Elektori infantil?

Një ditë zgjedh – katër vite vajton, akuzon, vegjeton. Përpjekje për të depërtuar në anatominë e elektorit kosovar.

Filluan zgjedhjet. Partitë dolën sheshit për të kërkuar pushtet. Nisi sezoni i manipulimit apo përvetësimit masiv. Elektori hap veshesy për ta dëgjuar këngën që e di përmendsh tash e ca vite, refreni i së cilës është i thjeshtë, banal, shpeshherë fyes por efektiv: „votom mua se tjetri është kot“! Sa herë që partia ose kandidati hap gojën për një ide apo për projekt konkret, elektori i zgjuar s’ka se si mos ta kap motivin, metodën dhe synimin e pretendentëve: Partia për motiv kryesor ka dëshirën për pushtet – legjitime. Si metodë të politikbërjes ajo përdor deklasimin e konkurrencës politike – në demokraci dhe pluralizëm e lejueshme. Si synim të gjitha deklarojnë të mirën e vendit – po si ndryshe? Kjo është dinamika dhe strategjia e garuesve për pushtet. Është aksioni i tyre monoton, redundant, mirëpo që përherë ndez. E pasqaruar na duket çështja se me ç`strategjie, përgatitjeje, motivi dhe synimi përballet votuesi me ofertat e shumta elektorale?

APELI I MARGARITA KADRIUT
Në këtë drejtim, nga media të caktuara, vazhdimisht bëhen sugjerime implikative (jo direkte) se cili qytetar mund të ishte elektori ideal? Më saktë: cili është votuesi që mund të ndikonte në rezultatet që paracaktojnë kualitetin e pushteteve të ardhshme lokale e vendore? Në mënyrë eksplicite, të kondensuar dhe in medias res u shpreh kryeredaktorja e të së përditshmes „Kosova Sot“ Margarita Kadriu, e cila publikisht (Facebook: 2. 10 /20.54) kërkoi që qytetari „fushatën e partive“ ta kanalizojë, duke e kthyer atë, në „favor të vetë“. Apeli i editores nuk është statement rasti i një personi publik, por pa hamendje del si manifest i një realiteti të akumuluar në sensoriumin e asaj pjese të shoqërisë ende të painfiltruar nga „pronarët“ e pushteteve. Kështu sepse këtë tezë ajo e bën pas një sinteze rreth „gjendjes së rëndë“ politekonomike në te cilën gjendet vendi i saj. Kadriu, me këtë apel, duket të besojë se shoqëria e saj disponon me një shumicë modeste votuesish që munden t’i bëjnë ballë makinerisë më të organizuar dhe më të pasur (partive) politike të vendit duke ia diktuar asaj një përbërje parlamenti, një strukturë dhe infrastrukturë politike ku mundësitë e operimit korruptiv do t’i kishte të kufizuara dhe do të detyrohej më shumë të luftojë për të mirën e shtetit se sa për kontot e primatëve dhe lobistëve. Iluzion i një dashnoreje të demokracisë dhe vendit të saj?

DILEMAT E VOTUESIT
Tash logjikshëm e detyrueshëm na imponohen dy pyetje kapitale: Pse votuesi kosovar del aq i manipulueshëm me oferta pa përmbajtje, qesharake e madje të dëmshme për statusin e tij social viteve që vijnë? Nëse jemi dakord se ofertat politike për pushtet në thelb janë njëra-tjetra atëherë çka i sugjerojmë elektorit të bëjë?
Në këtë kontekst diskurset aktuale kanë dy modele sqarimi: I pari reflektim rezonon si ai proverbi amerikan që thotë: „E vetmja gjë që na sollën zgjedhjet e reja është se kuptuam hiçgjë të mos kemi mësuar nga zgjedhjet e vjetra“. I dyti diskurs është pak më empatik kur beson në thënien legjendare të William Faulknerit: „Nëse më duhet të zgjedh ndërmjet Hiçit dhe Dhimbjes, pa hamendje do ta zgjedh të dytën“. E para frymë mendësie (partitë) kualifikon shtresat elektorale si turma infantile për përfitimin e së cilës nuk ke nevojë asnjë mund minimal, por mjafton ta përsëritësh përjetësisht këngën e njëjtë, mundësisht ndonjë folk patriotike dhe e dyti model shpjegimi (diskurset publike) edhe pse më serioz është pesimist, depresiv dhe para së gjithash akronik dhe antagonik: zgjedhjet janë menduar pikërisht si përpjekje dhe instrument demokratik për ta shkoqur çdo lloj tumori që mund të përparonte në kancer vdekjeprurës dhe për t’i dhënë mundësinë edhe „hiçit“ në materiezim nëse padrejtësisht perceptohet ashtu. Përderisa partitë politike favorizojnë mendësinë e „masës njëherë të manipulueshme përherë të indoktrinueshme“ për të mbetur të pushtetshëm, pesimistët e ruajnë diagnozën e tyre për të ekzistuar edhe më tej të rëndësishëm publikisht. Idealistët gjuajnë në adresën e duhur, mirëpo janë të pafuqishëm dhe pragmatikët janë aq minoritet saqë mezi u dëgjohet zëri.

HABITUSI I VOTUESIT REAL
„Kur e votova nuk ishte kështu“ – është thënia më e preferuar që dëgjojmë sa herë ta pyesim ndonjë votues që i ka besuar postin politik ndonjë të korruptuari apo asgjëbërësi. Ky arsyetim shihet se nuk demaskon një infantil, një naiv, të paditur, por më shumë ai na portreton qytetarin e papërgjegjshëm, pasiv, kot, sepse e ka votuar politikanin në sajë të kalkulimit se çka ai nuk ishte kur s’kishte as mundësi ta vjedh shtetin dhe sot e gjykon në po mbi të njëjtën mendësi duke „mos dashur më ta votojë“ se nuk qenka ashtu siç duhej të ishte. „Po çka tha ai se do të bënte kur e zgjodhe dhe pse si njësi elektorale e tij nuk kërkuat ta braktis postin pastaj“? Këtyre pyetjeve shumica i përgjigjen: „Nuk e di vallahi“ dhe pasojnë arsyetime si „i derës së mirë, kishte dalë në syret me Rugovën, me Hashimin apo me Qerimin, e kam mik, e ka mik, e kemi vendës“ dhe të llojit deri në pambarim. Kjo formë votimi demonstron elektorin që zgjedh jo kandidatët në bazë të programit (që nuk i kanë. E pse t’i kenë?) të tyre, por ekspozon votuesin e kapur nga merimanga e korrupsionit strukturor, fisnor, patriarkal, gjeoracist, fetaresk etj.

ULËRIMA E PRAGMATIKUT
Partitë politike e njohin elektoratin e vetë dhe dinë që nëpërmjet korruptimit strukturor mund të mbeten në pozitën që kanë e jo me ndonjë program rrënjësor e bindës si mjet përfitimi të shumicës së shoqërisë. Ndërsa ajo pjesa e organizatave dhe partive të spektrit të „hiçit“, se pa pushtet, nuk ka gjasën më të vogël sepse punojnë tërthorazi për të etabluarit në pushtet ose më së shumti nesër do t’ua zënë vendin aktualëve me të njëjtën formë qeverisjeje. Thjeshtë sepse as ata nuk ofrojnë asgjë të re, diçka ndryshe brenda lojës në pluralizëm që do t’i ndihmonte të së nesërmes demokratike kosovare; ato madje edhe më egër se pushtetmbajtësit promovojnë politikën e sharjes së konkurrencës pa ofruar asgjë serioze si program e kulturë.
E revoltuar me këtë realitet apelon Kadriu tek votuesi. Krah saj ulërinë pragmatiku deri në „kupë të qiellit“: bërja më në fund elektorin se pa të kështu do mbetemi! Çka kërkon ai në fakt? Atë që e tha presidenti amerikan Barack Obama: „vetëm zgjedhjet nuk e bëjnë demokracinë“, po atë e bëjnë mediet duke mos torturuar shoqërinë duke reprizuar vetëm kotësitë partiake dhe duke torturuar me „opinionistë“ bajatë, me pesimistë, depresivë. Pragmatiku kërkon që të favorizohet kritika, po aq sa promovimi i kastave dhe jetsetit politik, ai kërkon që elektori përgjegjësinë dhe ankesën të ketë mundësi ta zërojë përherë e në çdo rast kur të ndihet i mashtruar, i papërfaqësuar. Është lojë në aleancë me partitë e korruptuara dhe antielektoratit nëse organizatat ndërkombëtare që merren me implementimin e demokracisë në Kosovë shfaqen njëherë në katër vjet për t’iu treguar kosovarëve se zgjedhjet u mbajtën në rregull, pa u përpjekur të sigurojnë qoftë edhe asistencën minimale para e pas zgjedhjeve në favor të qytetarit të zënë për fyti 1459 ditët kur nuk votohet.
Votuesi nuk del infantil po i papërgjegjshëm, i kapur. Ashtu si partitë, shteti dhe gjithë të tjerët. Çka ndodhë si zakonisht në vendet ku s’ka shoqëri civile, ku shumica e medieve janë pjesë e politikave dhe ku intelegjencia ekziston vetëm si nofkë. Vërtet shoqëria kosovare, respektivisht zgjedhësi kosovar të jetë në këtë gjendje të mjerë? Zgjedhjet që vijnë do ta demantojnë apo konfirmojnë edhe njëherë këtë. Ne shpresojmë që kësaj radhe elektori kosovar të kuptojë se vetëm ka gabuar zgjedhjeve të shkuara e jo të vegjetojë duke pranuar gabimin e radhës.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.