Myslimanët

PSIKOGRAFI PRIMATËSH IV – GRUPET 2 / Myslimanët janë komuniteti më i madh religjioz ndër shqiptarë. Dhe më i pandehuri të sabotojë rrugën sekulare dhe proevropiane të Kosovës. Ata heshtin. Vetëm radikalët e tyre flasin.

KRITIKA DHE APOLOGJETËT – Ata nuk duan të trajtohen si grup. Eksponentët radikalë të tyre thonë të mos jenë grup, por populli vetë, sepse përbëkan shumicën absolute. Kritikët thonë se kjo mendësi e të qenurit alfa dhe omega e shoqërisë shprehet vazhdimisht në publikimet e organizatës së tyre përfaqësuese BIK. Komunikata e fundit, e nënshkruar nga primati i tyre Naim Tërnava , acaroi zjarrin edhe më shumë: në tekstin, apelin drejtuar të rinjve që mos të shkojnë (më) për të luftuar në Siri shefat e BIK qëllimisht paskan përjashtuar shtetin duke sugjeruar se vetëm ata -me lejen e familjeve – qenkan kompetentë për të lëshuar fetva, thirrje për luftë e diçka të ngjashme. Sabotim i qëllimtë i rendit, shtetit dhe demokracisë kosovare?
Paradoksalja në këtë kontekst qëndron në faktin se pikërisht në Kosovë – terren që konsiderohej si më i pamunduri për eksperimente të tilla religjioze – e jo dikund tjetër viseve shqiptare, radikalët kanë arritur ta institucionalizojnë veten qoftë nëpërmjet xhamive, partive e qoftë me pjesëmarrje aktive në pushtet.

Kërkesa e disa vajzave që të bartin shaminë në shkollë u prit me diskutime dhe polemika të rënda. Sikur u ndez shoqëria. Radikalët instrumentalizuan kërkesat me qëllim që të manifestojnë aversionin ndaj shtetit sekular. Tanimë, disa prej radikalinskive hapatzi thonë se ëndrrojnë në instalimin e sheriatit në Kosovë; se vetëm islami është sistemi më i përshtatshëm i organizimit shoqëror e shtetëror shqiptar. Imamë kryesisht të shkolluar vendeve arabe herë pas herë riegërsojnë debatin me deklarata që bien ndesh qoftë me traditën shqiptare të konceptimit të lirisë e qoftë me ato çka synon shqiptari i shekullit XXI, madje, për kritikët edhe më të butë, tolerimi i predikuesve të tillë xhamive shqiptare është indikatori më kokëfortë që dëshmon për vijën destruktive të instancave reprezentative të këtij komuniteti.Si pasojë e këtyre zhvillimeve sekularët akuzojnë që organizatat e këtij komuniteti kanë për qëllim demolimin e shtetit qoftë edhe nëpërmjet dhunës për ta iranizuar Kosovën.

Reformistët ndër myslimanë mohojnë që eksponentët radikalë të jenë përfaqësuesit legjitimë të komunitetit. BIK, Vëllazëria dhe organizata tjera të rëna nën kontrollin e ekstremistëve dhe sponzorëve të huaj nuk punojnë sipas agjendës së halleve dhe interesave të besimtarëve vendorë, por ato funksionojnë me programe të lëvizjeve islamiste ndërkombëtare që kanë qëllime pushteti e biznesesh tjera. Jo rrallë edhe BIK e pandehur të bëjë lojën e dyfishtë kërkon nga shteti që të parandalojë hyrjen e ekstremistëve të huaj.
Një diskurs që nuk duhet injoruar vjen edhe nga grupe aktivistësh e shoqatash civile joislame që kanë frikë nga stigmatizimi dhe ngushtimi i të drejtave enkas për këtë komunitet të sulmuar nëpërmjet paushalizimeve.

ANALIZA – Përtej sferës së debatit të medializuar kemi një shumicë myslimane pasive, zëri i së cilës nuk ekziston. Myslimanët joradikalë përpiqen aty këtu që nëpërmjet mediave të bëhen të gjallë, mirëpo pa sukses. Ata nuk duan ose nuk kanë sukses të depërtojnë në BIK që kjo e fundit të jetë më transparente, më e qartë dhe më aktive në luftën kundër rrymave e tendencave politikoislamike. Gjersa nuk faktorizohen rryma të kundërta reformiste intermyslimane askush nuk do të besojë se pasiviteti është refuzim, por do të merret si dakordim në heshtje me ekstremistët.

Frika e elementëve shoqërore për paushalizimin e gjithë myslimanëve për shkak të një pjese të saj të frustruar është arsyeshme. Ashtu siç qëndron edhe alarmimi i drejtë i sekularëve për moskapje të shtetit nga grupi radikal islamopolitik që don pushtet. Në gjithë këtë mungon shteti – ai nuk mbron ligjin dhe kushtetutën e tij dhe vepron më shumë në mënyrë tinëzare se sa transparente. Ose vepron për ta thelluar edhe më shumë frikën se Kosova vërtet është nisur drejt rreshtimit me vendet që praktikojnë ose duan të implementojnë sheriatin.

DIAGNOZA – Për nga resurset intelektuale komuniteti mysliman nuk ka asnjë gjasë të marrë diçka në dorë. Për nga aspekti gjeopolitik, hisorik, tradita, kultura dhe politika Kosova është vendi i fundit ku mund të kishte sukses instalimi i sheriatit. Shteti duhet shumë më qartë ta përcaktojë me ligje se çka munden e çka nuk duhet të bëjnë bashkësitë fetare.
Ajo që mund të ndodhë është faza e parë e strategjisë së programeve panislame – dhe e gjithë organizatave tjera pararevolucionare – që nëpërmjet provokimeve, diskriminimeve, vetëstigmatizimit, dhe kërkesave konfliktuoze të martirëzojnë radhët e veta në favor të rritjes të sa më shumë të privuarve nga shoqëria dhe liria (burgjet plotë liri e …), të cilat më vonë do të përdoren si masë viktimash që hakmerren ndaj shtetit, demokracisë dhe shoqërisë. Janë shqiptarët myslimanë, ata sekularë, të bindjeve e besimeve tjera aq budallenj? Nuk besojmë. E as që kemi dëshirë ta provojmë!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.