Demokracia autoktone

 ESE -II /Oligarkët, grupet, klanet kanë kapur pushtetet, këto tentojnë ta korruptojnë demokracinë në favor të të parëve. Ky sistem ekziston sa vetë demokracia. Pikërisht këtu ngecin edhe demokracitë shqiptare.

Filozofi i popullarizuar gjerman Peter Sloterdijk veçse nuk ia thuri himnin ish kryeministrit të Singaporit Lee Kuan Yew kur ky shpiku „kapitalizmin me rrënjë aziatike“. Kinezët poashtu. Të fundit për më shumë u zotuan se Singaporin do ta marrin idol për reformimin e Kinës moniste. Sloterdijk lavdëroi se mendoi Yew të ketë zbuluar më në fund formulën që fuzionon suksesshëm trinitetin: kapitalizëm – demokraci – autoktonitet. Demokracinë autoktone pra! Euforia nuk zgjati shumë se skandalet e para. Në dhjetor të vitit 1997, në një artikull për „Foreign Affairs“ politologu dhe gazetari Fareed Zakaria kualifikojë Singaporin si regjim hibrid dhe Lee Kuan Yew-in e radhiti në listë me Sllobodan Millosheviqin, Sali Berishën (1992-1997), Leonid Kutschma-n (Ukrainë), Vladimír Mečiar-in (Sllovaki) e tjerë të kalibrit. Gjithë këta konsiderohen si liderë të zgjedhur me një proces demokratik, mirëpo që sundonin në mënyrë diktatoriale, pasi që sheshazi shkelnin institucionet dhe të drejtat e masave në favor të pushtetit personal, ideologjik apo oligark. Shumica e teorikëve të demokracisë, unisono u shfaqën me tezat që lokalizonin defektin. Dhe ai, dështimi nuk buronte vetëm nga natyra e liderëve despotikë, por: “demokracia që me çdo kusht donë të integrojë vlerat endogene (kulturat vendore = autoktone) dështon sepse shumëçka në traditat e popujve nuk përputhen me standardet e të drejtave dhe lirive, veçanërisht në shoqëritë etnikisht heterogjene, fragmentare“, kështu sinteza tematike e hipotezave.

Janë kulturat autoktone të papërshtatshme me demokracinë si sistem pluralizmi politik me një ekonomi kapitaliste? Teza edhe pse vë dy pole të pabarabarta në peshore (organizimin e sistemit politik e krahason me kulturën e një populli, çka nuk është por vetëm një segment i saj) pjesërisht e për raste të veçanta qëndron. Sa vlen kjo tezë për tu kyçur përshkrimin e demokracive shqiptare?

Koha për të kontrolluar mushkëritë e demokracive tona. Të shohim pse ato nuk dalin dot nga faza e subverzionit dhe sa ndikojnë në këtë kontekst mentaliteti dhe kultura e masave?

REGJIMET HIBRIDE

Shqipëria edhe në vitin 2012 gjendet në vendin e 90-të, e kategorizuar si regjim hibrid. Kosova nuk figuron në lista ende, mirëpo konsiderohet njëjtë, pra të jetë regjim hibrid, e jo demokraci e papërfunduar. 

Siç shohim (Democracy Index dhe Sali Berisha), matësit eksternë të demokracive i kualifikojnë sistemet politike shqiptare të jenë regjime hibride  (= demokracia përfundon me numërimin e votave dhe tekëndej nis autoritarizmi) sepse ato qenkan të paafta të instalojnë shtetin ligjor dhe të garantojnë të drejtat dhe liritë qytetare sipas doracakut eurperëndimor. Ky zhvlerësim i magnetshëm për mediat dhe ndikues për imazhin e shteteve dhe shoqërive shqiptare mirëpo duhet të jetë shqetësimi më i vogël, sepse ai është vetëm afekti i një problemi më kompleks dhe parasëgjithash rangimi është rezultat i një krahasimi që përjashton çdo logjikë serioze shkencore – i bie sikur në një garë pjekurie të diskualifikosh gjashtëvjeçarët e njëzetvjeçarët për arsye se nuk kanë përvojën e njëqindvjeçarëve.  

Ne thamë (Tranziscion apo subverzion) se transicioni i shteteve shqiptare për në demokracinë pluraliste është subversiv jo sepse ato, shoqëritë shqiptare, janë inkompatibile me normat dhe konditat eksogene (të krijuara jashtë). E kundërta del nga analiza: ato nuk rezultojnë funksionalitet efektiv pikërisht sepse përjashtojnë realitetet endogene (që mbizotërojnë brenda kulturës autoktone). Integrimi bëhet nga e prapa, është defektuoz: në vend të përpjekjes për ta integruar demokracinë në kulturën dhe realitetet shqiptare kërkesa ultimative e politikës, indekseve dhe organizatave supranacionale është që shoqëritë shqiptare t’i adaptohen sistemit politik në modë duke shpërfillur specifikat e veta sociale, ekonomike e kulturore, çka shihet se nuk shkon.

Gjithë këto teza, hipoteza, kalkulime, ankime do të mbeten abstrakte nëse nuk hulumtojmë konkretisht se çka kuptoi qytetari shqiptar me demokracinë dhe ekonominë e tregut të lirë dhe si trajtohen ato aktualisht laboratorëve shkencore të botës jashtë sferës shqiptare.

AVERZIONI NDAJ TURMAVE

Kur ra realsocializmi (i paqenë realisht) shumica besuan se atyetutje bota dhe jeta do të funksionojë sipas maksimës „Have fun“. Gjithçka lejohet – Shpifjeve, retorikës linçuese dhe diktatit të doktrinave të caktuara ende nuk u kanë shpëtuar shqiptarët. U banalizua deri në grahmë letërsia, artet, mendimi publik dhe kultura e komunikimit. Gjenerata e vjetër mallkonte kohën e re e kjo e fundit besonte se me demolimin e çdo të vjetre arrihet më shpejtë kapërcimi epokal. Të dyja dështuan. Të dyja palët ende akuzojnë njëra tjetrën sepse kokëfortësisht nuk duan t’i pranojnë rëniet e veta.

American Way of Life“ sikur mezi duronte tek pragu për të hyrë sa më shpejtë shtëpive të cullakosura shqiptare. Të rinjtë, vargun migjenian „Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote“ e bënë për moto jete. Pasoi zhgënjimi i madh: Bota nuk ishte e tyre. Ata duhej të ndërtonin një të veten, të re, aty ku kishin jetuar, në tokën e tyre. Ia nisën pa plan, me arkitektë që dinin të ndërtojnë vetëm bunkerë dhe kasolle barinjsh e jo pallate të kohës si ato të Wall Street-it. E pranuan, perceptuan demokracinë jo si formë organizimi politik, si formë konkrete qeverisjeje, ndryshe nga ajo ku sundonte vetëm një parti, por si jeta vetë, gati si religjion. Dhe si duket sot pallati? Themelet nuk durojnë as tërmetin më të lehtë. Diçka tjetër mbi to ende nuk është ngritur.

Që ta bëjmë rrëfimin më të kapshëm do t’i „shpikim“ dy personazhe: Demosin dhe Kratosin. I pari është i ati e i dyti i biri. Demosi, patriarku i odës dhe kullës e zgjedh njërin nga bijtë e tij si reprezentant në Kuvendin e Vendit. Kratosi i papërvojë në politikë shpejtë rekrutohet nga lobistë oligarkësh, klubesh, grupesh interesi dhe përpiqet sa më shumë të evitojë Demosin. Kur ky i fundit merr vesh për korruptimin e të birit as që mundet ta ndërrojë (ligjet elektorale) e ta zëvendësojë me ndonjë tjetër të familjes së tij të madhe. Duhet të presë disa vite. Po sa garanci ka Demosi se i radhës nuk do të korruptohet?

Kjo ndodhi në Singapor: Korruptimi i demokracisë në favor të libertarianëve (shteti në favorin ekskluziv të tregut) nën patronatin e makinerisë pushtetore. Kjo ndodhë vazhdimisht në demokracitë shqiptare. Rotacioni vazhdon. E kjo tash, sa ka të bëjë me vlerat dhe kulturën autoktone të një populli, cilidoqoftë ai? Asfare. Kemi të bëjmë me njërin nga konfliktet e stërlashta që fabrikon demokracia dhe atë që nga antika. Kontest të cilin Platoni e quante „Tirania e Numrit“ e që Tocqueville do na e ekspozojë sinqertë si rrëfim të vetin në një artikull të New York Daily Tribune të datës 25 qershor të vitit 1853 ku shkruan: „Kam një dobësi racionale për institucionet e demokracisë, megjithatë për nga instinkti jam aristokrat. Çka nënkupton se i përçmoj dhe ua kam frikën turmave. E dua lirinë dhe ligjësinë por nuk e dua demokracinë“.

Po të ishin të sinqertë, shumica e politikanëve shqiptarë në pushtet do ta nënshkruanin këtë qëndrim të Tocqueville-it si të vetin. Masat janë të paparashikueshme dhe të rrezikshme, prandaj mobilizimi i tyre është i nevojshëm vetëm gjatë votimeve e pastaj duhet zmbrapsur, flladitur e mbajtur sa më ashpër nën kontroll.

Të rrallë janë ata politofilozofë e sociologë perëndimorë (ndër të cilët: Ranciere, Bensaid, Agamben, Innerarity, Couch, Sloterdijk, Nolte, Höffe, Ross, Nancy etj.) që nuk shohin pikërisht në këtë segment dështimin më të madh të demokracisë pluraliste, respektivisht suspendimin e barazisë sociale nga pushtetet në favor të pronarëve të kapitalit.

ARISTOKRACI KOMUNISTE ?

Rezultat i kësaj „kulture politike“ është edhe metoda „më e re“ e politikanëve shqiptarë për të premtuar në çdo fshat, odë e qytet qindra miliona. Sugjerimi për aristokratizimin e qytetarit – për çka në fakt copyrightin e ka komunizmi e jo neoliberalizmi – është njëra nga dëshmitë e vitrinizuara të shtetit të kapur nga kapitali, i cili duket të priret nga mendësia se paraja është simboli të cilin masat nuk e refuzojnë dot. Edhepse vetëm me iluzion ai ndez sepse – kështu logjika pushtetore – aty ku premtohet mirëqenia aristokrate asnjë lloj morali, etike, ideali nuk ka gjasa të jetë konkurrencë.

Në shoqëritë e varfra, ende pa traditë demokratike rreziqet e korruptimit janë shumë të mëdha. Ato shoqëri që me kohë autoktonizojnë sistemit politik, në këtë rast demokracinë janë më imune karshi manipulimeve, hektikës së konsumimit, dezinformimeve, keqpërdorimeve dhe më lehtë integrohen në dinamikën, tempon  dhe kthesat e nevojshme. Ato që gjithçka e kapin si shabllon për realizim nuk e kanë seriozisht me veten.

 victory4_Fotor

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.