Lugati i autofobisë

Një lugat sillet ndër ne – fryma e negativitetit! Vaji dhe mallkimi hapin ditën dhe ato mbyllin pasmesnate dyert e mediave, shkollave dhe kafeneve. Një popull në frikë nga vetvetja?

Demonët e globalizimit kanë përlarë qytetet shqiptare. Frikë gjithandej. Iluzionet janë furra e vetme që mban gjallë depresivët, të zhgënjyerit dhe të çorientuarit. S’ka liri. As robëri. Vetëm huti. Kaos dhe socialdarvinizëm të egër ka. Jo vetëm kolonia e miteve statuja pozojnë sikur mos ta dinë në cilin drejtim duan të ikin, por edhe njerëzit: ata sapo i bëjnë ca hapa  drejt kishës zmbrapsen për kah xhamitë. Duken si ata të burgosurit që u lejohen ecejaket vetëm brenda një zone të ngushtë hapësinore. Aty vërdallen si të përhumbur, kosovarët e çdo mëngjesi, po si ata të dënuarit me një aparat të lidhur për këmbe që fabrikon një seri elektroshokësh sapo i dënuari ta braktisë për disa milimetra zonën neutrale, atë ndërmjet lindjes dhe perëndimit. Ai nuk guxon ta kalojë linjën as për te njëra as për te ajo tjetra, më e largëta, druan të digjet – kështu duket t’i flasin sot dhjetëra perënditë e tij, shqiptarit. I detyruar të shkel natyrën e vetë historikisht nomade është ngujuar aty. Për të vegjetuar? Kësaj radhe vullnetarisht?

Prishtina qyteti në sandviçin e paradigmave, kulturave, ideologjive dhe gjithë paranojave të mundshme të postmodernizmit? Sociologët shkakun e hutesës që ka kapluar shoqëritë shqiptare e kërkojnë papunësisë, skamjes, thonë se ato i çpneumatizon korrupsioni i pushteteve, politikave, i kërcënon paperspektiva dhe diagnoza të ngjashme bourdieu-ane.

KRITIKA DHE HISTERIA
Matanë kësaj tabloje të zymte që ta sposton parafytyrimin në Londrën e Oliver Twist-it dhe Faginit të shekullit 19-të (Charles Dickens: 1839), salloneve e klubeve ku lëvrijnë përfituesit e çdo krize, lufte e paqeje bota duket ndryshe, kolorite dhe plotë shpresë: Ka vite që për shqiptarët ka filluar „epoka e artë“ – siç do të thoshte historiani plak e eurokomunist Eric Hobsbawm. Pas shekujsh skllavërimi, mposhtjeje, decimimi dhe mbijetesë në frikë, ata sot i kanë dy shtete, të cilat i qeverisin vetë, kanë më shumë liri se sa që kanë kapacitetin ta menaxhojnë dhe secila kullë mund t’ia qep vetes një flamur, stemë madje edhe një zonë sundimi privat çdo primat mund t’ia sigurojë fisit. Njëjtë si në kohën e familjeve feudale, aristokrate të Evropës së moçme.
Skamja, papunësia, korrupsioni i politikave? Sociologët dhe analizuesit e shoqërive shqiptare kanë të drejtë që çekanin e mbajnë gati për t’ia futur kokës politikës, saherë që ajo ta favorizojë xhepin e pushtetarëve para qytetarëve. Prapëseprapë ata – sociologët, publicistët, moralistët –  duhet paralelisht të jenë dinjitarë, objektivë dhe të pyesin zëshëm here pas here në mos skamja, papunësia, hutia, robëria dhe kriza dje e njëmijë vjet ishin të mëpakta se ç’ janë këtyre ditëve qyteteve semiurbane shqiptare.
Kritika është e domosdoshme, mirëpo kur ajo zhveshet nga objektiviteti dhe përzihet me mallkimin e injorancës shndërrohet në murtajë kolektive vetëmohimi, depresioni dhe autofobishë të shumta.

DEMONI IM TE «TJETRI»
Një storie e mikut tonë, socioantropologut të njohur italozviceran Christian Giordano e ilustron më së sakti anatominë e „frikave“ shqiptare: „Saherë që shkojë në Ballkan e sidomos në Tiranë përballem me sugjerimet e llojit „ma jep çantë mua se këtu ka shumë hajdutë“, „mbylle derën e hotelit mirë“ ose „kujdes kur të dalësh rrugëve se shumica këtu veç presin të të plaçkitin“. Kjo nuk më ndodhë as në Malajzi, as në Afrikë e as në Azi siç më përsëritet në Shqipëri“. Pse kjo paranojë? Ose më mirë ta kërkojmë shpjegimin e saj në paradoksin e Epimenidit që thoshte „gjithë kretasit janë gënjeshtarë“, kështu duke na torturuar me nyjën që nuk e zgjedhim dot: Nëse gjithë kretasit janë gënjeshtarë atëherë edhe Epimenidi është i tillë sepse është kretas. Kush gënjen këtu? O të gjithë o asnjëri?
Në këtë drejtim implikonte gjendjen edhe formulimi plotëmllef i studiuesit dhe romansierit Ag Apolloni kur tha: «Jam lodhur duke lexuar akuzat tona ndaj të tjerëve. Psikopati gjithmonë fajëson tjetrin, kurrë veten, rrjedhimisht, kam ardhur në përfundim që ne si komb kemi një dërrasë mangut» (Zëri: 19.10.2013). Marrë këtë konstatim të autorit të „Ulurima e ujkut“ (Prishtinë: 2013) si detektor të frymës, kulturës e diskurseve dhe përmbajtjes së mediave shqiptare atëherë vërtet përplasemi me zymtë dhe dramë që ka përpirë kulturosferat shqiptare.
Për dallim nga e shkuara kur „Tjerët“ e Apollonit kanë qenë robëruesit, „Europa shtrigë“ dhe gjitha ata miliona shqiptarofobë anekënd planetit e kozmosit, sot „Tjerët“ nuk janë të huajt, por vetë shqiptarët e uniformuar herë me çallmën e wahabistit mjekërpluhur, herë me një kryq në ballë, shpesh tradhtarë e më së shumti plaçkitës e përdhunues bankash, arkash e grash. Qoftë edhe në kalkulimin më të përimtë del se virgjëria qoftë si simbol, gjendje apo dëshirë nuk mund të ketë prindër shqiptarë: në një mënyrë apo tjetër, të gjithë dalin të mbushur më frymë destruktive. Janë gjithë shqiptarët të kapur nga demonët e së keqes? Jo. 

DESTRUKTORËT E BASHKUAR
Po ndoqëm cilindo qoftë «aferë publike», që nga starti e deri në etablimin e saj në «problem nacional» rrjeteve sociale dhe mediave, do të mësojmë se si një fenomen qoftë edhe fare banal instrumentalizohet deri në histeri masive. Kryesisht fabrikimi gatuhet e hiperbolizohet nga grupe që operojnë me biznesin e frikës. Grupe që i ka përfytur paranoja e humbjes së dominancës mbi një sferë të caktuar (shpesh imagjinare),kulturore, shoqërore. «Destruktorët», ata që me çdo kusht duan të instalojnë «paradigma» e të vërteta të «vjetra e të reja» në mendësinë e shqiptarëve, tashmë janë bërë ekspertë sensorë të reagimeve të këtij lloji dhe sa herë duan që të futen në aksion e deklarojnë ndonjë absurd, akuzë, ofendim dhe rrinë të sigurte këmbëkryq duke pritur efektin e kampanjës, nuk kanë nevojë të konsumohen për marketing sepse e dinë që kundërshtaret do ta bëjnë punën e tyre.
Në këtë garë fobiproducentësh hesht shteti dhe janë memecëruar institucionet e ligjësisë: ato janë të kapura nga politika, e ajo, çdo histeri, paranojë që transferon vëmendjen nga dështimet e saja diku tjetër është mëtepër se vetëm e mirëseardhur.

AUTOFOBIA SI BURIM DRAME
Në fund të analizimit të çdo fobie ekzistuese nuk u ikim dot fakteve: mbizotëron disponimi sidomos i «elitave intelektuale», opinionbërësve dhe mediave që të favorizojnë të keqen. Ato folur me gjuhën e Baruch de Spinoza- s shfrytëzojnë edhe shkaqet më të dobëta ndërmjet frikës dhe shpresës për t’i skandalizuar deri në frikë kolektive (Në trajtesën teopolitike, parathënia) ose siç na thonë në kor gjitha teoritë dhe enciklopeditë e mundshme të vetëterrorizimit: reagimi psikoindividual e grupor ndaj rreziqeve në të shumtën e rasteve është brum i frikës nga vetvetja.
Po kombinuam këto konstatime me natyrën e përhershme shqiptare të lëngimit publik, atëherë teza e Nietzsches se grekët qëllimisht e në mënyrë masive prodhonin frikën për mos u ndier mirë (Morgenröte: 156) vlekëka më shumë për shqiptarët e sotëm se sa për tragjikët e djeshëm grekë.

Më shumë se demonët e globalizmit, skamja, papunësia, religjionet e përdhosura dhe paradigmat diktatoriale nga jashtë, shqiptarët i zymtësoka lufta e thellë e brendshme me autofobitë. Të tjerët dalin vetëm si projeksion i mosdurimit të vetvetes dhe nga pasiguria kanë gjetur frikën si mjetin më adekuat të vetëgërryerjes. Shqiptarët më shumë se nga çdokush tjetër kanë frikë nga vetvetja!

 

 

 

 

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.