Mustafa Nano

nano-dita

PSIKOGRAFI PRIMTAËSH II – INTELEKTUALËT (8)- „Ky po humbka defintivisht. Ndryshimi qenka i pashmangshëm“ na tha një diplomat i huaj në Tiranë për ish kryeministrin shqiptar Sali Berisha. Pse? Na e shtriu të përkthyer në anglishte letrën publike të Mustafa Nanos „Po të vjen fundi, Sali Berisha“ [13.05.2013]. Fjalitë: „Kam një parandjenjë që po të vjen fundi, Berisha, e prandaj po ngutem të të shkruaj një letër publike…Të mbyllim hesapet me ty njëherë. Për të tjerat kemi kohë“ ishin të nënvizuara kuq. U çuditëm me besimin e diplomatit perëndimor – njërit nga njohësit e shkëlqyeshëm të politikës shqiptare – në prognozën e publicistit të zhurmshëm tiranas. 

PERCEPTIMI: „Rama është alamet çuni“ dhe „Berisha është gomar“. Kështu flet dhe shkruan Mustafa Nano. Pse kaq vulgar? Sepse: „Ja, kjo është herë pas here gazetaria shqiptare. Gazetari e leshit!“, vlerëson sajuesi i portalit famëmirë „respublica“ veten dhe mediat shqiptare [RP 25.10. 2012]. Për shkak të disa lëshimeve (nganjëherë citon apo përfol gabimisht filozofë e autorë) kritikët e konsiderojnë të cekët. „Dandi që me çdo kusht do të imponohet si ndonjë Emil Zola shqiptar e që nuk ka as kulturën elementare intelektuale për të qenë i tillë“, kështu njëri nga kolegët e tij në Tiranë. Kritikat më të ashpra dhe etiketimet mirëpo kanë më pak të bëjnë me kapitalin e tij në dije e më shumë janë reagime ndaj qëndrimeve të tij rreth „temave të mëdha“: Nano bën pjesë në taborin e atyre publicistëve që „bashkimin kombëtar“ e konsiderojnë si ide të panevojshme, turbopatriotike, kot. Bashkëdeklamon tezën që thotë se identiteti shqiptar është si gjithë të tjerët: mozaik fragmentesh nga kultura, mendësi e ideologji të shumta. Nano pra është radhitur me ata pakë „universalistë“ shqiptarë që sa herë që shkruajnë ua acarojnë nervat të djathtëve, nacionalistëve, patriotëve, etnogjenetikëve, pra asaj shumicës së imagjinuar, konstruktuar shqiptare. 
Nano është i padurueshëm edhe për pushtetet. Kritikat në adresë të institucioneve të shtetit nganjëherë janë aq të egra dhe luftarake saqë edhe perceptuesin më neutral e rrëzojnë nga karrigeja. 

Një publicist tiranas njëherë për të dëshmuar antieuropianizmin e publicistit Nano kishte mbledhur turqizmat që përdor ky gjatë komunikimit të tij publik: plotë turqizma. Tepër! Mirëpo autori i kritikës mbeti konfuz, madje edhe absurd, sepse si duket nuk e kap dot faktin se as barbarizmat, as gjuha e as masa e vulgaritetit në komunikim e sipër nuk janë fare indikatorë për t’ia përcaktuar a matur evropianizimin, intelektualitetin apo identitetin dikujt. E më hiç Mustafa Nanos. Nga doli Nano dhe kemi të bëjmë vërtet me një publicist të zhurmshëm, jo intelektual dhe që flet pakontrollueshëm?

ORIGJINA – Në librin e tij autobiografik „Hinterlandi i kuq“ [2009] Nano shpalon jo vetëm origjinën dhe zonën nga erdhi në Tiranë, por ai aty arrin që ta përshkruajë si rrallëkush tjetër anatominë kulturore, sociale dhe humane të Shqipërisë së gjashtë dekadave të fundit e deri sot. Aty, në atë libër, ai nëpërmjet vetes zhvesh shqiptarin jo vetëm se si ishte por edhe si është në fakt edhe sot: një qenie që edhe në diktaturën më të egër nuk e humb humorin; nuk iu hiqet ëndrrave të mëdha as atëherë kur ato i dalin iluzione; për një televizor erosocializohet së paku shkurtë edhe me pushtetin më infantil të globit dhe para së gjithash; një qenie që duket të ketë mbijetuar sidomos për shkak se nuk e merr as veten e as botën gjithaq seriozisht. Tek „Hinterlandi i kuq“ zbulojmë me një fjalë epikurianin më besnik të kohës pasmoderne: asketin besnik të sektit që jeton me filozofinë „carpe diem“. E ç‘bëhet nesër shohim nesër!

Publicisti Nano duket të mos jetë dakord më këtë tip shqiptari që e zbulon gjatë reflektimeve në „Hinterlandin e kuq“ të Çorovodës, Skraparit, por e dëshiron atë ndryshe, më serioz, më me vizion dhe pasion edhe për të nesërmen e tij dhe të shoqërisë. Dje „Laissez-passer“ ishte model simpatik dhe ndoshta edhe sistem vetëkursimi, sot „vita activa“ është e domosdoshme – sugjeron Nano në shumicën paraqitjeve të tij publike. Në këtë drejtim mendojmë se identifikohet kristaltë vizioni, ideali dhe synimi i Mustafa Nanos.

DIAGNOZA – Nuk ka dyshim se Nano është ndër analistët dhe kritikët më të mirë të shoqërive dhe dukurive shqiptare. Jo vetëm sepse ka aftësinë që të përshkruajë dukuritë dhe situatat shqiptare me një përpikëri mahnitëse, por për arsye se shumë rrallë bënë prognoza që nuk i dalin. Botuesi i „respublica“ është njohës i shkëlqyeshëm i sistemeve politike europerëndimore, veçanërisht i funksionalitetit të demokracive këndej. E këto sisteme mund t’i njohësh thellë vetëm atëherë kur të jesh i armatosur edhe me dije rreth ndërtimit historik të tyre. Dije që Nano e manifeston në shumicën e publikimeve të tij. Megjithatë ajo që këtë publicist e bën të veçantë, origjinal është edhe forma e funksionimit të tij autentik: ai flet dhe mendon zëshëm për shumicën, atë shumicë reale që frymon krejtësisht ndryshe nga ajo siç përpiqen ta konstruojnë, imagjinojnë, shpikin „elita“ dhe grupe të caktuara shqiptare. 

Çështja e mënyrës se si Nano komunikon (për shkak të përgjegjësisë publike) mund të diskutohet. Me të drejtë. I padiskutueshëm mirëpo mbetet kapaciteti i tij intelektual dhe aktiviteti i tij konstruktiv në favor të progresit shoqëror. 

URË!
[Çelësi i vlerësimit: KOT për danditë pompozë dhe pa përmbajtje. GROPË – për ata që më shumë dëmtojnë veten dhe shoqërinë sesa ndihmojnë dhe URË – për ata që vërtet duhen dëgjuar]

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.