Lubonja

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Krahasohet me Vaclav Havel-in dhe Juda Iskariotin. Si të parin e marrintë huajt, si të dytin të vetët. Fatos Lubonja – bashkë me ca kolegë të paktë – gjendet në listën e figurave publike më të etiketuara, sulmuara dhe kërcënuara të hapësirës shqiptare. Është kështu ngase ish i persekutuari politik zorit veten me rolin e agent provocatuer – it apo sepse i përket një kulture që nuk di të sillet me çiltëri ndaj të mençurvetë saj?
«Turmat» u mëmizoruan me të kur iu tha të jenë skizofrene. Nacionalistët u barbaruan në gjuhë, sjellje e mendje kur Lubonja u rrëfye të mos ndiejë hiçgjë ose madje të jetë i fyer kur ekzekutohet himni kombëtar; kur pranoi të mos jetë as patriot, as nacionalist dhe se «njeriu mbi kalë» (Skënderbeu) të mos i bëj asnjë përshtypje. Këto teza janë redundancat përbërëse të publicistët Lubonja dhe që prej se ka dalë nga Burreli. Po pse? «Sepse për të është parësore të jetë një qytetar i ndershëm që punon mirë, dhe një aktivist i të drejtave të njeriut». Bukur e pastaj?!

HABITUSI – Më shumë se sa për ndonjë të bëmë personale Fatos Lubonja u internua, burgos dhe privua nga çdo e drejtë njerëzore vetëm se ishte i biri i Todi Lubonjës – atij shefit të televizionit shtetëror shqiptar të viteve të 70-ta që u akuzua për «dekadencë imperialiste». Nga viti 1974 deri në vitin 1991 Fatos Lubonja bën jetë në një hapësirë ku mund të shtrije trupin vetëm kur lëndoje tjetrin me bërryla. Rininë «Vaclav Havel» – i shqiptar e kalon në një qeli ku në çdo hapje dhe mbyllje sysh përshëndetje kovën me fekale të të bashkëpersekutuarve. Nuk ka libër [Të lexuara: Në vitin e shtatëmbëdhjetë: 1994 / Ploja e mbramë: 1994 /Ridënimi:1996 /Liri e kërcënuar:1999], ese apo intervistë të Lubonjës ku do të mungonte «Përpjekja» e metanojës me këtë pjesë të habitusit të tij.

Kasëm Trebeshina «zgjodhi» problemin duke hedhur në pleh identitetin e tij kombëtar dhe duke «shpallur» veten intelektual postosman shqiptar. Kapllan Resuli në shenjë hakmarrjeje ndaj «racës së poshtër që përveç lirisë edhe gruan ia morën gjersa ai vuante kazamateve enveriane» shpalli veten serbomalazez. Janë simptoma krejt të natyrshme posttraumatike qeniesh të nënçmuara, të përmbysura, të masakruara në lirinë dhe qenien e tyre. 

Fatos Lubonja revoltën e vetë e shprehë ndryshe: ai nuk ikë nga një nacionalizëm tek tjetri, nuk ndërron kombin shqiptar për atë serb, turk apo malazez, por ka vendosur të identifikohet dhe të besoj vetëm në ato vlera që janë universale, ato që nuk përfillin kufij nacionalë e lokalë. E këtë koncept esencial intelektual të tij ai e shpreh kështu: «Sa më gjatë që të ishe i izoluar aq më shumë humbnin kuptimin kufijtë shtetërorë. Të burgosurit ndiheshin qytetar të botës, në fantazinë e tyre përjetonin qytetërimet përtej Adriatikut, përtej Atlantikut, përtej oqeanit të Indisë dhe Shqipëria strukej e bëhej sa më e vogël». [Lubonja. Ndërmjet lokales dhe universales në Keller/Rakusa: Europa shkruan: 2007]

DIAGNOZA – Fatos Lubonja nuk i përngjanë as Havelit e as Iskariotit: Nuk është figurë intelektuale e formatit të të parit sepse ende nuk ka fuqinë të falë e pajtojë. Nuk është si i dyti sepse më shumë se zelot radikal që tradhton Zotin për kauzën kombëtare a të grupit është i kryqëzuari vetë. Lubonja ka të drejtë mos ta bashkëkëndojë himnin; ai ka të drejtë ta injorojë përmendoren e Skënderbeut; ai ka të drejtë t’i quajë turmat skizofrene, sepse qoftë nga Etnopsikiatria e qoftë nga studimet e «cultural psychology», e cila ka dëshmuar nga njëra anë nëpërmjet relacioneve ndërmjet variableve psikologjike e nga ana tjetër nëpërmjet variableve sociokulturore, ekologjike dhe biologjike se masat – për shkak të politikës së dytës, mainstreameve, (r)evolucioneve – shikuar etapisht janë skizofrene. Pra jo se tezat e Lubonjës janë të huqura sulmohet ai, duke u shpallur vetvetiu nga turmat (pse qenka aq me rëndësi çka thotë Lubonja?) si instanca e së «keqes» ose «së mirës», porse problemi qëndron diku tjetër. 

I kuptueshëm, por i dëmshëm për një formatintelektualisi ai është intensiteti i temperamentit se si flakëron diskurset shqiptare: përqendrimi vetëm në negativitetet shqiptare pa përfillur progreset (sado të imta të jenë) e bëjnë atë njëdimensional sa për tu perceptuar synimdegradues në relacion me identitetin shqiptar. Këtë e dëshmon edhe fakti se jo vetëm Lubonja është universalist ndër shqiptarë, mirëpo vetëm ai sulmohet, sepse publicisti namëmadh harron si shpesh se edhe nacionalistët, jouniversalistët janë poashtu njerëz, me liritë dhe të drejtat e tyre, se edhe patriotët nuk janë apriori injorantë. E mira (ose e bukura) nuk ka triumfuar asnjëherë mbi të shëmtuarën (të keqen) pa u bërë edhe vetë e neveritshme, nëse atë nuk e kanë synuar intelektualë që me urtësinë e tyre dhe me një metanojë vetësakrifikuese kanë kapërcyer lëndimet, rënien dhe ngritjet personale në favor të idealit për ta ndryshuar botën pozitivisht.
Pa Fatos Lubonjën diskurset shqiptare do të ishin edhe shumë më të varfra se sa ç ‘janë.

URË!

[Çelësi i vlerësimit: KOT për danditë pompozë dhe pa përmbajtje. GROPË – për ata që më shumë dëmtojnë veten dhe shoqërinë sesa ndihmojnë dhe URË – për ata që vërtet duhen dëgjuar]

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.