Atentatorët e librit

Frikë në perëndim, panik në lindje – Libri udhës së zhdukjes? Jo. Vetëm histeri dhe injorancë – asgjë më shumë!

PARADIGMAT UNIVERSALE – „Mos shpresoni kot se do t’i shporreni librit“, porositi Umberto Eco në një bisedë me shkrimtarin francez Jean-Claude Carrière (2009). Dialogu i dy të urtëve u botua si libër (në gjuhë të ndryshme) dhe u perceptua si diskurs kundër të të ashtuquajturit „Digital turn“. Intelektualë e shkrimtarë të formatit universal si Acroyd, Coelho, Habermas, Llosa, Taleb e të nivelit s’parandalen duke proklamuar gjithandej se refuzimi, përçmimi i librit nuk qenka sall antikampanjë, por më shumë kulturokrizë e radhës, rakitizëm që pas anlafabetizmit kërcënoka të jetë më brutalja e historisë kundër „proletarizimit“ të dijes. Gjithë kjo sugjerohet si pasojë e hiperdigjitalizimit: Jemi në stacionin e autobusave të përskuqur të „Digital turn“-it. Interneti në betejë me librin?
Në këtë frymë reflektuan edhe vetë insiders-at e mainstreamit. I bekuari i biznesit të paradigmës në modë, politologu dhe ish drejtori i portalit të peticioneve elektronike MoveOn.org, Eli Pariser, me librin e tij „The filter bubble : what the Internet is hiding from you“ (New York: 2011) i vuri kapakun asaj që pohojnë intelektualët „klasikë“: Interneti, stupiditeti dhe egoizimi janë trinjakë. Edhe më keq; Eli Pariser bashkë me filozofin koreano gjerman Byung-Chul Han kërkojnë rimendimin e demokracisë pas perëndimit të epokës së partive (më gjërësisht në eseun e së shtunës që vjen, po këtu). Pra konkurrenca libër -internet është baza e humnerës së re të civilizimit e jo vetëm konkurrencë e ashpër ndërmjet dy transportuesve që duan monopolin si ekzekutore transferi të ideve dhe bakterieve frymore.
Rëndom gjitha palët kanë të drejtë deri në atë çast kur shkelim dheun dhe tentojmë të provojmë ato teori në shoqëri, kultura të veçanta, konkrete. Cili është statusi i librit në shoqëritë shqiptare?

BIOGRAFIA E NJË LIBRI – Ta përdorim rastin më të përsëritur se si lind, vdes apo arkivohet në mbamendje një libër i sotëm. Me këtë ndoshta përshkruajmë edhe realitetin e këtij relacioni edhe në rrethanat shqiptare.
FAZA E PARË: Një autor/e vendos ta botojë një libër. E „zbukuron“ manuskriptin dhe e shpërndan gjithandej. Pasojnë kryetundjet hipokrite të miqve; „gjeniale pasha…“! Botuesit kryesisht nuk reagojnë. S’kanë pare. Nëse reagon ndonjëri pra vetëm për tu informuar rreth arkës së autorit/es. Nëse i/e fundit ngul këmbë në botim o paguan o gjen sponzor. Del libri nga shtypi. As detektivët nuk e dinë tirazhin e saktë. Shpërndahet në dy tri librari. Mirupafshim.
FAZA E DYTË: Nëse autori/ja ka miq në media, i zgërdhihet fati. Libri përfolet nga ndonjë recenzent/gazetar i rastit ose nga ndonjë drejtues/e emisioni. Që të dy pa njohuritë themelore në kontekstet, historinë dhe trendet letrare lokale e lere më universale. Elozhe për t’i ikur pyetjes se pse nuk e kanë lexuar apo kuptuar librin. Autori/a i ka do miq a dosta në ndonjë klub a shoqatë që ndanë shpërblime. E merr një çmim. Bukur. Kaq. Shihemi herën tjetër.
FAZA E TRETË: Autori/ja informojnë nëpërmjet rrjeteve sociale për daljen e librit. Botohen fragmente si reklama për të nxitur interesim. Pasojnë like-t pa e ditur se ç’përmbajtje, niveli, forme e zhanri ka libri. Dikur mbahet promovimi: vjen një minimalomasë, nga e cila 99% fatkeqësisht ende nuk kishte kohë për ta lexuar librin. Dakord e thonë më vonë mendimin, kur ta zënë nga goja e ndonjërit.
FAZA E KATËRT: Botuesi ka harruar t’ua shpërndajë bibliotekave kryesore librin. Autori/ja i bën gati do zarfa dhe i poston vetë. Dhe vendos të mos shkruajë më, të shkruajë në gjuhë tjetër apo të mos botojë më.

BIOGRAFIA E NJË LIBRI II (PERËNDIM) – Ta krahasojmë historinë lartë në një kulturosferë perëndimore.
GJITHA FAZAT BASHKË: Një autor/e ua dërgon manuskriptin, me një referencë të besueshme, disa shtëpive botuese. Në rast të mosinteresit autori/a njoftohet me arsyet. Në të kundërtën lidhet kontratë me të. Nëse libri sjell diçka senzacionale (qoftë si vlerë a ide) shtëpia botuese aktivizon enkas repartin e marketingut të saj. Ky i fundit merret vesh me autorin edhe se sa, tri apo katër faqe do të botohen mediave (sociale, librarive, etj) si ekstrakt. Të gjitha mediave relevante u dërgohet një ekzemplar. Si zakonisht libri lexohet, përfolet, kritikohet. Nuk ka medium serioz pa recenzentët e duhur për fushat e caktuara.
Shtëpia botuese organizon lexime në pikat kryesore ku tubohen lexuesit e zhanrit të librit. Ajo, vepra ose bëhet bestseller ose mbulon vetëm harxhimet e shtypit. Jo rrallë në aksione të tilla kyçen edhe institucionet publike, shtetërore të kulturës dhe në rast të ndonjë paradigme apo koncepti me vlerë të përgjithshme mbështetet libri për masivizimin e tij.

HISTERI DHE INJORANCË – Çka mësojmë nga dy krahasimet? Asgjë për ndikimin e „digital turn“-it. Histeria duket t’i ketë po të njëjtat simptoma si ato të mbas shfaqjes së çdo „turn“- i (The Deconstructive Turn, Linguistic turn, Postcolonial turn etc.). Edhe dijefabrikat aktuale, përkundër përvojës refuzojnë kategorikisht të hapin sytë dhe të besojnë se çdo paradigmë e re asnjëherë nuk përmbysi të vjetrën por veç solli edhe një alternativë plus. Hiç më shumë. Jeta e librit vazhdon. Umbero Eco me shokët e tij ka të drejtë.
Nga paralelizimi mirëpo mësojmë diçka tjetër. Aty na plas sytë injoranca e mediave jo vetëm ndaj librit si përçues, por ndaj kulturës, literaturës në përgjithësi. Lexuesit i ikin librit jo për shkaqe komoditeti e për arsye të alternativave të shumta, por për shkaqe më tokësore, sociale, ekonomike, vlerash e mungese informimi me respekt ndaj ideve, librit dhe kulturës. Aty shohim dy protagonistë që koekzistojnë, bashkëluajnë fuzionueshëm si korruptues (botuesit) dhe të korruptueshëm (autorët). Përballemi me një shoqëri (shteti si timonier i saj) që duket të jetë e interesuar për sa më pak libër e më shumë injorancë ose për vetëm aq dije sa thonë dy a tre libra gjuha e të cilave as që merret vesh në epokën që gjendemi.
Libri nuk ka si të sillet ndryshe tek një masë e cila sillet sikur mezi pret ekzekutimin e tij.

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.