Mero Baze

PSIKOGRAFI PRIMATËSH II – INTELEKTUALËT (6)/ Në Shqipërinë e viteve të fundit u krijua precedenti i gazetarisë agjendabërëse, shembëse, demaskuese, por jo edhe i asaj me ndikim në ndryshimin apo rikonfigurimin e politikave të vendit  sipas medias – Tema dhe Mero Baze u dhanë një leksion të nevojshëm demokracive shqiptare.

mero2-1024x931

«Bën mirë të trembesh Sali Berisha» ia numëron dikush levitët kryeministrit të vendit [28.05.2013]. Ndërsa Presidentit «kukull» të të parit i thotë: «kam njohje të thellë për karakterin» tënd «të ulët»[28.05.2013]! Kush flet kështu? Ndonjë pasues i Ayatollah Chomein –it nga froni i Këshillit të Lartë të Republikës islamike të Iranit? Jo, këto janë citate nga artikujt e gazetarit dhe publicistit tiranas Mero Baze drejtuar institucioneve të shtetit. Formulimet e shkëputura madje lirisht mund të merren si më moderatët e fjalorit të ashpër, fyes, kërcënues karshi atyre të «pa karakter«, «të korruptuar», të «kapur nga sistemi dhe sekserët» që përdor me vite bërësi i mediave të Tema-s.

Si erdhi deri tek një luftë kaq e ashpër ndërmjet politikanit [Berisha] dhe gazetarit të tij më të flaktë [Baze] të ditëve të para të demokracisë shqiptare? 

NGJITJA – Pas fitores së demokratëve [1992] Sali Berisha e emëron Mero Bazen drejtor të lajmeve në ATSH. Po nga ky post zgjidhjet  Kryetar i Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë. Paralelisht është njëri nga komentatorët kryesorë të «Rilindjes» kosovare në Shqipëri dhe në Perëndim. Punon për «Zërin e Amerikës», «Europën e Lirë» dhe një numër mediash të huaja e vendore – gjithmonë si gazetar dhe analist që më çdo kusht e gjithandej do të prognozojë në favor të  «linjës së djathtë» të demokracive shqiptare, çka donë të thotë se si i tillë gjithmonë u gjend në krah me Berishën dhe Ibrahim Rugovën. Po në këtë kohë  [1997 – 1999] do të botojë dy vepra publicistike «Realitete shqiptaro amerikane» (për rolin e amerikanëve në rënien e pushtetit Berisha) dhe «Shqipëria dhe Lufta në Kosovë», të cilat nga analistë të huaj e taborë «të majta» politike nuk do priten fare mirë, për shkak të njëanësisë së tyre në jofavor të krahut të armatosur shqiptar.

Që nga fillimi i javores Tema [1992] e pastaj me të njëjtën si të përditshme deri në vitin 2007 Mero Baze do të mbetet kritiku më i ashpër i politikave të majta në vend e sidomos kryeministrit të sapozgjedhur Edi Rama. Deri në vitin 2011 – nga analiza e teksteve në Tema dhe në mediat kosovare –  gjuha denigruese e editorit Baze ndaj ish kryetarit të Tiranës nuk dallon nga kjo e sotmja që ka ndaj ish sponsorizuesit të tij Sali Berisha. Deri me shitjen dhe përpjekjen për të rishitur gazetën Tema Mero Baze madje për avokate ndërmarrjeje dhe private pati vajzën e  tashmë ish kryeministrit Sali Berisha. Madje në aferën «Taçi» Argita Melltezi arriti të dokumentojë pohimet e saja, ndërsa Baze i mbeti borxh opinionit t’ia dokumentojë të kundërtën.

PRISHJA – Si pikënisje, si shpallje e hapur e luftës së Bazes kundër Qeverisë Berisha del Drama e Gërdecit. Në këtë fazë gazeta Tema dhe publicisti Mero Baze shfaqen si «instancat» e vetme dhe pa rezervë që kërkonin zbardhjen e tragjedive. Analistët vendorë i konsideronin «klithmat»  Bazes si histerike, shpifëse dhe si një ndjekjeshtrigash të Bazes që kishte nisur më herët. Në fakt mirëpo, shumica e akuzave të Bazes më vonë u konfirmuan si të vërteta. Që këtej segmente të qeverisë shqiptare – me instruksione të Berishës – nuk do të lënë gjë pa ndërmarrë që të zmbrapsin denoncuesin e tyre në çdo hap dhe gjithandej. Ia mbyllën gazetën e vazhdoi nëpër kafene. Ia dogjën veturën dhe ia kërcënuan familjen e ky u bë edhe më i vendosur, më i egër.

DIAGNOZA – Mero Baze nuk dallon nga ata që ai i cilëson si intelektualë sipërfaqësorë. Jo thellësia por histeria e bën zërin e tij publik të respektueshëm dhe të taborshëm. Nga pjesa më e madhe e biografisë së tij nuk del i pa korruptueshëm. Kjo edhe për arsye se nuk ndryshon mendimin për politikat dhe sistemet pa qenë i kërcënuar personalisht fizikisht, në biznes apo edhe në ideologji të tij.

Lufta e Mero Bazes do të hyjë në historinë e demokracisë shqiptare si precedent që demonstroi fuqinë e medias në prishjen e agjendave të shtetit për shkak të hasmërisë ndërmjet dy personave të caktuar – njëri duke përfaqësuar shtetin e korruptuar e tjetri duke përfaqësuar median e xhindosur në disfavor të shtetit, ligjit dhe vendit edhe aty ku nuk duhej. Sidomos kur kemi parasysh ndikimin e publicistikës së Bazes në ndërtimin e raporteve të atyre të jashtmëve që ose nuk vuanin nga dashuria për Shqipërinë ose nuk e durojnë atë. Mero Baze dogji veten dhe profesionin për çështje hakmarrjeje personale.

Megjithatë nuk duhet reduktuar rolin pozitiv të Mero Bazes për sjelljen e ndryshimit, sidomos për heqjen e strukturave gati mafioze të qeverisë në ikje e sipër.

GROPË!

[Çelësi i vlerësimit: KOT për danditë pompozë dhe pa përmbajtje. GROPË – për ata që më shumë dëmtojnë veten dhe shoqërinë sesa ndihmojnë dhe URË – për ata që vërtet duhen dëgjuar]

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.