Manifesti i njeriut në krizë

Shumica e shoqërive shqiptare ndihen të jenë në krizë, jo vetëm ekonomike, por edhe morale, pa ardhmëri të qartë dhe pa orientim. Frustrimi dhe depresioni energjinë marrin sa nga trendet globale aq edhe nga ato lokale. S’ka rrugëdalje nga kjo apori vegjetimi kolektiv? Ka, mirëpo problemi është se si të dalë nga kriza njeriu shqiptar duke mbetur njëkohësisht i drejtë dhe i arsyeshëm? 

Politikat dhe shoqëritë shqiptare ende formësohen nga ato gjenerata që lindën e u rritën nën atmosferën e negativitetit. Në atë epokë të luftës darviniste për mbijetesë që i përngjante një aksioni kolektiv për ta jetësuar «Leviathan»-in hobbs-ian në program funksionimi (a)social. Bombat ishin paradoksalisht ato që u perceptuan si pëllumbat e parë të lirisë. Shumëkush nisi të flas për hyrjen e shqiptarëve në epokën e artë. Ashtu edhe dukej ajo: ra sistemi totalitar në Shqipëri; batalionet gjenocidale të Millosheviqit braktisën Kosovën dhe bota më në fund vendosi që të asistojë shqiptarët në bërjen e lirisë së tyre.

Sot 24 vjet më vonë depresioni kolektiv ka arritur po të njëjtën shkallë tensioni si në fund të viteve të 80-ta. Atëherë kur të tjerët dhe diktatorët i toleronin shqiptarët të gjallë vetëm si skllav. Po sot ç’u bë?

Globalizmi dhe shqiptarët
Duket sikur tepër vonë kuptuan shqiptarët se çlirimi i tyre nga diktaturat ishte vetëm akti e jo edhe liria vetë. Të fundit nuk dinë ta bëjnë. Dhe as që i lënë ta bëjnë si do të donin vetë. Ndoshta është mirë kështu, mirëpo ata protestojnë me të drejtë: kështu nuk e ka liria!

Bashkësia Evropiane kërkon prej tyre t’i hiqen nacionalizmit në të njëjtën kohë kur organizata kontinentale rrezikon të demolojë veten nga egoizmi nacional i shteteve kryesore që e përbëjnë. OKB dhe Eulex erdhën «të ftuar», u pritën me këngë e lule, sot edhe të dytën e konsiderojnë t’ua zë diellin.

Trendet, krizat globale më së pari i ndiejnë nën lëkurë të varfrit, demokracitë ende të pakonsoliduara – shoqëritë shqiptare janë të tilla. Besimi për mundësitë që i deklamonin programet si Multinational Corporation dhe Globalisation of Markets në interes të mjedisit (ekologjisë), paqes dhe zhvillimit, është transformuar në mllef. Revolta shqiptare aktualisht shfrytëzon «Rush­» -in globalist vetëm sa për ta manifestuar krizën psikosociale botës virtuale  – dhe atë si nervozë hiperaktive. Më tepër si corpus captivum e Revolucionit 2.0 ata japin grahmën për të kërcënuar defektet e sistemeve të tyre – pra duke kërcënuar vetveten! Më shumë, mendojnë ata, s’kanë çka bëjnë. Duken të pafuqishëm përballë klubeve që delegojnë dhe kontrollojnë pushtetet e tyre. Po ato klube të cilat nobelisti Joseph Stiglitz i përshkruan si «shkatërruese të ekonomive të popujve nëpërmjet përqendrimit të pushtetit te firmat që kontrollojnë me shumicën e kapitalit botëror» (Hijet e globalizimit. Fq. 179-237: 2002)

Shteti dhe shqiptarët
Sipas studimeve të porsapublikuara të Fondacioneve dhe instituteve gjermane për zhvillim dhe paqe (Globale Trends – Paqja, zhvillimi, mjedisi: 2013) globalizmi pjesërisht ecë si invalid e atje ku është më se i nevojshëm ka efektin e kundërt: demokratizimi i vendeve postsocialiste dhe atyre arabe nuk ndodhë. Ato më shumë janë shtete reautokratike se sa shoqëri pluraliste. Interesantja e shumicës së studimeve më të reja mbi globalizmin (Bach: 2013 / Waaden: 2013/ Gronholz: 2013/ Wellman: 2013 dhe Stiglitz: 2013) është se fajtorin – sidomos në vendet si Kosova – për dështimin e zhvillimit e shohin mëpakë në paaftësinë e qeverive vendore, por më shumë në rekonfigurimet labile globale, të cilat instruktohen jo de facto nga Qeveritë, por nga klubet (Bilderberger, G8, G+, WEF,  etj.) që përbëjnë të ashtuquajturën «Informal Global Governance». Dihet botërisht se këto organizata të prira parimisht nga lobet ekstraliberale interesohen vetëm sa për fasadë për të drejtat dhe liritë e popujve, ato si ngushticë ekzistenciale dhe mjet të ruajtjes së primatit oksidental e kanë vënien nën kontroll të resurseve që i mbajnë mobile dhe industriale: naftës dhe gazit  (Basedau/Kappel: 2013)!

Jo vetëm shqiptari, por edhe gjermani, francezi, arabi, afrikani, çdo njeri i informuar mesatarisht, i shkolluar dhe me sensin e demokratit dhe konkurrencës së barabartë në stomak i përjeton këto trende si ditëvrasëse, fatpërdhunuese, depresionenxitëse, zhvillime pra që askënd – përveç përfituesve të paktë – nuk e lënë indiferent. Komoditetin për tu ikur (ose për të vepruar kokë më vete) imponimeve të kapitalizmit të egër të këtyre klubeve kanë vetëm shtetet me demokraci direkte ose semidirekte si Zvicra dhe SHBA –të (e fundit edhe për shkak të statusit të superfuqisë që ka). Tjerët o kërcejnë tangon e klubeve o ikin në bankrot.

Fahredin Spahija
©Fahredin Spahija: „Shqetësim“

Fabrikat e depresionit kolektiv
Për njeriun shqiptar, ky realitet global bëhet edhe më dramatik gjatë përballimit të tij me qeverinë e vetë. Pasi edhe shtetet e tyre funksionojnë po sipas të njejtit model (klanet, qeveria si klub poliautokratësh, përqendrimi i kapitalit në duart e pushtetarëve dhe oligarkëve) frustrimi dhe revolta janë të dyfishta: organizatat (shtetet, aleancat) e huaja, globale që veprojnë te ta perceptohen si qendra kauzale e së keqes, ndërsa qeveritë nacionale si ekzekutorët servilë të tyre. Kur kemi parasysh strukturën dhe gjendjen sociale të shoqërive shqiptare, atëherë pa kalkuluar gjithaq nuk kemi ka i ikim konstativit se shumica absolute (95% po spekulojmë) e masave jeton me ndjenjën permanente paraeksploduese që i «thotë» se qeveria tallet me inteligjencën e tij emocionale dhe «intelektuale» duke ia vjedhur të drejtën për mirëqenie, liri dhe demokraci. Në Shqipëri u bë tash një ofertë (Rilindja e Edi Ramës), e cila poqëse nuk mbetet teori demagogjike e një «klubi» politik të radhës mund të shërbej si model i imitueshëm edhe nga Kosova.

Si të menaxhohet revolta?
Nëse analizojmë programet dhe veprimet ekzistuese të partive politike, lëvizjeve dhe organizatave relevantë politike e intelektuale dhe diskurset kosovare atëherë kuptojmë edhe më me ndjenjë aporinë brengosëse të qytetarit: nuk ekziston asnjë ofertë serioze që do të ishte sajuar pas analizimit të problemeve konkrete shoqërore dhe që do të bindte se dikush merr vërtet seriozisht njeriun shqiptar në krizë dhe nuk e konsideron atë vetëm si subjekt vote dhe si konsumator të manipulueshëm.

Një zgjidhje ka. Mirëpo atë nuk mund ta sjell as shpërthimi gati vandal i masave siç kërkojnë anarkistët e Bakuninit, as «miqtë e popullit» dhe atdheut, neojakobinët që sillen sikur Revolucioni francez sapo të ketë nisë, nuk janë rruga; ideologjitë transcendentale janë metoda më e përkryer e vetëvegjetimit horizonteve e dimensioneve të paqena – sepse nuk presin sukses në këtë botë; ashtu siç tha Albert Camus në një fjalim gati të pabotuar kund me titullin «Kriza e njeriut», të mbajtur me 28 mars 1946 në McMillin teatrin e New York-ut: «Pikërisht se kjo botë është e padrejtë ne duhet të veprojmë me drejtësi ndaj tjerëve. Pikërisht sepse bota në thelb është absurde ne duhet të veprojmë me arsye». Afërmendsh se kërkesa e Camus-ë gjithë përgjegjësinë morale dhe humane ua hedh mbi shpatulla intelektualëve, atyre njerëzve që mobilizohen për ta shpëtuar njeriun nga kriza, mirëpo edhe aq utopike kërkesa nuk është: nëse jemi dakord se 90% e masave ndihet e revoltuar dhe vetëm 10% është e korruptuar atëherë qoftë edhe 30% nga grupi i të revoltuarve do ta gjunjëzonin çdo sistem. Një zgjidhje pra patjetër se ka – vetëm si timoni mungon. Mendjet që ndiejnë njeriun në krizë dhe ia shkruajnë manifestin se si të shpëtojë. Ashtu siç bënë së fundi dy autorët e veprës së famshme «Empire» Michael Hardt dhe Antonio Negri me studimin e tyre «Commonwealth» (2009), respektivisht me manifestin e tyre (kapitulli i fundit) në fund të librit «De singularitate – për instituimin e fatit».

©Fahredin Spahija: „Shqetësim“

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.