriza (Portugalia, Greqia dhe pothuaj shumica e vendeve të jugut). Nga kjo analizë doajeni i europianizmit kërkon nga burokracia e Brukselit që të krijojë një çelës të ri të ndarjes së kapitalit brenda bashkësisë. Kjo perspektivë brenda diskursit mirëpo ka mobilizuar intelektualët konservativë dhe atyre ekstramarksistë që kërkojnë «braktisjen sa më të shpejtë të BE-së».

Daniel Cohn-Bendit, njëri nga kryeprotagonistët e protestave franceze e gjermane të vitit 1968, sot shef i fraksionit të të Gjelbërve në Parlamentin europian  në librin e tij «Për Europën» (2013) bllokadën kryesore e sheh tek nacionalizmat e vendeve të Europës, të cilat jo se nuk janë zbutur pas rikonstituimit të Evropës por janë egërsuar edhe më shumë. Në «Manifestin»  e tij ai i drejtohet çdo qytetari të kontinentit që ta luftojë «këtë të zezë të shekullit 19» që ende vazhdon të kërcënojë barazinë dhe demokracinë ebropiane.

Në të njejtën linjë argumenton edhe eseisti dhe shkrimtari i njohur ungarez György Konrád me librin e tij «Europa dhe kombet» (2013), vetëm se në formë më profunde dhe më qartë se Cohn – Bendit. Konrad sheh poashtu nacionalizmin si njërin nga problemet kyçe, mirëpo apelon për një mospërzierje të nacionalizumit dhe të drejtën e njerëzve në identitet, kulturë dhe etni, sepse këto sipas tij, janë poashtu të drejta supreme dhe themelore që njerëzit kanë drejtë ti kultivojnë. Intelektuali hungarez – ndër të vetmit – përfol edhe segmentin religjioz në këtë debat. Në eseun «E njëjtë Lenini apo Kurani – terrori është një biznes i keq» autori kërkon nga religjionet të jenë më aktivë dhe mos të luajnë lojën e dyfishtë, sepse më së shumti do të jenë ato vetë humbëse.

Publicisti holandez me renome ndërkombëtare, sidomos pas librit të tij «Në Europë» (2007) Geert Mak qorton neoramonatikët dhe turboeuropianët (Habermasin me Co.) të kapen vetëm për fragmenteve të veçanta të problemit që kërcënon idenë evropiane. Sipas tij përqëndrimi vetëm tek format dhe variantet e racionalizimit të kapitalit është ikje nga problemet e vërteta të Europës, sepse ajo lëngon sidomos në aspektet më të rëndësishme të saja siç janë identiteti, politika, demokracia dhe barazia – kështu shkruan Geert Mak në librin e tij më të ri «Çka nëse dështon Europa» (2012), esetë e të cilit libër ribotohen brenda debatit aktual.

 Edhe më kompletuar në këtë diskurs argumenton Profesori i i historisë në Augsburg dhe Fribourg Martin Kaufhold me studimin e tij «Vlerat Europiane» (2013), i cili konkludon se pikërisht «histerikët» më të mëdhenj në debat që kërkojnë ruajtjen dhe shpëtimin e Evropës nuk kanë dëshirë të flasin mbi vlerat europiane që ecin në relacionin antikë – mesjetë – iluminizëm dhe sekularizëm. Sipas akademikut Kaufhold kjo intransparencë rezulton nga frika e filozofëve që mos ta krijojnë përshtypjen se Europa është produkt oksidental e jo i të gjithëve që sot jetojnë në të, çka për Kaufhold është një mashtrim i dyfishtë i vetëvetes dhe atyre që  mendojnë ta tjetërsojnë realitetin.

FACITI – Debati është fundamental dhe konform problemeve që ka Europa. Kontinenti ngec në shumë drejtime dhe kriza e fundit e tronditë atë rëndë, megjithatë në krahasim me tjerët ai është me demokratiku dhe më dinamiku në kërkimin e formave të konsolidimit të mëtejmë të lirive, demokracisë dhe barazisë ndër kombet. Se nacionalizmi është një problem nuk ka dilemë; se lobet dhe klubet e pangopura të kapitalit duhet disi të zmbrapsen poashtu nuk ka dilemë. Dhe ndoshta Daniel Cohn Bendit ka të drejtë; «Në momentin kur qytetari europian ( të gjithë jo vetëm ata të BE-së)  do të kuptojë se Europa është shtëpia e tij dhe do të veproj e ndiejë si i tillë do të fillojë faza konkrete e emancipimit të Europës». 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.