Qosja

PSIKOGRAFI PRIMATËSH II – INTELEKTUALËT (5)/ Disa e kanë «baba të kombit», ca e përjetojnë si advocatus diaboli, sepse mbron myslimanët. Ç’ kërkon vërtetë akademiku Rexhep Qosja?

Neoromantikët e konsiderojnë mit të gjallë. Euroshqiptaristët i vunë vulën në ballë: advocatus diaboli! Shqiptarotalebanët besojnë se më në fund e gjetën «babën» e tyre – një që u bënë ballë atyre që historinë, artet dhe kulturën shqiptare e duan përjetësisht kështu siç është – pa elementin islam në të. Jo larg këtyre përvetësimeve, mitizimeve, epiteteve e akuzave herë revoltohet e herë izolohet historiani i letërsisë dhe albanologu Rexhep Qosja. Çka është e çka nuk është akademiku më i përfolur shqiptar?

AKUZAT – Gjatë rebelimit në Shqipëri (1997) Rexhep Qosja për inat të Sali Berishës qenka bërë ideolog i turmave të pakontrolluara që sollën vendin në luftë civile. Për inat të Ibrahim Rugovës paska përkrahur UÇK- në, në kohën kur ky i fundit organizatën e konsideronte si «lojë serbe apo dorë e zgjatur e shërbimeve që përgatisin represione mbi kosovarët» (Rilindja: 15. 12. 1997). Në polemikën ndaj esesë «Identiteti evropian i shqiptarëve» rehabiliton turkoshakun Haxhi Qamili nëpërmjet Esad Pashë Toptanit dhe promalazezëve Marka Gjonit dhe Preng Bibë Dodës me qëllimin për të demaskuar se tradhtitë shqiptare nuk janë specialitet vetëm i myslimanëve shqiptarë por edhe i atyre të besimit katolik dhe politikanëve.

Në rrafshin intelektual thuhet të eliminojë çdo «pasardhës» të paaftë në epigonizëm. Në studimet e tija voluminoze qëllimisht ka anatemuar të njëjtën që kishte ndaluar për trajtim edhe censura enveriste.

FAKTET – Vërtet Qosja përkrahu rebelimin e të majtëve në Shqipëri me një diskurs përmbajtja e të cilit kryesisht formulohej si sulm ndaj personit «ekstremisht të djathtë» Sali Berisha. Të gjitha dokumentet e kohës ( shtypi dhe veprat në kontekst me Rugovën dhe Qosen:1995 – 1999) verifikojnë pa dilemën më të vogël qëndrimin anti UÇK të Rugovës dhe përpjekjen e Qosjes për ta legjitimuar organizatën si ushtri të luftës së drejtë shqiptare kundër agresionit serb.

Polemika me Kadarenë është kot: Kadare thotë se shqiptarët kanë curriculum kryekëput evropian e të krishterë, ndërsa akademiku thotë jemi evropian me shumicë myslimane. Tezat nuk e përjashtojnë njëra tjetrën por reciprokisht përplotësohen. Kot ishte gjithë ajo zhurmë sepse që të dy kolosët «harruan» esencialen: Europa është projekt i thellë që nis nga antika, realizohet në një sferë krishtere, e cila distancohet nga religjionet dhe nëpërmjet iluminizmit e sekularizmit bëhet shtëpi e gjithë atyre që pranojnë si bibël a kuran liberalizmin, kartat e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe demokracinë. Qosja me Haxhi Qamilët dhe Marka Gjonët përpiqet të krijojë një ekuilibër historik, një pjesëmarrje të barabartë të të gjitha religjioneve si në tradhtinë ashtu edhe nacionalizmin shqiptar (Qosja. Të vërtetat e vonuara. Fq.21-22: 2006). Në këtë kontekst harron qëllimisht të përmend dy dimensione të rëndësishme historike: Formimi i identitetit kulturor e etnik shqiptar nuk nis me daljen në skenë të Sami bej Frashërit, Haxhi Qamilit, Marka Gjonit dhe Naimit, por ca shekuj më herët. Së paku gjashtë shekuj e deri në Kongresin e Manastirit projekti udhëhiqet, menaxhohet, finalizohet (identiteti) jo nga bejlerët me çibukë të shtrirë në qilima por nga jomyslimanët (Curriculumi i krishterë dhe evropian i Kadaresë). Tjetri dimension me rëndësi që Qosja e shpërfill është ai i strukturës reale që përbën identitetin e shqiptarëve: Për historinë folëm lartë; Kultura materiale (shkencat, artet, mediat) shqiptare nuk ka asnjë dozë relevante myslimanizmi në vete; Gjuha shqipe është ndër më të çliruarat nga ndikimet religjioze abrahamite; format e qeverisjes shqiptare nuk demonstrojnë synime për ndonjë republikë teokratike, etj. Siç shihet identiteti real shqiptar ( shikuar nga perspektivat: etnike, historike, kulturore, komunikative, publike, socioekonomike e gjeografike) nuk e ka integruar fenë islame si pjesë identiteti. Do të ishte e drejtë legjitime në suaza të mendimit të lirë kërkesa e Qoses që të ndodhë një inkluzion i tillë. Le ta thotë «pa rrotulla».

DIAGNOZA – Duke filluar që nga romani «Vdekja më vjen prej syve të tillë» (1974) e deri në shembjen e federatës Qosja ka qenë intelektuali më aktiv në diskurset jugosllave që kanë pasur të bëjnë me shqiptarët. Ai ka reaguar në mbrojtje të shqiptarëve gjithandej. Kjo veprimtari e Qoses i solli nofkën «baba i kombit». Nga opusi publicistik (prej «Çështja shqiptare – historia dhe politika» e deri te «Rilindja e dytë») i akademikut me origjinë nga Vuthajt lexohet qartë autoprojekti intelektual i tij për ta materializuar modernisht dëshminë e së drejtës shqiptare për të jetuar bashkë, në një shtet. Qosja është neorilindas i pakompromis. Neoromantikët me të drejtë e marrin për kryeintelekualin e tyre. Euroshqiptaristët duhet ta lexojnë veprën e tij, ku do të zbulojnë se shumica prej tyre as gjallë nuk kanë qenë kur Qosja kërkon vlera europiane në kulturën shqiptare («Letërsia shqiptare dhe letërsia botërore»: 1972). Kush e ka kontrolluar njëherë bibliografinë e veprave të Qosjes e dinë se kemi të bëjmë me një erudit më europian se të gjithë kolegët e tij Europës perëndimore. Islamistët shpresojnë kot.

Defekti i Qosjes në këtë kontekst është hiperbolizimi i rolit të fesë në ngritjen dhe në gjendjen e identitetit shqiptar. Qosja – historian i letërsisë, estet, shkrimtar dhe kritik nuk është i njëjtë me Qosjen e politikës së ditës, projekteve nacionaliste dhe polemikave vetëdegraduese, të cilat po i sitëm me «Big Five» teorinë e Allportit ose po e lëshuam tetë shkallëve (stadeve) të Erik Eriksonit na nxjerrin një njeri të lënduar, inatçor (fiksimi në personalitete e jo botëkuptime), introvert, autoritar dhe egocentrik, nuk është ashtu siç e kërkon koha apo mainstreami mirëpo intelektual është, së fundi intelektual organik sipas Gramsc-it. 

URË me gropëza!

[Çelësi i vlerësimit: KOT për danditë pompozë dhe pa përmbajtje. GROPË – për ata që më shumë dëmtojnë veten dhe shoqërinë sesa ndihmojnë dhe URË – për ata që vërtet duhen dëgjuar]

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.