AAK

Nga partia që jepte shpresa në klub oportunistësh, dekor të pushteteve dhe të partive të mëdha. AAK dje sot dhe nesër. Teposhta e një partie konstruktive kosovare.

PSIKOGRAFI PRIMATËSH III – ORGANIZATA DHE INSTITUCIONE 5 – “Partia financon veten nëpërmjet haraçit”, kështu njëra nga akuzat më të shpeshta ndaj partisë “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”. Pandehje kjo që nuk mungon as në mediat e huaja sa herë të raportohet mbi Kosovën. Nëse gjurmët e kësaj akuze ndiqen legalisht, pra duke bastisur dosjet e të huajve dhe organeve vendore atëherë pandehja është shpifje. Nëse ecim vijave të shushurimës, pa kërkuar fakte konkrete atëherë storia bëhet dramë. Propagandë qëllimkëqijsh apo dëshmi frikacakësh që vetëm si hije pranojnë ekzistencën si të tillë, nuk dihet. AAK jeton me këtë hipotekë. Si shumica e partive kosovare të jenë të korruptuara.

Përtej sagave erë komploti kemi të bëjmë me partinë e katërt, për nga numri, në Kosovën e pasluftës. Në koalicion me LDK-në e Rugovës kishte kryeministrinë në dorë. E humbi “për t’i shërbyer drejtësisë”, kështu shefi i saj kur u akuzua nga Haga për krime lufte. Hap që bëri për vetë jo vetëm diplomatët flokëzbardhur korridoreve të zyrave ndërkombëtare por edhe shumicën e medieve serioze perëndimore, të cilat qëmoti kishin filluar të shprehnin habinë për “komandantin e egër” që aq shpejtë u shndërrua në politikan formati evropian. I njëjti perceptim plot simpati ishte edhe brenda, në Kosovë. Ramushi i Haradinajve u sakrifikua edhe njëherë për luftën e drejtë dhe Kosovën.   Gjatë qëndrimit të kryetarit të saj në Hagë partia ndërroi fytyrë. Pavarësisht eksponentëve intelektualë e jashtëzakonisht aktivë si Ardian Gjini, Burim Ramadani e ndonjë tjetër për t’ia siguruar partisë një profil të veçantë, ajo u katandis atje ku dëshironte shumëkush: nën mullirin e oportunizmit të zhveshur, pa profil dhe si dekor delegacionesh pushtetare rrugës për të “zgjedhur çështje madhore”.

Inkuadrimi i AAK-së në dialogun me Serbinë doli taktikisht gabimi më i madh që mund ta bënte partia liberale. Jo për shkak të qëndrimit të saj pro marrëveshjes që është plus për pjekurinë e saj politike, si vazhdimësi nga koha kur kishte kryeministrinë, por për shkak të pjesëmarrjes direkte në atë proces – gabim sepse u identifikua si satelit i partisë në pushtet, çmimin e të cilit aksion do ta paguajë në zgjedhjet që pasojnë.
Për nga profili, programi dhe paraqitjet e saj mund të thuhet se është partia me opsionetë më koncize dhe më të qarta sa i përket shtetit, demokracisë, drejtësisë dhe orientimit evropian të Kosovës. Gropa e saj është oportunizmi në kohë e pa kohë që vjen sigurisht nga hierarkia e saj e implikuar në rrjete e procese që nuk kanë domosdoshmërisht të bëjnë me vetë partinë. Kohëve të fundit partia ka nisur të dalë nga mjegulla e parëndësisë, mirëpo jo me atë elan siç pritnin ithtarët e saj tek e cila shihnin një alternativë, një opsion që do t’i bënte ballë gjendjes aktuale në Republikën e Re.   AAK ka tepër pak kuadro për të ndryshuar diçka në drejtim të forcimit të saj. Me imazhin e oportunistes ajo do të ketë humbje, qofshin ato edhe minimale. Megjithatë si subjekt politik ajo luan rol pozitiv përbrenda politikës dhe shtetbërjes kosovare. 

URË
*(Çelësi i vlerësimit: KOT – për akterët që janë sa për të qenë. GROPË – për organizatat destruktive, veprimtaria e të cilave bllokon, retardon ose pengon progresin shoqëror dhe URË – për subjektet me karakter garues dhe që, edhe me gabimet e mundshme, kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe përparimin e shoqërisë.)

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.