Probleme shqiptare (I)

Nacionalizmi nuk i mobilizon e as i përdhos më shqiptarët si deri para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Armiqtë e huaj ngadalë ama sigurt braktisin fjalorin dhe psikozën e shqiptarëve. Ose ata zëvendësohen me të brendshëm. Kryesisht të imagjinuar, mirëpo jorrallë edhe konkretë. Të atillë formëdukurishë me të cilët ndeshet edhe demokracia më e konsoliduar e botës.

Konfigurimet aktuale politike ndërkombëtare nuk lejojnë më iluzione romantike së paku për do dekada të ardhshme shqiptarët duhet të pranojnë këtë gjendje gjeografike dhe të përqëndrohen brenda vetes. Të mësojnë që të trajtojnë negativitetet, dukuritë dhe krizat pa e shpallur menjëherë e zëshëm apokalipsën e tyre kombëtare.
Dhe si çdo kulturë, shtet dhe demokraci tjetër që ka ecur përpara edhe shqiptarët duhet t’i sqarojnë do segmente kapitale të qenies së tyre. Segmente që po u lanë pa diskutuar, polemizuar e sanksionuar (ligjësuar) ato kohë e pakohë do të tërmetojnë shoqëritë deri në eskalime të panevojshme, duke hedhur shqiptarët vazhdimisht prapa, atje ku filloi jo progresi por regresi,në vitet e dyzeta.

SHTETI DHE DEMOKRACIA

Nuk mjafton vetëm asistenca e të huajve për emancipimin e burokracisë shqiptare me rendin dhe kulturën e shtetit ligjor. Shteti edhe vetë duhet të nxisë e subvencionojë komisione, mekanizma e institute të pavarurra që merren me shkollimin, mbikqyrjen dhe sigurimin e kualitetit në praktikë.

Shteti, partitë dhe shoqëria civile janë të obliguara të bashkëpunojnë në formulimin e politikave kombëtare në relacion me atë ndërkombëtare. Parasësgjithash ta përcaktojnë veten: çka synon konretisht, ku e gjen veten dhe cili mund të ishte kontributi i tyre rajonalisht e ndërkombëtarisht. Krijimi i parimeve të qarta, jo vetëm fragmentarisht mediave, por në formë programatike dhe të vendosur, konkrete do të kursente shumë grupe, organizata vendore e të huaja nga ëndrrat kot e vetësakrifikimi për ide e doktrina që në shtetet shqiptare nuk kanë si të realizohen kurrë.

IDENTITETI DHE HISTORIA

Tashmë qarkullojnë versione të ndryshme të historisë shqiptare. Secila me më shumë fantazi se tjetra. Secila më tendencioze se tjetra. Edhe të huajt me stilin e dhaskalit me thupër në dorë përpiqen të emancipojnë shqiptarët me do „të vërteta“ diskursive dhe politikisht po aq tendencioze si të parat. Kjo polarizon dhe krijon konflikte të panevojshme si me tjerët ashtu edhe brenda vetes.

Kemi dëgjuar se punohet diçka në këtë drejtim. Mirëpo me të drejtë dyshojmë në përmirësim; sepse në akademitë shqiptare ende janë divizionet e vjetra komuniste ose këto të rejat shfaqen të taborizuara, polemiste jo shkencore.

Është e një rëndësie të madhe që historia të punohet me objektivitet. Ashtu siç është e domosdoshme që dikursi mbi identitetin kulturor, nacional, politik mos të na lihet në duar ne publicistëve të izoluar që sipas erës së ekzistencës na merr herë një anë herë tjetra dhe pa pyetur as dy veta ua caktojmë identitetin shqiptarëve të shekullit XXI, por të organizohet nga akademitë e shkencave, nga institute të autorizuara të cilat në fund edhe mund t’i formulojnë tezat si rezultat i mbledhjes së informatave nga studimet e ndryshme konferencave shkencore.

RELIGJIONET

Kohëve të fundit nuk është tepër nëse themi se eksponentë të religjionit më të madh ndër shqiptarë janë tërbuar aq thellë saqë haptas u thonë shqiptarëve që të bëhen gati për sheriatin. Nëse edhe shtetet dhe shoqëritë janë pro kësaj vijeje, atëherë dakord, reagimi do të ishte kot, fasadë, në të kundërtën shtetet dhe shoqëria duhet të reagojnë me kohë dhe në mënyrë preventive.
Duhen ligje rigoroze, të qarta dhe të aplikueshme rreth të së drejtës së bashkimit dhe grupimit qytetar. Qeveritë duhet të jenë transparente në njohjen e religjioneve dhe të caktojnë me vijë të kuqe kufinjtë e fushërveprimit të tyre. Ato duhet të respektojnë të drejtat e njeriut përpiktë dhe atë jo vetëm të atyre që konsiderojnë veten viktima, por edhe të atyre që janë viktima pa marrë parasysh volumin: sepse jo vetëm pakicat janë viktima të shumicës, por edhe anasjelltas, shpesh edhe pakica dinë që me shoun e vetëviktimëzimit ta torturojë shumicën deri në acarim.

Problemet janë të shumta, mirëpo demokracia, shteti, identiteti, historia dhe religjionet shfaqen aktualisht si akute dhe në këtë drejtim o bëhet diçka o eskalimet janë të paraprogramuara.

barok - annibale carracci 1588
Annibale Carracci 1588
NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.