Të gjithë kundër EULEX apo i fundit kundër vetes?

ETHNO- & GLOBALCIRKUS / Sapo ka nisur një debat publik rreth EULEX-it. Zyra të Brukselit – pa shtrydhur trurin sa duhet – filluan ta interpretojnë diskursin si presion ndaj insitucioneve të BE që të ikin qëandej, çka perëndimorit ia krijon përshtypjen sikur EULEX të jetë diku larg, tejkontinentit. Kosova është Europë dhe BE nuk duhet të sillët sikur operon në xhungël. 

eulex

Bruksel – Bernë, 26 shtator – Më 24 qershor 2014 do të vendoset vazhdimi apo ndërprerja e mandatit të EULEX-it në Republikën e Kosovës. Në kollumnën time të shkruar me titullin Eulex-i (Tribuna: 24 Shtator 2013) qëndron edhe kjo fjali: «pozat e politikës kosovare se mund të vendosë për ikjen apo mbetjen e EULEX-it në Kosovë janë edhe më pak bindëse se kërcënimet Tomit se gjatë serialit të radhës do ta gëlltisë përfundimisht Jerryn». Në shtabet e BE që merren me EULEX na e përsëritën atë që tha Ashton me 20. Shtator 2013 (NZZ): nuk ka asnjë dilemë se misioni do të marrë mandatin edhe për më gjatë. 

Dy ditë ditë më vonë pas kollumnës time, sot, po në «Tribuna» Baton Haxhiu (26 shtator 2013) kërkon që prokurorja e këtij institucioni Maria Bamieh të kthehet sa më shpejtë në shtëpi. Haxhiu e di që Bamieh nuk do të ikë sepse ne publicistët i thirremi në ndërgjejen e saj. Kritika e tij qëndron, mirëpo apeli del ekstrem, çka njerëz të BE-së e kishin perceptuar si bashkërënditje të publicistit me ata që kodin «kthehuni në shtëpi» e përdorin nga bindjet e tyre neokolonialiste, islamiste dhe ksenofobe. Përceptim i gabuar. Madje absurd kur kihet parasysh opusi publicistik i këtij autori, mirëpo si mesazh këtu ishte marrë. 

Mbrëmë Radio Televizioni i Kosovës në një «blic» intervistë, të njënashme (me avokatin Tomë Berisha dhe deputetin Berat Buzhala) i bëri EULEX-it portretin e një organizate që bën çmos për të dëshmuar se është institucioni që më së paku merret me drejtësinë e më së shumti me politikën. Intervista në RTK doli më se e njënashme sepse që të dy të ftuarit flisnin të njejtën, pa përfaqësues të EULEX-it ose mendimit ndryshe aty – edhe pse kritikat ishin në rregull. Eksponentë të EULEX-it si shpesh harrojnë se kanë statusin «neutral». Edhe atëherë kur e dinë me siguri se do të rrijnë aty më gjatë nuk duhet të sillen si dikur kapot e epokës kur ndalohej alkooli në SHBA. Ata duhet të respektojnë rregullat e lojës, formalitetet diplomatike dhe rujatjen e respektit ndërmjet BE dhe shtetit të Kosovës.  

Interesant në kontekst është fakti se ky fillim debati menjëherë e fillimisht nga zyrat në Bruksel e gjithandej u regjistrua si kampanjë për ta vënë EULEX-in dhe BE nën presion që të ikë. E në asnjë interpretim edhe joformal nuk parashtrohet pyetja se ndoshta edhe EULEX mund të ketë veset e veta. 

Dihet botërisht se të korruptuarit që nga pushteti e deri tek ata me ideologji të sëmura mezi presin ta bëjnë një megaparty me ikjen e atyre që historikisht vijnë nga «Europa plakë e …» dhe atyre që veçse sabotonin më shumë ndërhyrjen e aleancës veriatlantike se sa prekeshin me viktimat e Millosheviqit. Mirëpo shumica e kosovarëve (nga sinteza e diksurseve publike), përkundër dështimeve aq të shpeshta të EULEX-it në funksionimin e tij kundër krimit dhe organizimit të sigurisë aty ku vetë është komptente (kritikuesit e EULEX nuk duhet ta harrojnë edhe pamundësinë e këtij institucioni për të qenë i suksesshëm kur kemi parasysh strukturën dhe rrjetet e shoqërive tona), janë të vetëdishëm se pa EULEX-in do të ishte edhe shumë më keq: Të korruptuarit bëjnë ligjin madje edhe në segmentet më të ndieshme të shtetit dhe vendorët edhe për një kohë të gjatë do ta kenë zor pa asistencë ta fitojnë luftën kundër tyre. 

Pandehja të jetë nisur kampanjë kundër EULEX-it prandaj më shumë i përngjajnë propagandës që shfrytëzohet si mantel (vetëmbrojtje) për ta bllokuar ndonjë debat të mirëfilltë – ku patjetër duhet të marrë pjesë edhe EULEX vetë – se sa të jetë rezultat e ndonjë analize serioze të terrenit. 

Në Kosovë nuk ka kampanjë për shporrjen e EULEX-it por më shumë një apel ndaj institucioneve të huaja për më shumë respekt ndaj të vendorëve, kulturës së tyre, më shumë trasnparencë dhe më shumë suksese në luftën kundër krimit dhe pasigurisë. Avokatët e «grupeve», komandantëve dhe delikuentëve nuk duhet të merren si reprezentantë të shoqërisë kosovare, por vetëm si mbrojtës legjitim të klientëve të tyre. Të tjerët reflektojnë (deri tani) nga motive krejtësisht tjera. Joksenofobe, neokoloanialiste apo islamiste por qytetare.

Kosova është Europë dhe Europa nuk duhet të sillët sikur operon në xhungël. 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.