100 vjet Albert Camus

Kërkoi kuptimin e jetës dhe botës. Gjeti njeriun. U përball me absurdin si drejtues ekzistence. Preferoi revoltën. Beri njërin nga shkrimtarët më të mëdhenj francez të shekullit 20 dhe kryeveprën letrare të ekzistencializmit (I Huaji). Më 7 nëndor të këtij viti Albert Camus i mbush 100 vjet. 

Rrëpirës, me një monolit në shpinë, mezi luan këmbët Sizifi. Sapo mbërrin majën kap ngarendshëm teposhtën, donë të mbërrije para shkëmbit në rrafsh, i duhet një copë kohë për të dihatur sadopak. Kjo është jeta, e përhershme, e njëjtë e Sizifit pikërënë. Perënditë e kanë dënuar të jetojë ashtu, të bëjë një ekzistencë absurde, monotone, plot vuajtje, të përhershme. Ai paguan, vuan për shkak të revoltës, intrigave, shamatave, talljes ndaj perëndive e në veçanti se lidhi këmbeduar perëndinë e vdekjes Thanatin para portës së Hadit.

Kjo metaforë mitologjike, antike, është baza dhe uzina mbi të cilën shkrimtari dhe intelektuali francez Albert Camus ndërton botën e tij krijuese, respektivisht filozofinë e tij të ekzistencializmit, jo atë të majtën, sartrianen, as atë të djathtën heideggerianen, por atë absurden, camusianen. Përkundër tezës së popullarizuar që thotë se filozofia e Camus  nis tek eseja i tij «Miti i Sizifit» [1942] dhe kulmon tek «Njeriu i revoltuar» [1951] e vërtetë është se që nga vepra e tij e parë me ese letrare «Dritë dhe hije» [1937] e deri te romani i botuar postmortem «Njeriu i parë» [1994] Albert Camus iu përmbahet rigorozshëm linjave që ia dikton metafora, legjenda e Sizifit. Krejt e shkruara dhe e menduara, në mbarë veprën e tij, është amplifikim eufonik, del estetizim etiologjik i fatalitetit të qenies së paradënuar me lojën absurde, të cilën zotërat e bëjnë me njeriun këndej- e përtejvarrit.

FATALITETI I EKZILIT

Në këtë 7 nëntor shkrimtari algjero-francez do të festonte 100 vjetorin e lindjes së tij. Hibridi (nga nëna spanjoll, nga i ati francez) Albert Camus lind në vreshtarinë e kolonizatorëve francezë në fshatin Mondovi të Annaba-së algjeriane, ku i ati i punonte si magazinier i verës. Në moshën njëvjeçare humb të atin, i cili kthehet rëndë i lënduar nga beteja e Marnës (Lufta e parë botërore). Qysh si fëmijë Camus përballet me mjerimin, në stadin e tij më të egër: bashkë me të vëllain  dhe të ëmën, që të dy gjysmë të hendikepuar, lufton për të ekzistuar herë si punëtor fabrike, herë si pastrues e më së shumti duke u vërdallur rrugëve të baltërta, epidemike të lagjes Belcourt të Algjerit. I huaj që ndihet i atyshëm më shumë se vendësit, i urryer si pinjoll pushtuesish, urryes i përzjarrtë i kolonizatorëve, i huaj për të dyja palët. Deri në moshën e tij 17 vjeçare [1930] kjo është jeta e Albertit, jeta e tij në një botë të huaj. Dhe pikërisht këtu nis e zhvillohet romani i tij i parë «I huaji» në Algjerinë e viteve të 30-ta.

I HUAJI [1942]

Meursault rri shtangur, pa lotë, ka fiksuar sytë në këpucët e priftit që dërdëllit diçka mbi kufomën e nënës së tij. Përderisa të tjerë lotojnë ceremonialisht rreth varrit, Meursault mezi pret të ikë.

Fqinji i tij, makroja Raymond Sintès ka brenga tjera, as që i intereson se mikut të tij i ka vdekur e ëma. As Meursault-it duket të mos interesojë zija: kur i pari i kërkon t’i ndërmjetësojë për ta përvetësuar një arabe të bukur, një ish «mikeshë» të Meursault-së, ai pranon pa hezituar. Komploti del i suksesshëm. Kryeprotagonisti i Camus-së e di që Sintès e keqtrajton, përdhunon dhe detyron në prostitucion araben, mirëpo Meursault është i ftohtë, edhe kur përjeton parasyve ndonjë ekzekutim nuk ndalet as për të shikuar e lere më për të ndihmuar, kështu se indiferent, indolent deri në asht. Edhe kur turma e familjarëve të arabes e kërcënojnë atë dhe Raymond Sintès me thika, pas rrahjes,  po ashtu, ftohtë fshin do pika gjaku nga hunda dhe ecë si statujë mobile sikur mos të kishte ndodhur asgjë. Të nesërmen njëri nga arabët e zë vetëm rrugës, ia drejton thikën, ndërsa ky Meursault, konform emrit që ka [Disa nga kritikët mendojnë se emri i kryepersonazhit të Camus-së është kombinim i fjalëve «vdis idiot!»] gjuan me revole mbi të. Dënohet me vdekje. Në qeli përjeton finalen: «aty përjeton përkëdheljen e ngrohtë të indiferencës së botës»!

Romani «I hujai» jo vetëm nga Sartre konsiderohet si i tillë, por është kryevepra e ekzistencializmit në letërsinë botërore.

DASHURITË DHE DIVORCET

Disa muaj të vitit 1930 Albert Camus i kalon detyrueshëm shtrirë në shtrat një spitali francez. Tuberkulozi ia shemb ëndrrën që të nis me studimet e filozofisë në Universitetin e Algjerit. Tok me shërimin e prek edhe dashuria e tij e parë, e sëmura Simone Hié,  ajo e varura nga morfiumi, drogat tjera dhe hiperseksualiteti, e cila së shpejti do t’i bëhet drama  dhe muza e poetit të absurdit. Po si Sizifi përpiqet Camus ta shpëtojë zanën (kështu e thirr Hié A.C. nderi në momentin e fundit) e tij nga prapësitë e narkodemonëve. Mu në shkallën, klimaksin peripetik, më tragjik të dramës së kësaj dashurie, në atë pikë kur njerëzit rëndom dorëzojnë njëri tjetrin, Camus vepron si çdo bohem: marton më 16 qershor 1934 Hié-në,  atë grua të cilën deri në vdekje, edhe kur ajo të do ta ketë tradhtuar ose do të bëj jetën e kufomës mobile  (të Camus-së) do ta përkrah financiarisht e miqësisht dashurinë  e tij të parë.

Një qenie me një habitus, fat si Albert Camus, në një kohë të tillë, ku mbaron? Në komunizëm se ku tjetër! Në vitin 1935 bëhet anëtar i PK të Algjerisë. Dallohet si njëri nga agjitatorët më efektiv të komunizmit dhe antikolonializmit. Pas diplomimit të filozofisë me Plotin-in dhe Augustin-in Camus, për të shpëtuar martesën udhëton me Hié gjurmëve të Kafkës në Pragë. Në kthim e sipër, në Salzburg merr vesh për aferën seksuale të gruas së tij me mjekun e saj. Pas kthimit në Algjer Camus ndahet jo vetëm prej saj. Ai divorcohet edhe nga komunizmi. Përjashtohet me urdhër të Stalinit, sepse nuk pranon të ndalë propagandën e tij kundër kolonializmit. Ikë në Paris në fillim të vitit 1940 kur gjermanët kishin përlarë pjesë të mëdha të vendit të të parëve të të atit.

MITI I SIZIFIT [1942]

Ashtu siç e përshkruan në veprën «I huaji» njeriun, njëjtë e koncepton edhe ekzistencën reale të tij: absurde! Njeriu është i paradënuar të jetojë duke pranuar të jetë në një botë ku të gjitha speciet të njëjtin fat kanë [analogia entis]: të vuajnë pa vrarë vetën. Këtë e sugjeron Camus në pjesën e parë dhe të dytë të studimit të tij. Pra vetënjohjen si parakusht për të pranuar botën dhe fatin ashtu siç është, pa u çmendur, pa kërkuar humnerën, po si Sizifi i cili bën jetë monotone me shkëmbin e tij në shpinë dhe megjithatë ia ftohë  Thanatit [vdekjes] saherë që ia zë syri në horizont. Ky qenka kuptimi i jetës? Jo thotë Camus, sepse jeta ashtu si vdekja nuk kanë asnjë kuptim. E dyta duket më e «dinjitetshme» sepse është i vetmi fatalitet i paradhënë, i vendosur e të cilit nuk ke nga i ikë. Jashtë këtij stadi të zhgjakësuar s’ka ku? Po. Revolta e brendshme, e çdonjërit, cila nuk është shpëtim nga absurditeti por është luftë, e vetmja gjë e kuptimtë për të cilën ia vlen të mos vdiset, sepse njëkohësisht kjo revoltë aktive, ekzistenca nënkupton solidaritet ndaj tjerëve. Si duket kjo letrarisht?

MURTAJA [1947]

«Ndodhitë e çuditshme të cilave iu kushtohet kjo kronikë, kanë ndodhur në Oran të vitit 194…», kështu e hap qëllimisht rrëfimin «Murtaja» shkrimtari tashmë i vendosur në Francë. Le vitin hapur në shenjë alarmi: kjo që ndodhë këtu, ka ndodhur edhe më herët, do të ndodhë edhe nesër.

Romani metafizik është ndërtuar si dramë. Akti i parë: Ekspozeja – Dr. Rieux gjen stahorin, korrierin e murtajës në Oran. Akti i dytë: Intensifikimi – Epidemia përhapet gjithandej. Rrugëve, korridoreve, shitoreve gjithandej kufoma njerëzish, kadavra minjsh, qensh, macesh. Të infektuarit presin vdekjen, të painfektuarit presin murtajën. Akti i tretë: Kulmi – Murtaja ka asgjësuar, djegur, përheshtur qytetin Oran. Akti i katërt: Momenti retardesk – Murtaja, pas ngopjes përgatit plaçkat për diku tjetër. Akti i pestë: Katastrofa – kthimi në normalitet. Në absurd!

Nga shtatë personazhet kryesorë tre kanë mbijetuar, tre kanë vdekur dhe njëri është çmendur. Dr. Bernhard Rieux [që del në fund të jetë «autori»], mjeku, ateisti dhe praktikuesi më i denjë i dashurisë ndaj tjerëve mbijeton. Mbijeton po ashtu edhe nëpunësi  Grand që i është fiksuar ta shkruajë një roman. Cottard që gjatë murtajës përpiqet ta vrasë veten përfundon në klinikat psikiatrike. I gjallë mbetet edhe gazetari emigrant Rambert. Politikani Tarrou vdes. Mbijeton edhe Paneloux, prifti jezuit që murtajën e pranon si dhe propagandon si dënim të Zotit ndaj mondanitetit përjetësisht keqbërës.

Pavarësisht religjionit, besimit, filozofisë, në luftë, në krizë (Romani shkruhet gjatë LDB) të gjithë bëjnë lojën absurde të ekzistencës. Murtaja del si parabolë e Rezistencës së Njerëzve gjatë katastrofave [luftës, epidemive…], ndërsa mesazhi i romanit i qartë: Absurdi nuk mundet, ai mbijetohet nëpërmjet solidaritetit të njerëzve kundër vdekjes [së hershme] dhe tiranive.

Kjo qenka revolta? Solidariteti?

Katër vite më vonë me një ese tjetër sqaron Camus edhe më kategorik filozofinë e tij, një ese që jo vetëm Sartre-n e përdhos por nxit polemika epokale rreth filozofive, ideologjive, doktrinave dhe religjioneve.

NJERIU NË REVOLTË [1951]

Historia nuk ka asnjë kuptim. Ajo ecë si një rrotë, sjell përsëritshëm të njëjtat sëmundje, shtyp mbi trurin, vetëdijen dhe zymtëson saherë që aktualizohet të sotmen. Religjionet janë kryeabsurdi i paradhënë. Që nga mesi i shekulli 18 e këndej, që të gjitha ideologjitë dhe filozofitë janë konstruksione tragjike, janë utopi çnjerëzore. Sepse akëcila nga to synon monopolin absolut mbi fatin dhe formën e jetës së njeriut. Të gjitha nuk kishin e s’do të kenë kurrë tjetër causa finalis përveç absurdit, terrorit, diktaturave dhe vrasjes së legjitimuar nga shteti. Camus fut e përzien trutë e revolucionit francez, atij rus, marksizmit, fashizmit, Hegelit, Marksit, Sade-s, Nietzsches, Rimbaud-es, Miltonit, Bakuninit, Brahamit në një kazan dhe i bërtet Njeriut t’i përmbahet vetëm një parimi, i cili nuk ka nevojë fare për asnjë asistencë ideologjike, por, dhe me fjalët e vetë Camus-ë: «”Toka e premtuar” nuk ekziston. Është e pamundur të jetosh për të nesërmen pa e përjetuar të sotmen. Bota si e tillë nuk ka asnjë kuptim. Kuptimin botës dhe jetës ia krijon njeriu aktiv kur vihet në shërbim të Tjetrit, kur lufton për të lirinë e të skllavëruarit e të diskriminuarit. Vetëm Arti dhe Revolta janë të përjetshme. Ia vlen të duhet planeti, ia vlen të veprohet në mënyrë inteligjente, të qartë dhe të veprohet aktivisht». Camus nuk besonte në atë se e Keqja, Vrasjet, Tiranitë do të zhduken ndonjëherë. Gjithçka që njeriu mund të bëjë është të japë gjithçka prej vetes për të reduktuar dëmin e tyre, kështu sa për ta bërë jetën të durueshme [Kujto Nietzschen me artin e tij si mjet për të bërë realitetin të durueshëm].

Pas botimit të përmbledhjes me ese «Njeriu në revoltë» Jean Paul Sartre [që sapo kishte aderuar në Partinë komuniste] e akuzoi të ketë tradhtuar idealet komuniste. Divizioni i filozofëve nisi kampanjën për dekonstruksionin e teorisë së Absurdit.  Polemika do të vazhdojë intensivisht edhe pas shuarjes [aksidentit me Gallimard-ët] së Camus-ë më 4 janar të vitit 1960.

FILOZOFIA

Është vendim personal se a donë ta perceptosh botën si një gërmadhë pa kuptim, të paradhënë apo donë t’i besosh ndonjë teorie si ajo e Pierre-Simon Laplace që thoshte se i gjithë universi është nën kontrollin e një demoni matematicien që gjithçka kalkulon dhe deri në përimtësi dirigjon edhe jetën e humanitetit, çka del jashtë orbitës individuale është raporti supra- dhe interhuman, konkretisht: janë kolektivet njerëzore të paradetyruara të pranojnë fatin e Sizifit ashtu siç është [në njërin nga interpretimet e shumta], apo guxojnë ato të vënë sërish po si Sizifi në aksion vullnetin e tyre të lirë, duke e lënë shkëmbin të rrokulliset ku të dojë, duke u shtrirë për të marrë frymë e pse jo edhe duke ia krisur ndonjë kënge? Nëse për këtë perënditë e mbysin Sizifin, atëherë Camus s’ka çka thotë, sepse akti i vetëvrasjes është i përjashtuar, revolta ka marrë kuptimin e duhur: lirinë dhe vullnetin e njeriut në ndryshim, në sabotim të së përsëritshmes!

Këtu banon kontradikta kryesore e ekzistencializmit absurd të Camus-së. Me të drejtë [jo ideologjike, sepse sa u përket ideologjive Camus ka të drejtë, asnjëra prej atyre që trajton nuk ka shpëtuar e virgjër nga krimi] Jean Paul Sartre këmbëngulte duke shpallur tezat e ish mikut të tij të paqëndrueshme duke evidentuar kundërthëniet: nga njëra anë i kërkohet njeriut aktivizmi kundër së keqes, tiranive, pritet prej tij revolta e në anën tjetër i thuhet vegjeto se nuk ke çka bën kundër sistemit, fatit të njeriut që prodhon vetë njeriu se kështu qenka e thënë. Tjetri problem kardinal i teorisë është i ashtuquajturi «problemi induktiv» i Humes-it, Russell-it dhe tjerëve deri sot, i cili filozofikisht ende ka mbetur ashtu dhe i cili argumenton për ndryshueshmërinë permanente e që demanton tezën se e ardhmja mund të dignostifikohet saktësisht duke u shërbyer me të kaluarën, pra si ngjitje-zbritje me gurin në shpinë drejt një shkëmbi.

ARTI

Nëpërmjet kërkimit filozofik të kuptimit të botës dhe jetës Camus nuk na sjell zgjidhje relevante. Na i përsërit kontradiktat dhe problemet e pazgjidhura ose që nuk kanë zgjidhje. E vërtetë. Kjo do të jetë edhe arsyeja pse nga akademitë e botës as që trajtohet si filozof i ekzistencializmit absurd, por më shumë lexohet si ndër ekzistencialistët e parë që nëpërmjet artit hedh hipoteza shumë të rëndësishme rreth shumicës së doktrinave njerëzore. Po ashtu siç bënte në të njëjtën kohë edhe Samuel Beckett, jo vetëm nëpërmjet idesë filozofike në art por edhe nëpërmjet vetë stilit, formës dhe gjuhës, për të dëshmuar absurdin e botëkuptimeve të shumta rreth botës, historisë dhe kulturës.

Nga një mit Albert Camus bën projektin e tij jetësor në kërkim të kuptimit të jetës dhe botës në relacion me njeriun, me ekzistencën e tij. Duke hulumtuar për të vërtetuar idenë e tij rreth të së vërtetës ekzistenciale absurde ai bën vepra arti si «Kaligula», «I huaji», «Rrethimi» dhe «Murtaja», kështu duke u bërë shkrimtari më i madh francez i shekullit 20 dhe njëri nga liderët e letërsisë botërore atëherë, sot e përgjithmonë. Ndoshta ky edhe ka qenë synimi i gjeniut të lindur në Algjeri e jo të vrasë kohë për t’ia dekonstruktuar formulën induktive Humes-it dhe të tjerëve? Sido që të jetë mirë që është se pa të nuk do të kuptonim dot se sa absurd bëhemi kur besojmë gjithçka!

portret camus

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.