Pedagogët

Nota me pare. Profesorë që me dekada nuk kanë bërë update në dije. Pedagogët nuk respektohen më si dikur. Pse? Në ç’situatë gjenden shkollat shqiptare?

Imazhi i tyre ka rënë përdhe. Profesorët, mësueset dhe pedagogët e të gjitha sferave, sot më nuk trajtohen si dikur të jenë të mençurit e katundit a qytetit. Nga të tjerët ata përshëndeten turivrenjtur, duke i fajësuar të pazotë për atë që ushtrojnë. Ka ky riperceptim të bëjë me ligjërimin e pakualitetshëm shkollave shqiptare apo problemi është edhe më i ndërlikuar, më i thellë, i tillë që përfshinë plus probleme të natyrave si ato; historike, sociopsikologjike, ekonomike, politike?
Të flasim për një rast konkret. Spekulojmë të jetë më i përhapuri në shoqëritë shqiptare. Nëse rasti nuk mund të jetë induktiv, atëherë le të merret si nxitje për parandalimin e dukurisë. Si do që të jetë, mendojmë se ia vlen eksperimenti.

KATEGORIA E PARË – Kohë e Luftës së Ftohtë: A nga një katund i Gjakovës ka mik funksionierin B. I pari lutë të dytin që t’ia regjistrojë të birin C në gjimnaz. Pasi që C-në e ka ndërmjetësuar funksionari me pushtet e lidhje, asnjë pedagog nuk guxon t’ia vë një notë të dobët, kështu që C me lehtësi mbaron të mesmen. Pas disa viteve, A sërish zë për krahu bashkëpartiakun B diku afër Teqes së qytetit dhe i tregon se i biri i është bërë gati për fakultet. C nis dhe mbaron studimet. Doktoron. Bëhet profesor. Dy herë boton diçka – të dyja herët përmbledhjet, ku fut punimet e ish studentëve të tij, i shpallen si studime serioze. Edhe sot e kësaj dite profesori para pensionit punon në fakultetin ku ia ka nisur të studiojë para disa dekadave. Pandehet që studentët t’i vlerësojë në sajë të kuletës dhe nepotizmit. Pse mos ka njohur ndonjë sistem tjetër gjatë jetës?

KATEGORIA E DYTË – Në realsocializëm mësuesit duhej me përpikëri t’iu përmbahen programeve arsimore që i diktonte partia. Kjo për kreativët ishte frymëzënie, mirëpo për socioparazitët komoditet i paradhënë. Pas një sundimi të gjatë të monizmit, detyrimisht se edhe ata pak pedagogë imagjinatëplotë degjeneruan në kujdestarë shpirtfikur klasash e gjeneratash. Përveç kësaj, që të të besohej detyra e mësuesit, pedagogut, profesorit të lejohej mos jesh ekstramilitant i partisë, mirëpo nuk të lejohej as të ëndërrosh diçka kundër „shokut të parë“ e lëre më të flasësh kritikueshëm për të. Politika e arsimimit realsocialist nxori aty këtu specialistë të ideologjisë, mirëpo mbyti mundësinë e zhvillimit të pedagogut në drejtime e alternativa. Nëse kishte kurse tejzhvillimi ato kishin të bëjnë më pak me paradigmat e reja shkencore (pas vdekjes nuk fliste më Marksi, e as Lenini) e më shumë me ripërsëritjen e historisë së “madhërishme”të diktatorit në fuqi. 
Duke filluar nga fundi i viteve të 70 e këtej ndodhi edhe një rakitizëm kuazipozitiv: për arsye se shteti shpesh u thoshte shqiptarëve gjithandej se nuk mund të hapnin shkolla e fakultete të reja se mungonin kuadrot, Univerziteti i Prishtinës ia nisi shpërndarjes së pakontrollueshme të diplomave me synimin që të fabrikojë sa më shumë pedagogë. Ky ishte një hap shumë fisnik për kohën, por sot del hipotekë me pasoja afatgjate. 
Kjo gjeneratë e rraskapitur vazhdon edhe sot, pa asnjë fije entuziazmi të ligjërojë atë që e ka mësuar “ditëve të para” të realsocializmit.

KATEGORIA E TRETË – Pas rënies së sistemit të vjetër u zhvendosën edhe institucionet e arsimit bodrumeve (nën ish-Jugosllavi), shkollave fetare (Maqedoni) ose klubeve ku profesorë e studentë konsumonin tonelata fërnet e raki. (Shqipëri). Nga kjo përndarje, ky çorientim nuk kanë marrë veten as sot shkallë të ndryshme të arsimit gjithandej kulturosferave shqiptare. Pikërisht gjenerata e të shkolluarve të kësaj faze përbën sot shumicën e batalionit të arsimtarëve, profesorëve.

KATEGORIA E KATËRT – Përkundër gjithë kësaj historie, tragjedie e situate nuk mohohet dot fakti se edhe këtyre dy – tre dekadave kanë dalë plotë intelektualë e të arsimuar. Rezultat ky, mirëpo që nuk ka të bëjë asfare me (pa)punën e sistemit arsimor dhe shkollave shqipe, por është kontribut i plotë individëve dhe familjeve që përkundër gjitha barrierave kanë formuar veten dhe fëmijët e tyre. Një asistencë të mrekullueshme shtytjes në arsimim, shumicës së kësaj kategorie iu ka dhënë edhe emigrimi (edhe pse dramë në vete). Kjo shtresë pedagogësh bën ndoshta të pamundurën, mirëpo të jesh brenda një sistemi të tillë përhumbesh ose gëlltitesh sikur të mos ishe.

PËRFUNDIMI – Shqiptarët, bashkë me rumunët, bullgarët dhe boshnjakët kanë sistemet më të dobëta të arsimimit brenda kontinentit. Më shumë se pedagogëve – të cilët janë edhe vetë viktima të sistemeve të ndryshme ideologjike, nepotiste, politike, reliopatriarkale – faji për këtë megadështim ardhmërivrasës iu adresohet shteteve, politikave të djeshme dhe të sotme. Rastet e korrupsionet nëpër shkollat shqipe sot nuk zbulohen sepse kanë çuar krye idealistët, por sepse ka edhe grupe studentësh e nxënësish që nuk duan të paguajnë apo të intervenojnë me lidhje e fise, por certifikatat e diplomat duan t’i marrin nëpërmjet dhunës e kërcënimeve. 
Asnjëra qeveri e deritanishme në këtë drejtim nuk doli e përgjegjshme për të ndërmarrë reforma aktive, të domosdoshme, të shpejta, për të ndryshuar sistemin arsimor. Të huajt mund të sjellin banka, kompjuterë dhe dritare, mirëpo ata nuk kanë se si sjellin ligje, mendësi dhe disiplinë. Nëse segmentet tjera mund të presin edhe ca në (ri)gjenerimin e tyre, kjo sferë jo.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.