Gjeoracizmi në kosovarizëm

Më shumë se lokalistë, më pak se racistë – janë ekskluzionistët e sotëm në Kosovë. Pseudodoktrina e tyre për bazë ka shtetin, respektivisht kombin kosovar, i cili për nga historia, politika (demokracia) dhe ekonomia del të jetë ende fetus. Dy eksese prominente ilustrojnë fenomenin më të ri ndër shqiptarë!

Jo çdonjëri mund të filozofonte tribunave të polisit. Athinasit e dëbonin ulërishëm çdo «barbaroi» që greqishten e fliste me theks mykenas, miletas, «të huaj». E drejta e pjesëmarrjes në diskursin publik ishte e rezervuar apostafat për qytetarët që flisnin «gjuhën e Zeusit», atë pra e cila konsiderohej të jetë zyrtarja e polisit. Refuzimi nuk ndodhte – siç pretendojnë ta interpretojnë sot kontrakulturalistët – për shkak të pozitës sociale, bazuar në vertikalenqë nis nga skllavi për te aristokrati por parimisht për arsye të mospërkatësisë kulturore (gjuha) të oratorit. Ky ekskluzion nuk manifestohej vetëm para oratorëve por gjithandej ku shfaqej ai, i ardhuri prej diku dikur. Konform kësaj mendësie ishin ligjet, tregu dhe çdo sociosferë tjetër athinase. Koncept i hershëm etnogjenetik pra mbi bashkësinë. Dhjetëra shekuj para krijimit të kombeve njerëzit kanë paragjykuar etnikisht. Edhe sot e kësaj dite aktual. Kështu kanë funksionuar turmat gjithmonë. Jo edhe ata me dy groshë tru, të urtit. Të fundit çdokohë ngritjen dhe zhvillimin, dinamikën përparuese të bashkësisë e kanë kërkuar tek e kundërta – jo parakushti gjenopolitik i bën qytetarët konstruktiv për polisin, por diversiteti, pluraliteti dhe fluiditeti intersocial. 

Poezia programatike e burrështetasit dhe lirikut Solon (594) «Eunomia» (mit. perëndesha e ligjit, rendit dhe paqes) – e cila nga eurocentrikët katapultohet të jetë dokumenti i parë i shoqërisë me barazi ligjore dhe shtetit të hapur (nuk është i pari, por këtu vlen si ilustrim)- është dëshmia se qysh herët të mençurit (frg. 3 dhe 23 sipas Diehl) kanë denoncuar si kancerogjen perceptimin e qytetarit sipas racës, gjakut e gjenit.

HASHIMI DHE SOLONI
Gjatë një polemike parlamentare, kryeministri kosovar“urdhëroi” njërin nga kryeopozitarët «ik në Vladimir (fshat në Mal të Zi) dhe atje zgjidhi problemet». Pse politikani aktual prishtinas sot të mos ketë kuptuar atë që Soloni e predikonte 25 shekuj më parë? Apo Soloni nuk ka pasur të drejtë?

I vetmi informacion që i pari i qeverisë kosovare kishte për të ardhur deri tek kërkesa e tij kategorike ishte se prindërit e opozitarit Albin Kurti të kenë origjinë nga një fshat malazez.

Në emisionin e një kanali televiziv kosovar të titulluar PULS edhe nëpunësi i Fakultetit të Mjekësisë me kandidaturën – sipas tij – gati për dekan, Azem Lajçi, iu drejtua redaktorit për çështje sociale të «Tribuna» -s me fjalët: «Ti me kanë i mirë s’kishe ardhur prej Presheve (Sërbije) e me na ra ne hise. Ti s’me vjen as deri te…» (Burimi: Facebook e Alban Selimit). Këto dy raste nuk janë të izoluara, sepse fjalori i llojit popullon edhe rrjetet sociale, tipi i mendësi ka edhe traditë; dimë për shumë stereotipa si ato „brekëkuqt e gjakovës“ ose sot „talebanët e Gjilanit“, „sh…kosovare“, „makedoncët“ e plotë të këtij lloji. Përderisa këto epitetone lokaliste fshihnin një racizëm të lehtë, më shumë spontan e neveritës, deklaratat përjashtuese të primatëve të sotëm kosovar duken të frikësojnë e sensibilizojnëngase bazohen në atë «dialektikën e kosovarizmit» (06.09.2012 KD online) për të cilën kemi shkruar më herët. 

Në këtë listë as që duhet të listojmë tiradat primitive dhe urrejtëse të disa publicistëve psikodelikatë që thonin se jokosovarët kontaminojnë ambientin e të ngjashme.

Konkretisht: jo vetëm qytetarë dhe shtetas por edhe primatë të politikës mendojnë që pjesëtare të kombit kosovar nuk mund të jenë ata që janë me origjinë nga jashtë kufijtë eridefinuar së fundi nga perëndimi. Kjo vlen pra jo vetëm ata që kanë ardhur 20-30 apo 50 vitet e fundit nga Mali i Zi, Maqedonia, Lugina e gjetiu, por është përcaktues edhe për ata që kanë lindur në Kosovë. Si ta emërojmë këtë dukuri, këtë tip përjashtimi specifik me plis? Së pari t’i bastisim biografitë poleve të kundërta e pastajdoktrinën e përjashtuesve!

Krejt i natyrshëm diskursi mbi «kombin» kosovar. Çdo shtet ka komb e as kosovarët nuk duhet të privohen nga ai. Një grusht intelektualësh argumenton me logjikën e «kombit qytetar», tjetri me atë të «kombit etnik». Njëra palë e sheh shtetin si bazë për konstruktimin e një kombi të ri e tjetra si shanse për dëshmimin e një kombi të vjetër që ka ekzistuar përgjithmonë. Përtej diskursit të kosovarizmit është një masë e tretë që mendon se ekzistojnë dy shteteme politika gati identike shqiptare të një kombi kulturalisht, etnikisht, historikisht e tradicionalisht të pandashëm. Vetëm ky versioni i fundit është historikisht (ashtu siç është) i argumentuar (gjuha, kultura e përbashkët). Teza e tyre se «Kosova është shtet i kombit shqiptarë që jeton në Kosovë» është aktualisht ajo që qëndron bazuar në çdo dimension verifikimi të mundshëm (simbolet, historia, tradita, gjuha standarde zyrtare etj. Elementë përcaktues të një kombi bazash etnike).

Dy të parët llafosen në stilin kontrafaktik (sikur të donim do të ishim…). Kjo për arsye se krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës funksionon si demokraci e deleguar, me kushtetutë jo të rezultuar nga ndonjë plebishit shumice por me diktat ekstern; “kombi” ka shumë historira përrallore, por jo të atillë që do t’ia mbushnin syrin edhe shkencëtarit më shkeleshko; «kombi» për gjuhë zyrtare- siç potencuam edhe më lartë – ka standarden që e kanë edhe tjerët andej gardhit; «kombi» ekonomikisht është i varur nga asistenca sociale e emigrantëve të saj dhe organizatave supranacionale, të cilat i urdhërojnë të prodhojë sa më pak etnonacionalizëm. 

Për më shumë as ekonomikisht nuk mbijeton dot pa rrjetëzim me njësitë tjera shqiptare ose në drejtim të Serbisë. Summa Summarum: qoftë «kombi» etnik e qoftë ai qytetar kosovar, aktualisht janë të pabërë, është dëshirë publicistësh, lokalistësh, institucionalistësh (pa to) dhe politikanësh që ndoshta besojnë se një «komb» konstruktohet me urdhër, me parulla, me inate ndaj «principatave e vilajeteve» tjera dhe mundësisht me duar në xhepa. Kosova mund të bëhet shtet qytetar edhe komb mund të bëhet (nëse donë shumica- e këtë nuk e dimë), mirëpo jo sot, sot edhe njëherë: është pjesë e kombit shqiptar me shtet të vetin!
Tash të shohim mosdurimin ndërmjet kosovarit dhe shqiptarit, ku bazohet ai?

GJUETIA PAS NJË FAKTI
Hashim Thaçi ka lindur Burojë të Skenderajt, ndërsa Kurti në Prishtinë; nuk kanë asnjë dallim nga njëri tjetri në të folur. Që të dy deklarohen të jenë shqiptarë; që të dy deklarohen të jenë kosovarë; që të dy thirren në të njëjtën histori; që të dy kanë një mendësi – njëri në pushtet tjetri në opozitë; që të dy kur u çlirua Kosova ishin jashtë Kosove (njëri në burg tjetri në male) dhe kur u bë shteti ishin në të njëjtin qytet. Cili është dallimi që mund t’i jepte të drejtën njërit të jetë më kosovar se tjetri? Po, katundi Vladimir që shtrihet në Mal të Zi. Origjina? 

Nëse kryeministri reflekton bazuar nga hipoteza e «kosovarizmit etnik», atëherë a është ai i sigurt se para se stërgjyshërit e Kurtit të kenë banuar në Mal të Zi të mos kenë banuar në Skënderaj; Hashim Thaçi nuk e ditka që familja e tij deri vonë ortodokse ka ardhur nga malet e Malit të Zi? Si duket nuk do ta ketë ditur. Prai vetmi argument që kryeministri e përdori si mjet përjashtimi e që dukej logjik, faktik në fakt nuk është fakt e as indikacion që mund t’i shërbente «kosovarizmit» të tij, pra është një gjeofakt i kamufluar, shpifur, që në fund të fundit del autogol, vetëdiskriminim sepse vetë fisi tij vjen nga kodrat e njëjta. Nga perspektiva e “kosovarizmit qytetar” as që guxojmë të mendojmë se mos Soloni na çohet lugat.

Gjithë ky elaborim yni mohon çdo bazë, asgjëson ekzistencën e çdo argumenti racional që do të justifikonte qëndrimin përjashtues të Thaçit, Azem Lajçit dhe shumë të tjerëve, mirëpo ai nuk e bën të paqenë urrejtjen dhe aktet përjashtuese që ndodhin vazhdimisht. Me çfarë defekti kemi në të vërtetë të bëjmë këtu?

RACIZMI PA RACA
Gjithkush e di se ç’ nënkuptohet me racizëm. Deri vonë si racistë kategorizoheshin të gjithë ata që manifestonin intolerancë, urrejtje, nënçmim të tjerëve për shkak të ngjyrës ndryshe të lëkurës së tyre. Që nga vitet e nëntëdhjeta, mirëpo është zgjeruar etimologjia dhe definicioni i termit në fjalë: Stuart Hall (1989) dhe Étienne Balibar (1992) sollën – dhe argumentuan – ekzistencën edhe të racizmit pa raca, të quajtur edhe si racizëm kulturor apo neoracizëm, pra atij lloj ekskluzioni që nuk ka të bëjë me origjinën, gjakun, racën, por më shumë është tip ksenofobie që ka frikë se çdo element i ardhur nga jashtë mund të prishë formën e socialitetit ekzistues. Në thelb dhe në praktikë; të infektuarit me këtë lloj racizmi kërkojnë mundimshëm e djersitshëm ta gjejnë një simbol (në këtë rast që trajtojmë me karakter gjeografik) për të arsyetuar urrejtjen e tyre si plauzible ndaj tjetrit që nuk qenka anëtar i njëmendtë i bashkësisë, domethënë i diskriminuari nuk plotëson të gjitha kushtet për të qenë subjekt i dinjitetshëm social dhe si i tillë i pavlerë për të mirën dhe mbarëvajtjen e kopesë.

DHE PËRSËRI HASHIMËT
Pasi aktualisht askush nga shqiptarët e asnjë pjese nuk ka asnjë argument të vetëm, asgjë materiale, konkrete, racionale, të pranueshme si argument subjektet e përlara nga instinkti racistoid përdorin të vetmin që kanë: gjeoracizmin e kamufluar, praktikisht inekzistent. 

Tash, për fund pyetja kapitale: Soloni dhe kryeministri kosovar – cili është dallimi ndërmjet tyre? I pari jeton edhe sot e i fundit bashkë me kolegët e tij ulërinë para tribunave antike për t’i përzënë “barbaroit”.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.