Ikonat e epokës që shkoi

Historia e shekullit 20 nuk do të shkruhet më si deri tani – kështu të bindur zotohen akademitë e perëndimit. Ajo, qëkëtej nuk do të jetë kronikë e fiksuar ekskluzivisht në personalitete. Sundimtarët, figurat dhe kryeakterët nuk do të përjashtohen, mirëpo as do të ëngjëllohen deri në atë stad saqë të besohet se pa ta s’ka histori.

Aksioni synon t’ua marrë fuqinë miteve që edhe vetëm si përmendore të shërbejnë si inspiratore ushtrishë atentatore të çdo tendence për racionalitet, të mbysin çdo guxim që të shkuarën ta perceptojë me objektivitet, jo më si zonë ku vërdallen vetëm hyjnorë e virgjëresha të kombeve, por me tepër si arkiv ku gjenë gjithçka.

PARADIGMA NGA PARISI
Ky proces mortifikimi  – evitimi i përshkrimit të fiksuar në mbretër dhe diktatorë – që e inicuan Karl Lamprecht, Marc Bloch, Lucien Febvre (sidomos L’École des Annales) ka së paku tri dekada që suksesshëm ka përlarë pothuaj çdo shtab historiografësh të kontinentit. „La nouvelle histoire“, thirret me naze paradigma e modës, tashmë ka frytet e saja: historinë globale, atë transnacionale, analizën diskursive historike e plotë të zhanrit. Rezultati është vetë defekti: fiksimi vetëm në historinë e strukturës, bazës (nga poshtë lartë) dhe atë në faza të gjata (Fernand Braudel: longue durée) ecë drejtë epizimit të shkencave historike; sundon interpretimi shpesh qyqe vetë në shkrimin e historisë! Metoda nuk arriti të gjejë mesin; t’i japë faktit autoritetin që ka duke ia integruar me sukses edhe „historinë e mentalitetit“, antropoligjinë sociale. Ajo bëri po të njejtin gabim të historiografisë „klasike“: u përqëndrua vetëm në përshkrimin socioantropologjik të masave dhe me zor, me dhunë çkyçi bartësit (personalitetet në krye të proceseve) duke abstraktësuar edhe më shumë, çka domosdo është sikur qëllimisht t’ua lëshë terrenin spekulimeve, legjendave. Irracionalitetit duket të jetë motor arsyetimi identitetesh në planin biogjenetik, politik, kulturor e nacional.

Prandaj kritika ndaj shkollës „parisiene“ është bërë edhe më e zhurmshme. Me të drejtë? Po. Madje edhe rasti i shqiptarëve kokapakë dhe ta pahulumtuar nëpër epoka manifeston pamundësinë e suspendimit të personaliteteve gjatë përshkrimit të historisë qoftë asaj globale e qoftë asaj transnacionale, rajonale e lëre më lokale.

NGA GJERGJI TEK HASHIMI
Është interesantë që të kërkojmë personalitete të historisë shqiptare që kanë depërtuar hsitorisë transnacionale, globale.Nuk ka histori mbi epokën osmane, Europën e mesjetës dhe atë të oksidentit ku nuk zë vënd Gjergj Kastrioti i mbiquajtur Skënderbeu. Qoftë edhe minimalisht, mirëpo nëpërmjet tij argumentohet përplasja, rezistenca dhe këmbëngulësia e popujve europiane për të mos lejuar shtrirjen e perandorisë së sulltanëve përtej Vjenës. Gonxhe Bojaxhiu, alias Nënë Tereza, edhe pse rrallë ipet origjina e saj ajo nuk mungon si figura qëndrore, simboli i solidaritetit, humanitetit global në shekullin 20. Në çdo listë, respektivisht histori të shekullit që lamë pas Enver Hoxha i përkon klubit të liderëve, herë si diktator, herë si primat kokëfortë brenda krizave të Luftës së Ftohtë e herë si kukull pa pushtet as globalisht e as lokalisht. Këta janë personalitetet në rrafshin universal, nëpërmjet të cilëve shqiptarët kanë depërtuar për të mbetur pjesë e hsitorisë globale.

Me Ismail Kadarenë braktisim zonat universale dhe hyjmë në ato lokale. Shqiptarët mezi presin që këtij klubi të lartëpërmendur t’i bashkangjitet edhe Ismail Kadare. Simbolikisht ata këtë pranim të shkrimtarit të tyre e lidhin me çmimin nobel. Gabim, sepse në historinë e letrarëve të mëdhenj as përfillet shpërblimi i nobelit si konditë. Shpesh ka efektin e kundërt. Dyshojmë se Kadare – në historinë e letërsisë botërore – nuk do të ketë të njejtëin vend si ata lartë. Jo sepse nuk është një ndër shkrimtarët më të mirë të kontinentit, porse nuk ka shpikur asgjë relevante për historinë e letërsisë, filozofisë e as në letërsinë vetë. Konkretisht: të tillë ka tashmë ka gati shumica e kulturave aktuale. Në historinë shqiptare, pa dyshimin më të vogël ai do të jetë më i studiuari dhe më i lexuari edhe në të ardhmen. Po në këtë stad lokal si personalitete të epokës (1945 – 2008) në histori do të jenë edhe Adem Demaçi si simbol i rezistencës shqiptare gjatë Jugosllavisë së Titos, Ibrahim Rugova si prirës procesesh shqiptare gjatë shkëputjes formale nga federate jugosllave drejt pavarësimit të Kosovës, Hashim Thaçi si prirës procesesh gjatë konkretizimit nëpërmjet luftës dhe të huajve të pavarësisë së vendit të tij dhe Sali Berisha si kyreprotagonist i transicionit shqiptar nga monizmi në pluralizëm. Këto personalitete – deshtën apo jo klubet sot të acarruara shqiptare për ta përvetësuar historinë secili për vete – do të mbijetojnë epokat dhe do të studiohen gjithmonë qoftë edhe si simbole identifikuese për periudha të caktuara historike.

Është e pamundur të shkruash histori pa fakte. Ose është e mundur si deri më tani: duke interpretuar të krijosh legjenda që edhe vetë legjendat alivanosen nga imagjinata. Ekszistenca e liderëve brenda proceseve historike është fakt. E mundshme dhe e domsdoshme është që edhe historiografia shqiptare të bëhet objektive dhe të mos fiksohet vetëm në figura, por t’i trajtojë ata më shumë si të dhënë në situata, episode e epoka të caktuara pa u përpjekur t’i shndrrojë në profetë. Nga francezët e „La nouvelle histoire“ ajo do të mësojë se çdo personalitet është produkt i një mase, strukture, mentaliteti, kulture, segmente të cilat duhet të zënë vend edhe më shumë se vetë figurat në shkrimin e historisë.

 gringat

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.